INSTAT: Çmimet e mallrave të konsumit, drejt uljes së vazhdueshme
Indeksi i çmimeve të konsumit në vendin tonë vazhdon të shkojë drejt uljes nga njëri muaj në tjetrin. Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave (INSTAT), në muajin qershor të vitit 2009, indeksi i çmimeve të konsumit arriti në 102,5 për qind kundrejt muajit dhjetor 2007 (Dhjetor 07=100), duke shënuar një ulje prej 0,6 për qind krahasuar me muajin e mëparshëm. Ndryshimi vjetor në muajin qershor është 2,3 për qind, ndërsa një vit më parë ky ndryshim ishte 4,0 për qind.
Në muajt e fundit janë vërejtur ulje çmimesh në një sërë grupesh e nëngrupesh të mallrave të ndryshme ushqimore. Kështu, indeksi i grupit Ushqime dhe pije joalkoolike në muajin maj shënoi një ulje prej 1,7 për qind, me një ndikim prej 0,7 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 6,1 për qind është vërejtur në nëngrupin Zarzavate përfshirë patatet. Po ashtu, indeksi në nëngrupin Fruta shënoi një ulje prej 4,2 për qind etj. Gjatë muajit qershor çmimet janë ulur pothuajse në të gjitha nëngrupet e tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçohen uljet në nëngrupet Peshk 1,9 për qind, Vajra dhe yndyrna 1,1 për qind, Mish 1,1 për qind, Qumësht, djathë e vezë 0,6 për qind, Bukë e drithëra 0,3 për qind etj. Uljet e çmimeve gjatë muajit qershor të këtij viti kanë pasuar uljet e vërejtura edhe gjatë muajit maj. Kështu, sipas INSTAT, indeksi i çmimeve të konsumit për muajin maj të vitit 2009 arriti në 103,1 për qind kundrejt muajit dhjetor 207 (dhjetor 2007=100), duke shënuar një ulje prej 0,8 për qind në krahasim me një muaj më parë. Ndryshimi vjetor në muajin maj ishte 2,1 për qind, ndërkohë që një vit më parë ky ndryshim ishte 4,2 për qind. Gjatë muajit maj, indeksi i grupit "Ushqime dhe pije joalkoolike" shënoi një ulje prej 1,9 për qind, me një ndikim prej -0,7 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Po ashtu, gjatë majit u ulën çmimet e mallrave të tilla ushqimore si, vajra dhe yndyrna, bukës dhe drithërave, zarzavateve, të frutave, etj.