E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reshjet rrisin me 30% energjinë

Humbjet vazhdojnë të jenë në nivele alarmante. Për 2008-ën, mbi 30% e energjisë, humbi në rrjet.

Bilanci i vitit 2008 është pozitiv për prodhimin e energjisë elektrike. Familjarët konsumuan 55% të totalit


Reshjet kanë nderuar bilancin e energjisë elektrike në vend. Rreth 60% e energjisë, vitin e kaluar, është siguruar nga prodhimi i brendshëm dhe, më saktësisht, vetëm nga hidrocentralet, pasi, edhe pse në sasi modeste në të shkuarën, termocentralet gjatë vitit 2008, nuk kanë prodhuar energji.

Për vitin 2008, sasia e energjisë së prodhuar dhe importuar, arriti në 6.6 GWh, nga 5.8 që arriti një vit më parë, ose 12.4% më shumë. Gjatë vitit të kaluar, është prodhuar në vend 3.8 GWh, ose 34.3% më shumë se në 2007-ën. Situata e mirë e prodhimit ka sjellë një rënie të lehtë me 6% të importeve, ku në sasi, për vitin e kaluar, kemi importuar rreth 2.5 GWh energji elektrike.

Koncesionarët, megjithëse zunë një pjesë modeste prej 1.6% të totalit të prodhimit të energjisë, krahasuar me vitin 2007, shënuan një rritje prej rreth 13% më shumë.

Kontrastin më të madh e zunë eksportet së bashku me shkëmbimet, të cilat arritën në 294 mijë MWh, ose 175% më shumë se një vit më parë. Por, kjo sasi e destinuar për shkëmbime, ka zënë vetëm 4.4% të totalit të disponuar për përdorimin gjithsej.


Humbjet


Ndërkohë, humbjet në rrjet vazhdojnë të jenë në nivele të larta. Sipas bilancit energjetik për vitin 2008, të publikuar nga INSTAT-i, rreth 32.4% e sasisë së disponueshme të energjisë elektrike, humbet në rrjet.

Për vitin e kaluar, humbjet arritën në rreth 2.2 GWh, ose 2.6% më shumë se në vitin 2007. "Humbjet në shpërndarje janë rritur 2.9 për qind. Ato vazhdojnë të zënë pjesën më të rëndësishme të humbjeve në rrjet, me 90 përqind",- citohet në raport. Rreth 63% e totalit të disponueshëm të energjisë për përdorim, shkon për konsum final.

Përdorimi i energjisë nga konsumatorët, arriti në 4.2 GWh, ose 14.1% më shumë se në 2007-ën. Energjia e konsumuar nga familjet zuri, për vitin 2008, 55% të totalit të disponueshëm për përdorim final. Familjarët rritën me 10% konsumin e energjisë gjatë këtij viti, krahasuar me 2007-ën.

Edhe gjatë vitit 2009, situata e mirë hidrike ka bërë që KESH-i të eksportojë energji drejt Greqisë, kur për një muaj ka shitur rreth 5 milionë euro energji në vendin fqinj.


 

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›