Polonia, mbështetje për anëtarësimin në BE
Polonia ka dhënë mbështetjen e saj si anëtare e BE-së për integrimin e vendit tonë me të drejta të plota në këtë organizëm. Kryetari i Parlamentit të Polonisë, Bronislav Komorowski, gjatë vizitës së tij në Tiranë u takua me krerët e shtetit, të cilëve u bëri të qartë mbështetjen e vendit të tij për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, duke vlerësuar në veçanti reformat e ndjekura nga vendi ynë në këtë drejtim. Gjatë takimit me kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, Komorowski shprehu mbështetje për Shqipërinë në përpjekjet e saj për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Një mbështetje që i duhet më shumë se kurrë vendit tonë pikërisht tani kur po bëhet gati të aplikojë për t’u bërë kandidat për anëtarësim. Komorowski u shpreh se "Polonia është në krah të Shqipërisë në përpjekjet e saj për anëtarësim në BE dhe shpresojmë shumë që në të ardhmen të jemi në të njëjtin front. Ne jemi dy vende që kemi një të kaluar të ngjashme dhe duhet të jemi bashkë në këto struktura të reja, për të rifituar kohën e humbur". Ai e bëri deklaratën gjatë një konference të përbashkët shtypi me homologen Topalli. Për sa i takon kërkesës së Shqipërisë për të aplikuar për statusin e vendit kandidat në BE, z. Komorowski tha se "nëse një kërkesë e tillë do të bëhej fakt dhe do të na paraqitej, Parlamenti polak do ta miratojë atë. Por, nga ana tjetër jemi të vetëdijshëm për vështirësitë që do ketë Shqipëria në rrugën e pranimit në BE, pasi jo të gjitha vendet anëtare të kësaj organizate, janë pro zgjerimit, siç është Polonia". Sipas tij, "Shqipëria deri tani ka ndjekur të njëjtën rrugë siç e ndoqi dhe Polonia, duke u pranuar më parë në NATO dhe më pas duke aderuar në BE. Praktika ka treguar që kur një vend bëhet anëtar i NATO-s, nuk ka se si mos të jetë anëtar edhe i BE-së. Jam i sigurt që me rrugën e nisur, së shpejti Shqipëria do të jetë një partner i Polonisë, jo vetëm në kuadër të NATO-s, por dhe të BE-së". Topalli e mirëpriti këtë deklaratë, duke theksuar se Polonia është një nga vendet që i kupton më mirë se cilido tjetër përpjekjet titanike të vendit tonë. Më tej, Topalli kërkoi mbështetje edhe për liberalizimin e vizave, kërkesë që gjeti mbështetjen e plotë të kryetarit të Parlamentit polak.
Berisha: Anëtarësimi në BE, projekti më madhor pas NATO-s
Qeveria shqiptare tashmë e ka bërë të qartë se pas anëtarësimit në NATO, energjitë më të mëdha do të orientohen drejt integrimit në BE. Këtë fakt ia bëri të qartë Kryeministri Berisha dje kryetarit të Parlamentit të Polonisë, Bronislav Komorowski, i cili i siguroi mbështetjen e vendit të tij për këtë gjë. Siç bën të ditur zyra e shtypit pranë Kryeministrit, kryetari i Parlamentit të Polonisë përgëzoi Kryeministrin Berisha për arritjet e gjithanshme që ka bërë Shqipëria dhe për anëtarësimin e saj në Aleancën e Atlantikut të Veriut brenda pak ditësh. Ai gjithashtu shprehu vlerësimet më të larta për reformat e thella që ka ndërmarrë qeveria shqiptare në 4 vitet e fundit dhe nënvizoi se rezultatet e tyre janë impresionuese. Ndërkaq duke i bërë të ditur luftën e përditshme të qeverisë së tij për të ecur përpara, Berisha u shpreh se katër vjet më parë procesi i integrimit kishte ngecur përballë dy mureve; krimit të organizuar dhe korrupsionit që pengonin progresin e tij. Ai tha se “qeveria e sheh procesin e integrimit në BE si projektin më madhor pas anëtarësimit në NATO”. Në këtë kontekst, z. Komorowski tha se Polonia mbështet zgjerimin e mëtejshëm të Bashkimit Evropian, veçanërisht në drejtim të Ballkanit Perëndimor dhe garantoi Kryeministrin se Polonia do të dërgojë vëzhguesit e saj për këtë proces.
Topi shpreh interes për investimet polake
Kryetarin e Dhomës së Ulët të Parlamentit të Polonisë (SEJM), Bronislav Komorowski e priti dje Presidenti Bamir Topi, i cili vlerësoi angazhimin serioz të Polonisë në kuadër të integrimit të Shqipërisë në BE, duke shprehur vendosmërinë për vazhdimin e reformave të domosdoshme drejt integrimit të plotë evropian. Presidenti theksoi se Polonia vazhdon të jetë partner i rëndësishëm e tradicional në bashkëpunimin ekonomik dhe Shqipëria i ka të gjitha kushtet për të tërhequr më tepër investitorë polakë, duke synuar rritjen dhe zgjerimin e shkëmbimeve tregtare dhe bashkëpunimit më të madh ekonomik në fusha si energjetika, infrastruktura, bujqësia, blegtoria etj. Nga ana e tij, kryetari Komorowski theksoi se zgjerimi i dialogut dhe bashkëpunimit në të gjitha nivelet do të jetë akoma edhe më intensiv në të ardhmen. Ai vlerësoi përparimet e vendit tonë në fushën ekonomike, kurorëzimin me sukses të anëtarësimit me të drejta të plota në NATO dhe përmbushjen e standardeve demokratike në kuadër të përpjekjeve integruese të Shqipërisë në familjen evropiane, një perspektivë e qartë kjo, që është në interes edhe të vetë Evropës.