I kërkon divorcin gruaja, vritet me armën e shokut 35-vjeçari
Xhelozia për gruan pas kërkesës së saj për divorc ka shtyrë një 35-vjeçar që t’i japë fund jetës, duke qëlluar veten me pistoletën që i kishte vjedhur shokut të tij, polic në burgje. Dyshimet që e mundonin kohët e fundit, pasi gruaja i kishte kërkuar ndarjen, kanë çuar Anton Lleshin në ndërmarrjen e këtij gjesti vetëflijues, duke mos menduar për zgjidhje të tjera. Sipas burimeve zyrtare, armën me të cilën kreu vetëvrasjen, një pistoletë “TT”, ai ia kishte vjedhur mikut të tij, i cili ishte polic në burg. Më pas, ndërsa ka qenë i vetëm në banesën e tij, në Kombinat, ai ka marrë armën dhe ka qëlluar një herë ndaj vetes. Me gjithë përpjekjet për t’i dhënë ndihmën e parë, plaga e marrë në kokë ka bërë që ai të mos të arrijë të mbijetojë, duke gjetur kështu vdekjen e menjëhershme. Menjëherë policia ngriti një grup pune për të hetuar shkaqet e kësaj ngjarjeje. Sipas burimeve zyrtare nga policia, duket se viktima e kishte menduar mirë planin për t’i dhënë fund jetës së tij. Dyshimet kryesore për vetëvrasjes e 35-vjeçarit nga Puka janë për motive të lindura nga xhelozia, të nisura pas kërkesës së bashkëshortes së tij për t’i dhënë fund bashkëjetesës. Viktima kishte disa vjet i martuar, ishte babai i dy fëmijëve dhe ishte me origjinë nga fshati Kryezi në Pukë. Sipas burimeve nga policia, midis tij dhe bashkëshortes gjërat nuk po ecnin ashtu siç duhet, probleme që nisën për shkak të papunësisë së tij. Marrëdhënia e tyre kishte filluar të acarohej kur u kërkua ndarja nga ana e të shoqes, kjo për shkak se viktima dyshonte për një tradhti nga ana e gruas së tij. Duket se situata në mendjen e Lleshit ishte përkeqësuar edhe më. Në një gjendje të rënduar, ai kishte menduar edhe planin e vetëvrasjes së tij. Një prej shokëve të tij ishte polic në burgje. Ndërsa ata ishin takuar me njëri-tjetrin si përherë, viktima kishte përfituar dhe kishte arritur që t’i merrte atij armën e shërbimit, një pistoletë tip “TT” dhe një karikator me fishekë. Punonjësi i burgut, kur ka parë se i mungonte arma, ka bërë edhe denoncimin për humbjen e saj, si dhe ka njoftuar eprorët. Ndërkohë që 35-vjeçari ka çuar armën në shtëpi. Viktima banonte në zonën e Kombinatit, në një banesë pranë fushës “Misto Mame”. Rreth orës 09:00 të mëngjesit të ditës së diel, kur ai është gjendur i vetëm në dhomën e gjumit në banesën e tij, ka nxjerrë armën që e ka pasur me vete. E ka drejtuar atë në kokë dhe e ka shkrepur një herë. Mjaftueshëm për të marrë një plagë vdekjeprurëse dhe për t’u rrëzuar i pajetë. Krisma ka tërhequr familjarët e tjerë, të cilat kanë shkuar me shpejtësi në dhomën ku ajo u dëgjua. Kur janë futur brenda, kanë parë të afërmin e tyre të shtrirë në dysheme e të gjakosur. Ata janë përpjekur t’i japin ndihmën e parë, por çdo gjë ka qenë e kotë, pasi 35-vjeçari tashmë kishte humbur jetën, si pasojë e plagës së marrë. U lajmërua policia, e cila shkoi menjëherë në vendngjarje. Nga grupi hetimor i formuar dhe nga ekspertë të Seksionit Kundër Krimeve Ndaj Shëndetit, u kryhen të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua pistoleta e tipit “TT” si dhe një karikator. Sipas burimeve zyrtare, dyshohet se ka qenë xhelozia që ka shtyrë viktimën të vrasë veten.