E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kodi i etikës për median shqiptare në periudhë fushate zgjedhore

06/06/2005  Rënë dakort nga pjesëmarrësit në

Seminar për Median dhe Zgjedhjet

Organizuar nga Këshilli i Europës dhe Instituti Shqiptar i Medias,

në bashkëpunim me Zyrën e OSBE-së në Shqipëri dhe Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve në Shqipëri

Tiranë, 31 Maj 2005

Përfaqësues të medias, pronarë,drejtorë, menaxherë

Duke qenë të ndërgjegjëshëm për rolin e rëndësishëm dhe përgjegjësitë specifike që ka media në shoqëritë moderne dhe demokratike.

Duke pasur parasysh rolin domethënës të medias si mjet informacioni dhe si platformë e debatit politik, si dhe peshën e veçantë që fiton ky rol në kohë zgjedhjesh.

Duke theksuar se media mund ta përmbushë më mirë rolin e saj dhe t’u përgjigjet përgjegjësive të saj atëherë kur pavarësia redaksionale respektohet plotësisht.

Duke pohuar se respektimi nga media i drejtësisë dhe barazpeshimit në pasqyrimin e zgjedhjeve, është një faktor vendimtar në zhvillimin e zgjedhjeve demokratike.

Duke qenë të ndërgjegjshëm për nevojën, për të marrë parasysh tiparet rrënjësisht të ndryshme, dhe për rrjedhojë, rolet dhe përgjegjësitë e ndryshme të medias së shkruar dhe asaj elektronike.

Duke pasur për qëllim të përmbushin rolin e tyre me respektin e duhur për përgjegjësitë e medias në shërbim të demokracisë, dhe duke i kushtuar vëmendje të veçantë aspekteve të ndryshme të pasqyrimit të fushatave zgjedhore, përfshirë këtu raportimin, ofrimin e aksesit në media partive dhe kandidatëve, shpërndarjen e anketimeve, të reklamës së paguar politike, etj.

Duke pasur parasysh rëndësinë e rënies dakord për disa rregulla që do të udhëheqin sjelljen e medias, si një mjet për vetërregullim nga vetë profesionistët e medias.

Ramë dakord, përshtatëm në përputhje të plotë me standartet ndërkombëtare, veçanërisht me Rekomandimin e Këshillit të Europës No.R(99) 15, mbi masat që kanë të bëjnë me pasqyrimin në media të fushatës zgjedhore si dhe me legjislacionin shqiptar, veçanërisht Kodin Zgjedhor, Ligjin për Radion dhe Televizionin Publik dhe Privat, si dhe Ligjin për Shtypin e Shkruar dhe u angazhuam të zbatojmë Kodin e Sjelljes Profesionale të mëposhtëm, në të cilin ravijëzojmë parimet kryesore të punës së mirë për pasqyrim të përgjegjshëm, të saktë dhe të drejtë të fushatës për zgjedhjet e afërme parlamentare:

Në Nivelin e Përgjithshëm

Media do të mbrojë pavarësinë e saj redaksionale dhe, nuk do të lejojë ndërhyrje nga autoritetet publike, nga grupe apo individë që kanë për qëllim ose kanë të ngjarë të ndikojnë në punën e tyre dhe/ose të zvogëlojnë lirinë e medias dhe të drejtën për lirinë e shprehjes.

Në kuadrin e rolit dhe përgjegjësive të tyre, mediat do të sigurojnë të mëposhtmet:

Shpërndarjen e informacionit që do të ndihmojnë në edukimin e votuesve rreth aspekteve të ndryshme të procesit zgjedhor dhe raportimin e veprimtarive në lidhje me fushatën zgjedhore, ashtu si përcaktohet në Kodin Zgjedhor dhe në rregullat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve;

Gjatë zbatimit të veprimtarive të mësipërme, medias i bëhet thirrje të mos kërkojë apo të marrë pagesë ose kompensim të ndonjë forme nga partitë politike apo persona të tjerë fizikë ose juridikë, në shkëmbim të trajtimit për hapësirë botimi ose kohë transmetimi, me përjashtim të rasteve kur kemi të bëjmë me reklamë politike të paguar, si është përcaktuar në Kodin Zgjedhor.

Kur të bëjë publike rezultatet e sondazheve, media do të japë informacion të mjaftueshëm për publikun, në mënyrë që ai të jetë në gjendje të bëjë një vlerësim për sondazhet, konform normave të vendosura në Ligjin Zgjedhor, sidomos me nenin 134.

Për Median e Shkruar

Media e shkruar do të gëzojë pavarësi të plotë redaksionale, si dhe të drejtën për të shprehur preferencat e saj politike.

Media e shkruar, e cila do të pranojë reklamë të paguar politike, duhet të garantojë që këto reklama të identifikohen si të tilla në mënyrën e duhur, pa diskriminim financiar, dhe duke siguruar transparencë të plotë dhe mundësi të plota dhe të drejta për të gjithë konkuruesit.

Për Median Elektronike

Media elektronike, si ajo publike dhe ajo private, do të përpiqet të pasqyrojë fushatën zgjedhore, duke zbatuar parimet e drejtësisë, barazpeshimit dhe paanshmërisë, ashtu si përcaktohen në Kodin Zgjedhor, veçanërisht në nenet 136-141. Mediat elektronike, do t’i trajtojnë partitë politike dhe kandidatët në një mënyrë të barabartë dhe të drejtë, pa asnjë lloj diksriminimi.

Qëllimi përfundimtar i pasqyrimit në media të fushatës zgjedhore, është informimi i drejtë i votuesve rreth platformave dhe veprimtarive të subjekteve zgjedhore.

Parimet e barazisë dhe drejtësisë, do të zbatohen gjatë gjithë kohëzgjatjes së fushatës zgjedhore. Ky parim nuk duhet patjetër të zbatohet në kuadrin e një dite apo një programi, por në një periudhë më të gjatë kohore, ndoshta duke u marrë java si njësi kohore. Mediat ruajnë të drejtën që ta zbatojnë këtë parim edhe në lidhje me pavarësinë redaksionale dhe vlerën që kanë si lajm informacionet dhe ngjarjet e ndryshme.

Media elektronike do t’i trajtojë me maturi deklaratat dhe veprimtaritë e zyrtarëve qeveritarë dhe autoriteteve publike, duke pasur kujdes që të mos lejojë ndonjë trajtim preferencial ndaj tyre në edicionet e lajmeve apo programet e aktualitetit.

Së fundmi, media elektronike do u kushtojë vëmendje të posaçme programeve të tjera përveç lajmeve dhe aktualitetit, përmbajtja e të cilave ka të ngjarë të lidhet me fushatën zgjedhore dhe së fundmi të ketë ndikim në qëndrimin e votuesve.

Në zbatimin e rregullave për trajtim të barabartë, media elektronike,

Do të garantojë që dërgimi i ftesave për parti politike që të marrin pjesë në programe të ndryshme, të bëhet konform parimit të barazisë/drejtësisë, ashtu si përcaktohet në Ligjin Zgjedhor; asnjë trajtim i privilegjuar, asnjë formë diskriminimi apo përjashtimi të ndonjë partie apo kandidati nuk mund të lejohet.

Trajtimi i ndershem dhe mungesa e diskriminimit, është gjithashtu i vlefshëm edhe në rastin ku hapësira e transmetimit i ofrohet partive politike apo kandidatëve.

Trajtim i barabartë dhe mungesa e diskriminimit, është gjithashtu i vlefshëm në lidhje me programet e kandidatëve që rivalizojnë për të njëjtin post, në të njëjtën zonë zgjedhore, atëherë kur çështjet që do të trajtohen lidhen me elektoratin në fjalë.

Gjatë pasqyrimit, komentimit apo transmetimit të veprimtarive, ngjarjeve, deklaratave dhe komunikatave për shtyp të organizatorëve të fushatës zgjedhore, mediat elektronike duhet të garantojnë që komentet dhe fragmentet e paraqitura nuk janë të tilla që të ndryshojnë përmbajtjen e materialit fillestar.

Media elektronike do të përgatisë skedën e programeve duke pasur parasysh zbatimin e parimeve të barazisë/drejtësisë dhe do ta bëjë këtë orar publik, para fillimit të fushatës. Planifikimi i disa programeve, p.sh. debate, intervista, etj., mund të jetë produkti i konsultimeve me partitë politike.

Ky Kod Sjelljeje, është në përputhje të plotë me legjislacionin zgjedhor shqiptar. Nëse ky kod do të ketë ndonjë konflikt me masat ligjore, ligji do të mbizotërojë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›