E Hënë, 2 Nëntor 2026

“Vendimarrja, pjesëmarrja e dy sekseve e grupmoshave, anullimi i politikës”

06/06/2005  Flet Mimoza Ahmeti, mbi idenë, gratë nuk kanë nevojë për pushtetin, pushteti ka nevoj për gratë

Dhe maskilisti më i fortë, e ka të pamundur që të jetë duke folur Mimoza Ahmeti në ekran, dhe të mos e kthejë kokën për të dëgjuar ndonjë fjalë. Disa gra nuk janë politikane, por kanë ndikim në mënyrën e të menduarit të njerëzve, në krijimin e atmosferës humane deri në marrjen e një vendimi, disa gra të tjera janë në politikë, në drejtim, por nuk ndikojnë fare, thjesht i thonë OK-ay, vendimeve të burrave.

Si e shikoni rolin e gruas në vendimarrje, jo thjesht në politikë, por në ndikimin dhe rolin, që mund dhe duhet të ketë në çdo fushë, arsim, kulturë, legjislativ?

Pjesën e gruas në vendimarrje, e shikoj si një alternativë për të ndarë përgjegjësinë kolektive në të dyja grupet e sekset e shoqërisë. Ndarja e kësaj përgjegjësie, jo vetëm zbut fajin ose gabimin në një vendimarrje, (pasi çdo vendimarrje ka dozën e vet të gabimit, apo fajit), por dhe e bën më humane vetë politikën e pushtetit, cilado qoftë sfera e vendimarrjes, sepse politika sot vuan nga mungesa e humanizmit.

Sot dhe vendet më të zhvilluara, vuajnë nga maskilizmi politik. Sipas ideve post moderniste, fëmijët dhe gratë janë koloni e burrave. Janë pjesa më e pafajshme e shoqërisë, sepse reagojnë me shenja shumë natyrale. Burrat shihen si mishërimi i pushtetit dhe i konvecionit që janë pronarë të grave dhe fëmijëve të tyre, dhe me regjistër të gjendjes civile quhen kryefamiljarë.

Mendoni se gruaja shqiptare mund të ketë një rol kryesor në vendimarrje?

S’mund të çuditesha, nëse do të kërkohej dhe pjesëmarrja e fëmijëve në vendimarrjen politike, dhe kjo është fundi i politikës. Nëse e kërkojmë poltikën në pjesën e grave, ajo është më pak politike në kuptimin e fundit të saj, dhe shumë më humane në kuptimin politik.

Pjesëmarrjen e gruas, e shoh në dy aspekte, gruaja merr pamjen maskiliste të një politikani dhe kjo është rasti më i keq dhe rasti tjetër, kur gruaja zbut tiparet maskiliste të politikës. Selili nga këto raste që vepron në shoqëri, varet nga vetë klima, standartet ekonomike të një vendi. Mendoj se, politika shqiptare ka një standart të mjaftueshëm që pjesmarrja e gruas të jetë në të gjitha ato sfera që i japin dinjitetin qeverisës në shoqëri.

Çfarë do të ndikonte në uljen e abuzivitetit gjatë marrjes së një vendimi?

Pjesëmarrja e të dyjave grupeve seksuale dhe e të gjitha grupmoshave në vendimarrje, është anullimi i politikës, si një element maskilist, patriakal, si dirigjent pronë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›