E Hënë, 2 Nëntor 2026

Pushimet këtë vit, 15 për qind më lirë

06/06/2005  Plazhi i Durrësit, i gatshëm të konkurojë me plazhet e Ballkanit, për 150 mijë pushuesit që pret

DURRES – Durrësi, këtë sezon veror, ofron pushime më të lira se një vit më parë. Operatorët turistikë në Plazhin e Durrësit, kanë vendosur të afrojnë jo vetëm shërbim shumë më të kualifikuar për pushues, por edhe të konkurojnë me plazhe të vendeve fqinjë, si në cilësinë e shërbimit, në akomodim, argëtim, qetësi dhe çmime. Pikërisht, me afrimin e sezonit turistik, i cili do të hapet në fund të javës së ardhshme, të gjithë operatorët që do të presin pushuesit, do të ulin këtë vit deri në 15 për qind çmimet, krahasuar me vitin e kaluar. Shoqëritë hoteliere dhe agjensitë turistike, janë shprehur se çmimet do të jenë më të mira se në çdo plazh të Ballkanit, dhe se shërbimi po aq cilësor dhe i shpejtë sa dhe në ato vende.

Pragsezoni

Ndërsa kanë promovuar në mënyrë kolektive vlerat që afron bregdeti i Durrësit, ku pushimi në rërë do të harmonizohet me turizmin historik, arkeologjik e kulturor, shoqëritë hoteliere dhe agjensitë turistike, kanë ndërmarrë trajnime të përbashkëta për personelin.

Sipas pronarëve të hoteleve, baza e turizmit në Durrës, do të jetë turizmi patriotik, që do të thotë se, frekuentuesit më të shumtë të bregdetit, do të jenë bashkëkombësit tanë në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi.

Por, investimet publike si dhe fondet e investuara nga vetë pronarët e mjediseve të pushimit, i ka shtyrë ata të besojnë se këtë vit, do të ketë rritje të numrit të turistëve të huaj. Bashkëpunimi me agjensitë turistike, u ka dhënë mundësi që në Durrës të vinë edhe pushues nga shumë vende të Perëndimit. Gjatë kësaj kohe, kanë zbritur në këtë bregdet, grupe turistësh nga Gjermania, Japonia dhe Anglia, të cilët pritet të pasohen me grupe të tjera turistësh.

Pushuesit

Infrastruktura rrugore, përmirësimi i shërbimeve në Plazh, kryesisht në higjenë, kushtet shumë të mira të akomodimit, qetësia dhe konkurenca në çmime, kanë shtyrë operatorët privatë

të shpresojnë se viti i sivjetshëm, do të ketë deri në 50 mijë pushues më shumë se një vit më parë.

Gjatë këtij viti, Durrësi pret të ketë vetëm në zonën e Plazhit, që nis tek Ura e Dajlanit deri tek Shkëmbi i Kavajës, më shumë se 150 mijë pushues shqiptarë e të huaj, ndërsa, do të rritet frekuentimi edhe në plazhet e tjera të prefekturës së Durrësit.

Bregdeti

Në statistika, Durrësi ka gjithsej 68.1 km vijë bregdetare, por që aktualisht shfrytëzohen cilësisht 4.8 km dhe, 95 për qind e kësaj sipërfaqeje është në Plazh.

Në këtë zonë, janë ndërtuar shumë hotele, pallate dhe apartamente për pushuesit, ndërkohë që, shumë nga hotelet janë të standarteve shumë të larta.

Ofertat e Durrësit

Apartamentet pa ushqim, më të lira se hotelet

Drejtori ekzekutiv i shoqërisë së hotelierëve dhe agjensive turistike “Afërdita”, Spiro Muzha, është shprehur se pjesa më e madhe prej 80-85 për qind e pushuesve, do të vendosen në banesa familjare me qera, kurse të tjetët në hotele. Sipas tij, vetëm në Durrës, ka më shumë se 150 hotele të nivelit shumë cilësor, ndërkohë që, janë bërë shumë bashkëkohore edhe vilat, pallatet, apartamentet dhe mjediset çlodhëse.

Në qarkun e Durrësit, llogaritet se nga 200 milion dollarë që është pjesa e prodhimit të përgjithshëm bruto në sektorin e turizmit, pjesa më e madhe vjen nga Plazhi, ku ushtrojnë aktivitet rreth 2300 subjekte.

Gjatë kësaj vere mendohet se, çmimi për një pushues i akomoduar në hotel, do të variojë nga 45-50 euro në kushtet e pensionit të plotë (fjetje, mëngjes, drekë, darkë), ndërsa për fëmijët deri në 13-vjeç, do të ketë gjysmë çmimi.

Ky çmim do të lëvizë në varësi të kërkesës si dhe të kategorisë së hotelit, ndërkohë që, jo pak, do të ndikojë edhe pozicioni i dhomës.

Sipas pronarëve të hoteleve, një dhomë në buzë të rërës, me pamje dhe ballkon nga deti, do të kushtojë 7 për qind më shtrenjtë. Ndërkohë, çmime konkuruese do të ketë edhe në hotele në të djathtë të rrugës së Plazhit, por që nuk shohin nga deti.

Në të tilla hotele, mësohet se një pushues do të paguajë deri në 40 euro, kurse, edhe më të lira, do të jenë banesat familjare që presin pushues.

Vitin e kaluar, në banesa private të cilat mendohet se në zonën e Plazhit janë 4300 të tilla, çmimi ka variuar nga 10-15 euro për dhomë, pa përfshirë ushqimin. Ky çmim mësohet se do të qëndrojë si i tillë edhe këtë vit, megjithëse, nga statistikat e bashkisë mendohet që në banesa private, për përmirësimin e kushteve, janë investuar miliona dollarë nga privatët.

Shtepitë

80-85 për qind e pushuesve

në banesa familjare me qera

4300 banesa private në pritje të pushuesve

10-15 euro në natë një dhomë, pa ushqim

Hotelet

15-20 për qind e pushuesve në hotelet e bregdetit

150 hotele të nivelit shumë cilësor

45-50 euro në natë çmimi për pushues në hotele

Udhëtimet

Vizita në qendra historike e kulturore

Operatorët janë bashkuar për të afruar shërbim të përbashkët për grupe turistësh, ndërsa këtë vit, krahas aktiviteteve të shumta që do të ndërmarrë bashkia në drejtim të argëtimit të pushuesve, vetë pronarët e hoteleve kanë prenotuar autobusë dhe orare të caktuara, për vizita në Amfiteatrin e Durrësit, Muzeun Arkeologjik, Muzeun Kombëtar “Gjergj Kastrioti” në Krujë, etj.

Menuja

Produktet vendëse “me shumicë”

Përmirësime janë garantuar këtë vit, edhe në drejtim të menusë për pushues.

Sipas operatorëve privatë, Durrësi, por në tërësi plazhet e vendit tonë, kanë shumë favore krahasuar me plazhet e huaja. Spiro Muzha, drejtori i agjensisë “Afërdita”, është shprehur se produktet vendëse, duke nisur nga pijet freskuese e verërat, produktet blegtorale si mishi,qumështi, kosi, gjalpi, etj., frutat e perimet, peshku i detit, ëmbëlsirat dhe asortimentet e tjera për konsum, do të jenë prodhime vendëse dhe të kontrolluara.

Drejt përfundimit rikonstruksioni i akit Ura e Djalanit - Plepa

Rruga e re, fytyrë e re

DURRES - Më 15 qershor, në Plazh do të përurohet rikonstruksioni i plotë i rrugës në një gjatësi 4.2 km. Për të realizuar këtë investim në një vlerë 949 milion lekë, kanë afruar fonde Bashkia e Durrësit, Ministria e Turizmit si dhe pjesa tjetër nga buxheti i shtetit.

Rruga përshkon zonën më të frekuentuar nga pushuesit dhe ajo krahas disiplinimit të qarkullimit rrugor, ka zgjidhur problemin e ndotjes së mjedisit, tregjeve të pakontrolluar, ndriçimit, etj. Rruga e cila gjendet në përfundim të projektit, është e gjerë 22 metra dhe çdo sens ka dy korsi kalimi dhe një parkimi. Në mes, rruga ka ndarës, ku është vendosur ndriçimi rrugor si dhe, pemë me gjelbërim të përhershëm, ku mbizotëron palma. Po ashtu, në dy anët e rrugës janë ndërtuar trotuare me gjerësi 1.5 m dhe ndriçues e pemë dekorative, ndërkohë që paralelisht me rrugën, nga Ura e Dajlanit deri tek “Iliria”, me një gjatësi 3 km, është ndërtuar shëtitorja bregdetare buzë rërës me pllaka e ndriçim.

Projekti i ka kushtuar pjesë të tij edhe rrugëve dytësore, me një gjatësi 2 km, po ashtu, për të kontrolluar trafikun dhe lehtësuar kalimin e pushuesve nga njëra anë në tjetrën, në 8 pika do të vendosen semaforë.

Investimet kanë përfshirë edhe shtrimin e linjës së energjisë elektrike 20 kilovat, rehabilitimit të rrjetit kanalizues të ujrave të zeza dhe ndërtimit të 1.5 km kolektor të ri.

Në anë të Plazhit, ku janë sistemuar pjesa më e madhe e hoteleve, restoranteve, vilave dhe lokaleve të argëtimit, është zgjidhur problemi i ujit të pijshëm pas shtrirjes të rrjetit të ri.

Det e rërë e pastër, ujë, dushe dhe siguri nga shërbimi komunal

Për pushuesit edhe tualete portative

DURRES - Drejtoria e shërbimit komunal në Plazh, ka përpiluar programin e saj për sezonin turistik. Drejtori i ndërmarrjes, Astrit Kotja, ka deklaruar se, janë vënë në shërbim të gjitha mjetet për largimin e mbetjeve urbane e inerte, dhe se ka nisur pastrimin e plazhit nga leshteriku. Para se të nisë sezoni, rëra do të kalojë plugimin e thellë dhe në çdo dy javë, ajo dë të frezohet.

Kjo ndërmarrje është paisur me makineri për dizinfektimin e mikrobeve dhe insekteve, dhe në mënyrë periodike, të gjithë kazanëve të mbeturinave, rërës, vilave, gropave septike, kabinava, mjediseve të përbashkëta urbane.

Drejtori Kotja, ka pohuar se ndryshe nga vitet e tjera, ujrat e zeza nuk do të derdhen më në det, pasi është ndërtuar kolektori i ri dhe se, do të vendosen për herë të parë banjo dyshe publike. Kështu, nga Italia, do të vinë 8 grupe banjo e dushe portative dhe secila nga këto grupe do të ketë nga 4 nyje sanitare për burra dhe po aq për gra, si dhe në dy krahë dushe, ndërkohë që ato do të pastrohen çdo ditë.

Gjithashtu, 100 kazanë të rinj do të shtohen përgjatë plazhit, pa përfshirë një numër tjetër përgjatë rërës për grumbullimin e mbeturinave urbane. Vetë kjo ndërmarrje do të lëshojë në det 3-4 varka shpëtimi me motor për gatishmëri dhe disa skuadra vëzhgimi për ndihmë të shpejtë.

Gjithashtu, një javë para se në Durrës të vinë pushuesit e parë, do të përfundojë së shtriri edhe tubi 200 mm dhe tubi 300 mm për ujin e pijshëm në të djathtë të rrugës së Plazhit, kryesisht për hotelet e restorantet, ndërkohë që, në mënyrë të ndjeshme, është deklaruar se do të përmirësohet edhe furnizimi me ujë i banesave dhe apartamenteve të gatshme, për të pritur pushuesit.

Ndërkohë, mësohet se edhe shëndetësia ka shtuar numrin e bluzave të bardha në qendrën shëndetësore të Plazhit, si dhe dy autoambulanca do të jenë të përqendruara në këtë zonë.

Policia garanton rend e qetësi

Pak me uniformë blu, policët civilë kudo

DURRES - Policia e Durrësit, ka përfunduar të gjithë planin për përballimin e sezonit turistik si dhe të fushatës së zgjedhjeve parlamentare.

Kyekomisar Muharrem Bardhoci, ka deklaruar për gazetën se strukturat policore kanë evidentuar të gjitha plazhet që frekuentohen në qarkun e Durrësit, ku do të vendosen uniformat blu, për të ruajtur rendin dhe qetësinë publike, përmes patrullimeve gjatë bregdetit. Bardhoci, është shprehur se patrullime do të ketë edhe në det, me skafe të policisë, ku do të vendosen edhe bova për të sinjalizuar zonën, deri ku mund të lahen pushuesit dhe zonën deri ku mund të lundrojnë skafet private dhe mjetet e tjera argëtuese.

Strukturat e policisë kanë përgatitur fletë palosje me numra telefoni të shërbimit të policisë si dhe të dhëna të tjera, ndërsa rrugorët do të patrullojnë të gjitha akset. Masa lehtësuese do të ketë edhe në sheshin e trageteve, ku do të hapen sportele shtesë për përpunimin e pushuesve dhe turistëve që vinë nga Perëndimi përmes trageteve dhe se, dokumentacioni do të kontrollohet në tragete gjatë lundrimi.

Zyrtarisht, është deklaruar se për efektivat blu, të cilët do të mbështeten edhe nga kolegë të tyre nga rrethet, si dhe forca speciale dhe agjentë civilë, nuk do të ketë pushime, deri në përmbylljen e të dy fushatave. Bardhoci, ka pohuar se çdo punonjës policie ka marrë detyrat përkatëse dhe efektivat i janë nënshtruar kualifikimeve profesionale, por edhe leksioneve për kodin e etikës.

Policia ka marrë masa, që efektivat shtesë të kenë ambiente të përshtatshme për akomodimin e tyre, ndërsa është përmirësuar edhe infrastruktura e ndërlidhjes dhe komunikimit.

Plazhi i Durrësit, i cili fillon tek Ura e Dajlanit dhe përfundon në Plepa, këtë vit është ndarë në tre nënzona, në të cilat janë vendosur oficerë të specializuar të policisë, të cilët do të drejtojnë minipostat e policisë që janë krijuar në këtë rast. Hotelet, motelet, restorantet, baret, vendet e argëtimit në orët e natës, mjediset e parkimit të autobusëve dhe autoveturave, rrugët e sheshet si dhe shëtitorja bregdetare, do të jetë nën survejim të vazhdueshëm nga agjentët e antikrimit.

Kryekomisari i Durrësit, Muharrem Bardhoci, ka thënë se me operatorët turistikë, pronarët e lokaleve, dhe me strukturat shtetërore, është biseduar për të shkëmbyer në kohë, çdo informacion që lidhet me garantimin e rendit dhe qetësisë. Ajo që ka deklaruar Bardhoci, është edhe fakti se prania e uniformave blu do të jetë e paktë pasi, organizimi synon që vëmendja e qytetarëve të mos tërhiqet, duke u shprehur se civilë të policisë do të jenë të gjithë të pranishëm. Një qendër zëri do të vendoset tek stacioni “Iliria”, dhe një tjetër tek Shkëmbi i Kavajës, për të sinjalizuar sipas rastit pushuesit, për largimin e fëmijëve, rregullimin e trafikut dhe shërbime të tjera. Drejtoria e Policisë së Durrësit, garanton se gjatë sezonit turistik, do të garantohet plotësisht jeta e pushuesve, qetësia dhe rendi. Strukturat policore kanë bërë edhe evidentimin e të gjitha ambienteve argëtuese si disco, pub-e, restoranteve, ambienteve me muzikë live, me pronarët e të cilëve janë vendosur kontakte.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›