INTERVISTA/ Edi Rama: E drejta jonë kushtetuese për të hetuar zgjedhjetNga Vizion PlusZoti Rama, sapo keni përfunduar bisedimet me presidentin Topi, kësaj radhe në formatin veçmas me Partinë Demokratike dhe veçmas me Partinë Socialiste. Mund të themi
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
INTERVISTA/ Edi Rama: E drejta jonë kushtetuese për të hetuar zgjedhjetNga Vizion PlusZoti Rama, sapo keni përfunduar bisedimet me presidentin Topi, kësaj radhe në formatin veçmas me Partinë Demokratike dhe veçmas me Partinë Socialiste. Mund të themi që u arrit diçka?
Ne jemi në përpjekjen e vazhdueshme për të arritur diçka dhe diçkaja është gjithçka që lidhet me hetimin parlamentar, i cili nuk mund të kufizohet në objektin e tij.
Çfarë biseduat sot për shembull?
Nuk jam i autorizuar të flas për atë që bisedojmë në tryezë.
Po mund të themi deri ku kanë shkuar negociatat, a mund të konsidersojmë që është bërë një hap përpara?
Ka pasur një prononcim të Kryetarit të Asamblesë së Partisë Socialiste dhe bashkëpunëtorit tim të afërt, i cili është prononcimi ynë zyrtar.
Fillimisht kur njoftimi i presidencës doli që do të kishte një tryezë, Topi nisi takimet veçmas dhe më pas erdhi tryeza. Jemi përsëri në takime veçmas. Hap prapa apo thjesht modalitet?
Ky është një proces që është udhëhequr nga presidenti dhe le ta lëmë presidentin ta çojë përpara këtë proces sipas modaliteteve dhe pikëpamjeve të përcaktuara nga ai.
Të paktën në aspektin e formës, a mund të themi se si do të arrihet kompromisi nëse do të ketë të tillë?
Është shumë e thjeshtë. Partia Socialiste nuk ka një kërkesë. PS dhe opozita shqiptare, aleatët tanë tradicionalë dhe aleatët tanë të rinj kërkojnë një të drejtë. Një të drejtë e cila nuk mund të transformohet në një mall për negocim. Është një e drejtë që buron nga Kushtetuta, është një e drejtë që buron nga ligji. Është një e drejtë që buron edhe nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës, bazuar në faktin se zgjedhjet e 28 qershorit duhet të hetohen, një komision parlamentar duhet të ngrihet dhe siç është e shkruar në Kushtetutë siç është e shkruar në Kushtetutë dhe siç është e interpretuar nga Gjykata Kushtetuese në lidhje me hetimin parlamentar. E drejta jona është e qartë si drita e diellit dhe po aq e paprekshme.
A mund të flasim në kushtet tuaja për një kërkesë maksimaliste dhe një minimaliste me hapësirë në mes, apo kutitë janë fjalëkyçi i këtij puzzle politik shqiptar?
Unë besoj se të drejtat dhe liritë kushtetuese janë të sanksionuara dhe janë të patransformueshme në liritë dhe të drejtat që mund të quhen maksimale, apo që mund të bëhen minimale. Siç thonë nga anët tona të përbashkët: Një grua është shtatzënë apo nuk është shtatzënë.
Në këtë rast?
Dhe në këtë rast e drejta Kushtetuese është e qartë, e sanksionuar në nenin 77 të Kushtetutës dhe interpretimi i kësaj të drejte nuk i lejohet as Partisë Socialiste dhe as Partisë Demokratike, sepse është bërë nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë, që e ka përcaktuar shumë qartë se çfarë përfshin një hetim parlamentar. Dhe në rast se ju i referoheni interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, gjeni të gjithë motivacionin e hetimi parlamentar që kërkojmë.
A mund t’i ridrejtoheni ju si opozitë Gjykatës Kushtetuese? Kryeministri Berisha ka thënë që në fakt çështja e kutive që zoti Rama kërkon është një çështje që nuk e ka me mua. Për pasojë nuk e ka me mazhorancën, por me gjykatat e vendit. Nëse ju e keni me politikën, cili është argumenti për këtë?
Le ta themi, kryeministri Berisha është i fundit në këtë vend që mund të flasë për gjykata dhe që mund të pretendojë se kupton drejt Kushtetutën dhe ligjet, sepse është shkelësi i përsëritur i Kushtetutës, jo njëherë, dy herë, tre herë, por plot 20 herë. Dhe lejomeni të them se Gjykata Kushtetuese nuk është një kioskë, të cilës mund t’i drejtohemi sa herë të duam për një interpretim që ajo e ka bërë njëherë, dhe në rast se ka një interpretim të interpretimit atëherë ka vetëm abuzim me të drejtën kushtetuese.
Zoti Rama, nëse negociatat dështojnë, cili është skenari juaj?
Ne nuk kemi një skenar, ne kemi një rrugë të bërë, të qartë për të gjithë. Rruga për të vendosur në vend një të drejtë dhe një liri që janë një e drejtë dhe një liri, e cila nuk mund të lëshohet, dhe nga e cila nuk mund të hiqet dorë pa një betejë, të paktën. Dhe kjo është një betejë që nuk do të ndalet, e prandaj unë e përsëris që pala tjetër, dhe posaçërisht Sali Berisha, duhet ta zgjidhë për sa kohë e ka në dorë, pasi nuk do ta ketë në dorë pafundësisht.
A do të tërhiqni ju përfaqësuesit nga institucionet, siç keni deklaruar për Këshillin Kombëtar të Radio- Televizionit?
Nuk ka asnjë çudi që kjo të ndodhë, madje mund të kishte ndodhur kohë më parë, sepse Radio Televizioni Publik është një institucion tanimë i shpërdoruar deri në shpërfytyrim të plotë.
Ka zëra që në rast moszgjidhje të kësaj krize, opozita po mendon moshyrjen në zgjedhjet lokale të vitit 2011. Sa mundësi ka që të ndodhë kjo?
Qarkullojnë shumë zëra në këtë kohë, sepse ka shumë burime të interesuara për të shpërndarë tym dhe për të mjegulluar rrugën tonë të drejtë, të qartë, të pastër dhe të bërë publike.
Si e shihni paralajmërimin e mazhorancës për djegie mandatesh?
Ky është kërcënimi i atyre që e kanë humbur këtë betejë moralisht, dhe që ju siguroj se nëse nuk do të bëjmë pjesë të zgjidhjes, do ta humbasin atë në të gjitha kuptimet.
Nga ana tjetër, një grup i quajtur LMN, ka deklaruar se do të hyjë në parlament. Si e shikoni një qëndrim të dubluar të opozitës, të përçarë, apo pavarësisht nga termi që gjejmë?
Thjesht nuk shikoj ndonjë lëvizje për mendim ndryshe, dhe jam fare i qartë, ashtu siç është e qartë e gjithë Partia Socialiste, se në këtë betejë kush është me Partinë Socialiste, është me Partinë Socialiste, dhe kush nuk është me Partinë Socialiste, nuk është me Partinë Socialiste.
Sa do të prisni që t’i quani negociatat, në mos të dështuara, të pafrytshme, dhe të nisni protestat, siç kërkuan disa nga aletatët tuaj?
Jo gjatë.
***
UPDATE- Palët kanë riafirmuar qëndrimet e tyre të kundërta, pas takimeve që kanë pasur me presidentin e shtetit. Edi Rama ka deklaruar se do kërkohet zbardhja e plotë e zgjedhjeve, ndërsa kryeministri Sali Berisha tha se është i hapur për të zgjidhur të gjitha problemet bilaterale, duke nënkuptuar sërish se nuk flitet për hapje kutish. Pas takimit, kreu i Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi tha se nuk u është paraqitur një platformë nga ana e presidentit Topi. Ky i fundit ka deklaruar përmes një njoftimi për shtyp se takimet janë në vijimësi të tryezës politike të së shtunës për të gjetur pika të përbashkëta mes opozitës dhe mazhorancës. Presidenti niset për një vizitë në Kroaci, ku do marrë pjesë në inaugurimin e homologut Ivo Josipoviç.
Ndërkohë pritet që me datë 22 shkurt në vendin tonë të mbërrijë një delegacion i lartë i Këshillit të Europës. Delegacioni pritet të zhvillojë një tryezë me partitë politike.
***
Presidenti Bamir Topi ka vijuar sot takime në kuadër të zgjidhjes së krizës që ka mbërthyer vendin. Ai është takuar me diplomatë të Bashkimit Europian, atë të KE, Helmut Lohan, dhe atë të vendit që mban presidencën e BE, Spanjës, Manuel Montobio. Më pas Topi ka pritur kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama që shoqërohej nga kryetari i Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi. Ky i fundit ka deklaruar se socialistët kërkojnë hetimin e plotë, si një kërkesë kushtetuese. Pak më herët, socialistët kanë sqaruar përmes deputetit Saimir Tahiri se përse është kushtetuese kërkesa e tyre.
“Partia Socialiste i kërkon Kryeministrit dhe maxhorancës të na lejojë të zbatojmë Kushtetutën, ligjin, rregulloren e parlamentit e madje edhe vetë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ku parashikohet e drejta jonë për të hetuar nëpërmjet një komisioni parlamentar për arsye se:
1. Parlamenti është institucioni i vetëm me atributin kushtetues për të shqyrtuar zbatimin korrekt të legjislacionit (në ktë rast zgjedhor), evidentimin e parregullsive, identifikimin e përgjegjësive administrarive dhe institucionale, si dhe ndërmarrjen e iniciativave ligjore për parandalimin e përsëritjes së zgjedhjeve të manipuluara në të ardhmen.
2. Pushteti i opozitës për të hetuar nëpërmjet komisionit parlamentar është institucionalizuar si kompetencë kushtetuese, duke detyruar maxhorancën të mos ia nënshtrojë diskutimit dhe votimit parlamentar nismën e opozitës.
3. Pavarësia dhe liria e hetimit përtej çdo kufizimi të imponuar nga vullneti i shumicës parlamentare, janë parime kushtetuese të afirmuara pikërisht për t’i garantuar opozitës hetim të plotë e të pakushtëzuar.
4. Përcaktimi i objektit të hetimit është një e drejtë që disponohet nga opozita, duke kufizuar thellësisht kompetencën e shumicës për të ndryshuar këtë objekt pa pëlqimin e saj.
5. Komisioni hetimor që kërkojmë, nuk ka për qëllim e objekt, të rishqyrtojë vendimin e Kolegjit Zgjedhor dhe as të hetojë, vlerësojë apo komentojë mënyrën se si gjykata ka arritur në atë përfundim.
6. Kufizimi i objektit të hetimit deri në atë masë sa të bëjë të pamundur kryerjen e veprimtarisë hetimore të komisionit, është ndaluar në mënyrë absolute nga Kushtetuta dhe vendimet e Gjykatës Kshtetuese, që do të thotë se në rastin konkret, hetimi pa hapur kutitë, është një kufizim i tepruar i atributit kushtetues të opozitës, pra një kufizim jo kushtetues.
7. Kufizimi i mjeteve dhe instrumentave hetimore, përzgjedhja e tyre me diktatin e maxhorancës, ndalimi i disave (siç janë kutitë, fletët e votimit, listat dhe materialet zgjedhore) si dhe lejimi i disa të tjerave (dokumentacin për përdorimin e buxhetit, financave publike, përdorimit të aseteve publike, administratës shtetërore, të dënuarve, etj) përbën shkelje të kushtetutës, parimeve të shtetit të së drejtës, ndarjes dhe balancimit të pushteteve, funksionit kontrollues të parlamentit, si dhe cënon në thelb demokracinë parlamentare në vend,” tha Tahiri.