Spartak Braho: Ju i keni hedhur prokurorisë një litar në qafë
08/12/2004 Ministria e Financave duhet të shikojë mirë fondin e pagave dhe paratë që vë në dispozicion të këtyre institucioneve, sepse, kjo në shumë raste mund të cënojë pavarësinë e tyre. Kështu nuk mund të mendohet që një institucion si Prokuroria të ketë borxh 15 milionë lekë vetëm nga pagat. Ky është një problem që kërkon zgjidhje të menjëhershme, sepse nuk mund të lihet që Prokuroria të mbetet borxh te shteti me një faturë të tillë, që nuk është gjë tjetër, vetëm se një litar i varur në qafën e Prokurorisë. Nëse ju do të vazhdoni me këtë gjendje, mund të thuhet shumë mirë se i keni lidhur një litar në qafë dhe po e tërhiqni zvarrë Prokurorinë. Për të zgjidhur këtë çështje mund të mendohet fare mirë hartimi i një metodologjie, që të përcaktojë qartë se kush është niveli i pagave, numri i punonjësve ose nevojat që kanë institucionet si Prokuroria apo institucione të tjera, dhe të jetë një lloj drafti që duhet të merret parasysh nga Ministria e Financave, sa herë që hartohet buxheti. Kështu nuk do të kemi probleme, edhe pse kjo zgjidhje mund të shërbejë për vitet e tjera, sepse për këtë vit jemi me shumë vonesë dhe nuk premton koha, sepse buxheti do të kalojë në Parlament, kështu mbetet për t’u zgjidhur me diskutime në komisione.