Raporti i KLSH-së për 9-mujorin: U shpërdoruan 37 milionë dollarë
08/12/2004 Rreth 3.7 miliardë ose rreth 37 milionë dollarë është vlera e abuzimit me paratë e shtetit, vetëm gjatë 9 muajve të parë të vitit. Sipas raportit të KLSH-së, “nga kontrollet e ushtruar janë zbuluar shkelje dhe parregullsi financiare për të ardhurat në Buxhetin e Shtetit dhe për shpenzimet me fondet buxhetore me dëm efektiv të përgjithshëm, në shumën totale prej 3.771 miliardë lekë. Tatimet dhe doganat mbajnë rekodrdin e abuzimeve. Sipas KLSH-së, të ardhurat e humbura nga këto institucione janë respektivisht 332.2 milionë lekë nga tatimet dhe 226.3 milionë lekë nga doganat. Këto, pra, janë abuzime me fondet e shtetit. Këtu nuk përfshihen “zërat e shumtë“ të korrupsionit apo ryshfeteve. Dëme prej 52 milionë lekësh janë bërë nga njerëzit që administrojnë pronën shtetërore. Këto kanë dalë mangut, apo nuk janë justifikuar nga ekonomistët që japin me qira apo shesin pronën shtetërore. Rreth 369.9 milionë lekë, administrata shqiptare i ka marrë shpërblim. Ky shpërblim, sipas KLSH-së është i “pamerituar“. Si gjithmonë tenderat dhe prokurimet do të ngelin mënyra më e mirë për të fituar para. Shkeljet në procedurat ligjore, që sjellin edhe përfitimet për ata që drejtojnë tenderat, sipas KLSH-së janë rreth 140 milionë lekë. Ndërsa abuzimet në zërin “të tjera“, janë rreth 2.6 miliardë lekë.