E Shtunë, 31 Tetor 2026

INUK akuzon bashkinë për ndërtimet pa leje

29/03/2011  Inspektorati vendor nuk ka vepruar në zonën e ish-Kënetës, janë ndërtuar shumë objekte

DURRES- Inspektorati Ndërtimor dhe Urbanistik Kombëtar (INUK) ka akuzuar Bashkinë e Durrësit se nuk ka ndërhyrë për parandalimin e ndërtimeve të reja që janë bërë pa leje, si dhe zbatimin e vendimeve për prishjen e atyre që janë evidentuar. Inspektori i INUK-së për degën e Durrësit, Albin Gega, është shprehur se: “Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor i Bashkisë së Durrësit nuk ka kryer detyrat funksionale duke mos kryer me veprime ose mosveprime detyrimin ligjor për ushtrimin e përgjegjësisë në kontrollin e territorit sipas ligjit “Për inspektimin e ndërtimit”, nr 9780, datë 16.07.2007”.

Inspektimi

Akuza që drejtohet nga inspektorët e INUK-së drejt atyre në nivel vendor dhe që janë në varësi të Bashkisë së Durrësit, ka ardhur pas inspektimeve që kanë bërë në terren të dyja palët. Gjithmonë, sipas Albin Gegës, në katër ditë verifikime në terren që janë bërë në të dyja anët e rrugës së ish-Kënetës, janë konstatuar shumë ndërtime pa leje, por për 13 ndërtime kanë rënë dakord edhe inspektorët në nivel qendror, edhe ata në nivel vendor. Ndërtimet në fjalë janë nga një deri në katër kate dhe që nga momenti që është bërë konstatimi i tyre, Inspektorati Ndërtimor Urbanistik Vendor (INUV) i Bashkisë së Durrësit, nuk ka ndërmarrë asnjë veprim për pezullimin e punimeve, apo shembjen e tyre. Inspektori Gega ka shtuar se në bazë të ligjit “Për inspektimin e ndërtimit”, i cili ka ndryshuar në nenin 4 të tij, pika “a” thuhet se: “pranë çdo bashkie apo komune ngrihet Inspektorati Ndërtimor Urbanistik, i cili nëpërmjet kryeinspektorit dhe inspektorëve ushtron përgjegjësinë e kontrollit dhe zbatimit të ligjshmërisë e të standardeve teknike në fushën e ndërtimit, urbanistikës, si dhe ato të parashikuara shprehimisht në ligje të tjera brenda territorit që ka në administrim bashkia apo komuna”. Në lidhje me deklarimin e inspektorit të INUK-së Albin Gega, nuk ka pasur ndonjë reagim konkret nga inspektorati vendor, por interesimit të medias për këtë problem kreu i këtij inspektorati i është përgjigjur se “nuk ka mbërritur asnjë shkresë zyrtare nga INUK për problemin e ndërtimeve pa leje në zonën e ish-Kënetës”. Përmirësimi i infrastrukturës në përgjithësi për zonën e ish-Kënetës dhe sidomos ndërtimi i rrugës së re që lidh qytetin e Durrësit me autostradën Durrës-Tiranë tek mbikalimi i Shkozetit, ka bërë që përgjatë kësaj rruge, në të dyja anët e saj, të hapen një numër i madh biznesesh të llojeve të ndryshme. Nga ana tjetër lulëzimi i bizneseve në këtë zonë ka bërë që krahas objekteve që u shembën për të bërë të mundur ndërtimin e rrugës së re, në këtë zonë të ngrihen ndërtime të reja, të cilat janë pa leje. Ngritja e këtyre ndërtimeve në një periudhë kur ka filluar fushata elektorale, ka bërë që pronarët e këtyre ndërtimeve të besojnë se nuk do të ketë penalizime për ta, por burime nga ALUIZNI dhe INUK, kanë deklaruar prerë se ndërtimet pa leje të bëra pas fotografimit ajror që u kërkua për procesin e legalizimit nuk kanë asnjë shpresë për legalizimin, duke shtuar se ato do të shemben

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›