E Shtunë, 31 Tetor 2026

Thesari-Bashkia e Fierit, përplasje institucionesh

29/03/2011  Bashkia akuza për bllokimin e faturave me urdhër politik

Kreu i Thesarit Mehoniqi: Respektojmë ligjin, kemi kaluar me radhë

FIER- “Thesari- një kukull e Ministrisë së Financave". I kësaj ideje mbetet kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj. Sipas këtij të fundit, marrëdhëniet mes këtyre dy institucioneve janë përkeqësuar ndjeshëm si rezultat i një ngërçi financiar të krijuar kohët e fundit, i cili nuk po merr zgjidhje. "Kam bërë disa herë debate me përfaqësuesit e degës së Thesarit. Për mua këta njerëz po bëjnë të pafajshmin duke u qarë se nuk kanë çtë bëjnë, nuk kanë asgjë në dorë, nuk kanë asnjë mundësi, se ska asnjë hapësirë, duke u bërë kështu kukulla në duart e Ministrisë së Financave dhe qeverisë", -ka thënë ndër të tjera Zeqaj. Ai ka deklaruar se tashmë u bë më shumë se dy muaj që dega e Thesarit në Fier nuk kalon asgjë tjetër veç pagave dhe sigurimeve shoqërore të administratës së bashkisë, duke lënë pa shpenzime operative këtë institucion, çka, sipas Zeqaj, ka pezulluar shumë pagesa për shërbimet që i janë bërë qytetit në shumë fusha. Ndërkohë, kryebashkiaku nuk ka nguruar të thotë se ky ngërç mes Bashkisë dhe degës së Thesarit ka një prapavijë politike. E ndërsa kreu i bashkisë hedh akuza të tilla për degën e Thesarit, kryetari i degës së Thesarit, Isuf Mehoniqi, ka deklaruar se të gjitha faturat e çuara nga bashkia kanë kaluar, ndërsa shton se ky institucion respekton ligjin. “Hedh poshtë të gjitha akuzat e bëra nga kryetari i bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj dhe ju sqaroj ju se çdo faturë që ka ardhur nga bashkia ka kaluar. Ka një klauzolë që në rastet e mosmiratimit të buxhetit, punohet me një të dymbëdhjetën dhe ne e kemi respektuar çdo pjesë ligjore”, ka deklaruar Mehoniqi. A. D

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›