IOM, 15 vite aktivitet në Shqipëri për migrimin dhe trafikun
• Dje në ditën ndërkombëtare të emigrantëve IOM (Organizata Ndërkombëtare e Migracionit) ka mbushur plot 15 vite të ushtrimit të aktivitetit të saj në vendin tonë.Me këtë rast, IOM organizoi një aktivitet që ofroi mundësi të reflektimit mbi fazat e ndryshme të migracionit shqiptar. Veç kësaj janë diskutuar edhe sfidat që paraqiten për të ardhmen. Shefja e Misionit të IOM-it në Shqipëri, znj. Nicoletta Giordano, ka mbajtur dje fjalën e rastit në prani të zyrtarëve të lartë të qeverisë shqiptare, përfaqësuesve të organizatave ndërkombëtare dhe donatorëve. Në këtë aktivitet është inauguruar ekspozita fotografike "Vështrim mbi migracionin shqiptar", e realizuar në bashkëpunim me Institutin e Diasporës, Ministrinë e Jashtme. Në këtë ekspozitë janë paraqitur foto të zgjedhura të fotografit të mirënjohur shqiptar, Roland Tasho. Gjithashtu në këtë aktivitet u promovua dhe botimi në gjuhën shqipe i Fjalorthit të Terminologjisë Migratore dhe ai i manualit për ndihmën e drejtpërdrejtë për viktimat e trafikimit. Këto materiale janë të vlefshme për ekspertët e migracionit dhe praktikuesit. Shoqata e Grave dhe Vajzave shqiptare ka marrë pjesë nëpërmjet prezantimit të punimeve të dorës, ndërsa shkolla e Kamzës, si përfaqësuese e një zone të prekur nga migracioni i brendshëm, ashtu dhe nga ai ndërkombëtar, solli krijime letrare e vizatime mbi temën e emigracionit. Globalb, në kuadër të iniciativës "The Ëork Globally", e iniciuar nga një grup emigrantësh shqiptarë në Londër, mundësoi lidhjen me anë të sistemit të videokonferencës me ambasadorin Zef Mazi në Londër, i cili përshëndeti të pranishmit. "Globalb" prezantoi dhe projektin e ri, që synon lehtësimin e shërbimeve mes emigrantëve dhe Shqipërisë, si import-eksportet, shërbime bankare, informacion apo turizëm.