E Shtunë, 31 Tetor 2026

IPKO: Mos bini pre e mashtrimeve

Nga Express më 10 shtator 2011 në ora 19:43

Telefonia mobile IPKO kërkon nga qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve që mund të bëhen në emër të kësaj kompanie, pas disa keqpërdorimeve të bëra në emër të IPKO-s nga individë të pandërgjegjshëm, ndërsa bën të ditur se rrjeti mobil i saj është i shtrirë në gjithë Kosovën.

Policia e Kosovës ka njoftuar se kohën e fundit kanë ndodhur dy mashtrime në emër të kompanisë IPKO, nga të cilat disa qytetarë janë dëmtuar financiarisht, thuhet në komunikatën e IPKO-së.

Sipas Drejtorisë së Policisë së Kosovës për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, individë të papërgjegjshëm të cilët janë prezantuar si përfaqësues zyrtar të kompanisë IPKO, kanë pretenduar se janë përgjegjës për dhënien e qerasë për vendosjen e stacioneve bazë të telefonisë mobile IPKO në pronat private të qytetarëve.

Si pasojë e këtyre aktiviteteve të rrejshme në emër të kompanisë IPKO, disa qytetarë janë mashtruar nga keqbërës të njohur për organet e rendit dhe sigurisë në Kosovë, ndërsa të njëjtit janë dëmtuar financiarisht pasi që kanë paguar shuma të caktuara parash për dhënien me qira të pronave të tyre private.

“Telefonia mobile IPKO ka ndërtuar rrjetin i cili mbulon me sinjal të telefonisë mobile 99.7 për qind të popullsisë në Kosovë, përkatësisht 98.5 për qind të territorit, dhe kjo nënkupton që instalime të reja të stacioneve bazë të telefonisë mobile të IPKO-s tani ndodhin shumë më rrallë. Ne apelojmë tek qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve nga individ të papërgjegjshëm, të cilët e keqpërdorin emrin e kompanisë tonë”, ka thënë Alban Kastrati, drejtues i marrëdhënieve me publikun në IPKO.

Edhe në rastet të kërkesave për marrjen e pronave private me qira për vendosjen e stacioneve bazë, kompania e vetme e autorizuar nga telefonia mobile IPKO është kompania B & H.

Në rast të kërkesës për lëshimin e pronës private me qira, kompania IPKO nuk kërkon asnjë shumë parash nga qira-dhënësi, si kusht për vendosjen e një stacioni bazë në pronën e caktuar.

Duke shprehur keqardhje për të gjithë qytetarët që janë dëmtuar nga ata që e kanë keqpërdorur emrin e kompanisë IPKO për të përfituar në mënyrë jo-ligjore, kompania telekomunikuese IPKO porosit të gjithë qytetarët që për kontakt zyrtar të thërrasin në IPKO Qendrën e Thirrjeve dhe Kujdesit Konsumator, apo të shkruajnë në adresën info@ipko.com.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›