E Diel, 1 Nëntor 2026

Pneumokoku, vaksinimi i fëmijëve fillon më 1 mars

Vaksinimi me vaksinën ndaj pneumokokut që mbron fëmijët nga infeksionet respiratore dhe pneumonitë do të fillojë më 1 mars 2011. Lajmi bëhet i ditur zyrtarisht nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), specialistët e të cilit sqarojnë se vaksina aplikohet në moshën 2, 4 dhe 6 muaj dhe ajo do të ofrohet falas për të gjithë fëmijët që kanë lindur nga data 1 janar e vitit 2011. Sipas ISHP-së, vaksina e cila ka kushtuar 1 900 657 milionë dollarë është shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore që ofrojnë vaksinim në të gjithë vendin dhe është shoqëruar edhe me një investim madhor në drejtim të zinxhirit të ftohtë që siguron efikasitetin e vaksinës. Sipas specialistëve të Departamentit të Kontrollit të Sëmundjeve Infektive në ISHP, infeksionet respiratore dhe pneumonitë te fëmijët janë një problem madhor i shëndetit publik në Shqipëri. Ato vazhdojnë të mbetën një shkak kryesor i vdekshmërisë dhe sëmundshmërisë fëminore, e sidomos asaj nën 1 vjeç. Sëmundja e pneumonisë, e cila shkaktohet nga bakteri Streptococus pneumoniae, i njohur si pneumokoku, është një sëmundje mjaft e shpeshtë që shkakton vdekje te fëmijët nën 5 vjeç, në të gjithë botën, dhe që sot mund të parandalohet nga vaksinat. Specialistët shpjegojnë se pneumokoku shkakton infeksione mjaft të rënda te fëmijët si: pneumonia, meningiti dhe sepsisi dhe vret më shumë se gjysmë milioni fëmijë nën 5 vjeç në të gjithë botën. Fëmijët deri 1 vjeç janë mjaft të ndjeshëm ndaj këtyre infeksioneve. Por më tepër rrezikohen fëmijët që vuajnë nga kequshqyerja, ata që lindin nën peshë, fëmijët që jetojnë me HIV/AIDS, ata që nuk ushqehen me gji, apo fëmijët me probleme të anemive, por vaksina ndaj pneumokokut i mbron të gjithë fëmijët nga infeksionet e rënda. Më tej, specialistët e ISHP-së shpjegojnë se infeksionet invazive të rënda nga pneumokoku janë shpesh menjëherë fatale, pavarësisht trajtimit të menjëhershëm dhe adekuat. “Vaksina merr një rëndësi të veçantë, sidomos nga evidentimi i rezistencës ndaj antibiotikëve dhe pneumonisë nga pneumokoku si komplikacion i shpeshtë i gripit. Futja e vaksinës së konjuguar 10 valente ndaj shtameve kryesore qarkullues të pneumokokut do t’i mbrojë fëmijët jo vetëm nga pneumonia, por edhe nga meningjiti, i cili lë mjaft pasoja apo edhe sëmundje të tjera të rënda, të shkaktuara nga bakteri i pneumokokut”, - shpjegojnë specialistët e shëndetit publik. Njëkohësisht, sipas tyre, pesha ekonomike dhe sociale e shkaktuar nga infeksionet pneumokoksike është e rëndësishme për familjet, por edhe një kosto për sistemin shëndetësor në rang kombëtar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›