E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lojërat e fatit pa licencë, në sitën e tatimorëve

>Lojërat e fatit të palicencuara do të bien në sitën e kontrollorëve të tatim-taksave.   
Tashmë ka nisur aksioni për konfiskimin e mjeteve elektronike të përdorura për aktivitet të paligjshëm nga subjektet e Lojërave të Fatit. Sipas burimeve zyrtare të Ministrisë së Financave, një gjë e tillë është mundësuar vetëm pak ditë pasi ka hyrë në fuqi ligji i ri Për Lojërat e Fatit. Drejtori i Njësisë së Mbikqyrjes së Lojërave të Fatit, Shkëlqim Hoxha, tha se po veprohet me tolerancë zero ndaj kujtdo personi apo subjekti, i cili nuk paguan taksat dhe vepron në kundërshtim me ligjin. Nga kontrollet e ushtruara në të gjithë vendin ekzistojnë rreth 1500 adresa, në të cilat zhvillohet aktiviteti i lojërave të fatit dhe në rreth 400 prej tyre ushtrohet aktivitet i paligjshëm. Të dhënat tregojnë se vetëm 22 subjekte janë të licencuara në kategorinë kazino elektronike, 18 subjekte si baste sportive, 10 subjekte si bingo, 1 subjekt i licencuar si kazino dhe 4 subjekte në kategoritë e tjera. Ndërkaq, Hoxha konfirmoi se ndërhyrja e Njësisë së drejtuar prej tij do të shtrihet së shpejti në të gjithë vendin, duke garantuar kështu konkurrencën e ndershme në tregun e lojërave të fatit dhe duke krijuar kushte të barabarta për ushtrimin e aktivitetit të të gjitha subjekteve.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›