E Diel, 1 Nëntor 2026

Shoqatat mjedisore: Shqipëria problematike me ujin, ajrin dhe mbetjet urbane

>Pas një takimi vjetor të zhvilluar pak kohë më parë, Shoqatat Mjedisore Shqiptare të mbështetura edhe në punën e ekspertëve të tyre në çështjet Ajri, Uji, Mbetjet dhe Pjesëmarrja Publike, si dhe bazuar në dokumentet strategjikë të qeverisë dhe nën mbështetjen e Milieukontakt International kanë analizuar situatën e këtyre elementëve, të cilët kanë mjaft problematikë. Shoqatat mjedisore kanë bërë të ditur në një njoftim për shtyp se cilësia e ajrit në qendrat e mëdha urbane, edhe pse përqendrimet e Lëndëve të Ngurta Pezull kanë qenë në rënie vitet e fundit, vazhdon të jetë problematike. Përmbajtja e lëndëve të ngurta pezull (LNP) dhe PM10 (grimcat nën 10 mikron), referuar monitorimit të ISHP-së janë mbi normat e lejuara shqiptare dhe mbi atë të BE. Treguesit e tjerë (SO2, NO2, O3, Pb) rezultojnë brenda normave të lejuara të Standardit Shqiptar dhe të BE për të gjitha stacionet e monitoruara, por me tendencë në rritje, sidomos në qendrat e mëdha urbane.
Monitorimi i ujit  
Po ashtu, përsa i përket monitorimit të ujit, sipas shoqatave mjedisore, ndonëse Shqipëria është mjaft e pasur me burime ujore, problem themelor mbetet keqmenaxhimi i ujit. Ende mungon një vlerësim strategjik i kësaj pasurie kombëtare. Për më tepër, ujërat po bëhen gjithnjë e më të ndotur nga ndotjet urbane, industriale, bujqësore etj, thuhet në njoftimin për shtyp, në të cilin vijohet se legjislacioni për ujin dhe në veçanti zbatimi i tij nga pushteti qendror e vendor nuk është në nivelin e duhur dhe kërkon plotësim e përmirësim të mëtejshëm me akte nënligjore. Shoqatat mjedisit bëjnë të ditur gjithashtu se kultura e përdorimit të ujit mbetet ende në nivel të ulët dhe ndërgjegjësimi i komunitetit është detyrë e rëndësishme për të cilën duhet të angazhohen shkolla, media, dhe shoqatat etj. Shfrytëzimi i pakontrolluar i shtretërve të lumenjve mbetet një problem i rëndësishëm ekologjik.
Mbetjet urbane
Mbetjet urbane, për vete peshën që zënë dhe problematikën e tyre, përbëjnë sot një problem të madh mjedisor për shoqërinë shqiptare. Aktualisht, mbetjet thjesht depozitohen në fusha të hapura duke u vetëdjegur dhe shpesh herë duke u bërë burim infeksionesh dhe përhapje sëmundjesh nga më të ndryshmet. Shoqatat mjedisore kanë deklaruar se shërbimi i menaxhimit të mbetjeve urbane dhe monitorimi i tij mbeten një hallkë e pakënaqshme. Kjo gjë është e lidhur me numrin e ulët të koshave të mbeturinave, me numrin e madh të vend depozitimeve ilegale të mbetje, me mosndarjen e mbeturinave, me numrin e vogël të kompanive ricikluese të interesuara për ndarjen e mbeturinave, dhe si problem i përgjithshëm, mungesën e politikave të menaxhimit të mbetjeve nga ana e qeverisjes vendore. Për më tepër në disa zona rurale shërbimi mungon fare. Shoqërisë shqiptare akoma i mungon kultura mjedisore, dhe gjithnjë e më tepër po merr karakteristikat e një shoqërie konsumatore, shoqëruar kjo me shtim të dukshëm të sasisë së mbetjeve të gjeneruara si dhe lënie pas dore të metodave të vjetra të ripërdorimit, cilësohet në njoftimin për shtyp. Për të gjitha këto anomali, shoqatat mjedisore kanë sugjeruar dhe mënyrat e përmirësimit sa më të shpejtë, çka do të çonte në një shoqëri më të shëndetshme.    

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›