Kur kriza kërkohet të importohet me zor
Nga Fatmir Kovaçi
“E vetmja përmasë e krizës së sotme botërore që mund të dëmtojë seriozisht ekonominë shqiptare, është ajo psikologjike”, - ishte shprehja e goditur e një analisti shqiptar të ekonomisë, pak ditë më parë në një debat televiziv. Po pse e goditur? Sepse ekonomia shqiptare duket më pak e prekura në rajon (leku ynë është zhvlerësuar me 6 për qind në raport me euron, ndërsa monedha maqedonase 18 për qind, ajo malazeze 16 për qind, ajo hungareze 22 për qind e me radhë). U ngrit një zhurmë e madhe për fabrikat me material porositësi dhe mundësinë që ato të mbyllen dhe hedhin në rrugë 6 mijë punonjës. Asgjë e tillë nuk ndodhi. Të dhënat e fundit dëshmojnë se ato prodhojnë dhe eksportojnë normalisht, ngaqë çmimet e eksportit shqiptar janë konkurruese. Atëherë, ku është kjo binadalë krizë? Ku na fanepset kaq frikshëm? Ndoshta në fjalët e një përfaqësuesi konservator (Bell) i një institucioni po aq konservator (FMN-ja)? Në parashikimin se ekonomia jonë mund të rritet nga zero deri tek një për qind? Menjëherë vrapuan “ekspertët” e opozitës për të thënë se ky parashikim do të jetë ai i vërteti. Helbete, e thotë FMN-ja. Mirëpo FMN-ja parashikoi edhe për vitin 2007 një rritje prej 3-4 për qind, për shkak të krizës energjitike në rajon. Por parashikimi nuk doli (ekonomia shqiptare shënoi rritje me 6 për qind). Është në natyrën e FMN-së të vetëpërmbahet, madje të parashikojë skenarin më të keq të mundshëm për zhvillimin e ekonomive që këshillon. Ndoshta është edhe politikë e vjetër e saj (sa më shumë të nxish një strukturë ekonomike, aq më tepër para mund të marrësh nga donatorët e tu - shtetet e fuqishme anëtare të FMN-së - për ta ndihmuar këtë vend). Mirëpo qeveria shqiptare nuk tutet nga pozicioni i saj. Paratë e FMN-së janë për vende në pikë të hallit. Ne nuk i duam ato para, pse mund ta menaxhojmë shumë mirë situatën edhe me këto vështirësi që janë sot, duket se thotë qeveria jonë. Kërcen e harbohet opozita. Jeni duke na larguar nga partnerët financiarë ndërkombëtarë! Kujt t’i besojmë? Unë dua t’i besoj ministrit tim të sotëm të Financave. Ishte i vetmi që në nëntor 1996 parashikoi katastrofën e piramidave financiare dhe pati kurajo t’i binte kambanës, me aq sa i lejohej në atë kohë. Është po ai sot që ka kurajon të thotë se ekonomia jonë i ka këllqet e shëndosha dhe nuk do të rrëzohet, por do ta përballojë krizën. I njëjti person, në dy kohë të ndryshme, me dy parashikime të ndryshme. E para pesimiste dhe paralajmëruese për furtunën që ndodhi vërtet, e dyta optimiste dhe parathënëse se gjërat do të na shkojnë në tërësi mirë këtë vit të vështirë. Po atëherë, kobësitë e trumbetuara nga kukuvajkat ekonomike të opozitës? A duhet t’i marr për bazë ato? Mundet që shumë shqetësime të jenë të drejta, por nuk ka realisht vend për alarm e akoma më keq, panik. Bankat po rezistojnë mirë, edhe pse kanë tkurrur kreditin. Të ardhurat nga emigrantët, pas një rënieje të fortë në periudhën nëntor 2008 - janar 2009, kanë nisur të normalizohen. Parashikimet e zymta për humbje në masë të vendeve të punës nga qindra mijëra emigrantë shqiptarë në Greqi dhe Itali për fat të mirë nuk janë vërtetuar. Thjesht emigrantët në këta muaj të pasgoditjes së parë të fortë të krizës në këto vende, kanë dashur të tregohen të kujdesshëm dhe nuk kanë sjellë para sikurse sillnin më parë në shtëpitë e tyre e tek të afërmit në Shqipëri. Por prirja ka nisur të ndryshojë. Edhe pse vijon pasiguria e madhe për të ardhmen e vendit të punës në këto vende të zhvilluara fqinje, emigrantët tanë duket se e kanë rifituar qetësinë. Dhe bashkë me të po rinisin gradualisht të rifusin para në atdhe. Një tjetër shenjë optimiste e japin investimet e huaja. Duke përjashtuar ndoshta industritë e mineraleve dhe të hekurit që ende janë në vështirësi, projektet energjitike nuk po ndalin tek ne. Nuk ka asnjë vonesë apo njoftim për shtyrje të projekteve të mëdha energjitike disa miliardaeuroshe. E njëjta gjë po ndodh edhe me privatizimet strategjike, duke përjashtuar hapin fals të INSIG-ut. Në këtë situatë nuk mund të jem me daullet e shiut të opozitës. Nuk ka prag katastrofe ekonomike në Shqipëri, sikurse duan disa tellallë të saj të nënkuptojnë. Qeveria po tregon kurajo me sprovën e rritjes së rrogave e pensioneve në muajin maj. Kjo rritje mund të gjallërojë ekonominë, sikurse edhe mund të rëndojë financat publike. Varet shumë nga besimi ynë tek shëndeti i bankave dhe në tërësi i ekonomisë sonë. Nëse importojmë me zor krizë e panik, do të tërheqim depozitat dhe nuk do të shpenzojmë. Opozita bën gabim fatal kur i fryn zjarrit të këtyre frikave. Nëse bëjmë zgjedhjen e mençur që të shpenzojmë me takt dhe t’u besojmë kursimet tona bankave, nuk ka “ekspert” të frenojë rritjen ekonomike shqiptare.