E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: Stafilokoku, edhe në spitalet e rretheve

Pas mbylljes së tri sallave të operacionit në pavijonin e Kardiokirurgjisë të infektuara me stafilokok kanë reaguar specialistët e Institutit të Shëndetit Publik. Sipas tyre, jo vetëm sallat e operacionit të spitaleve të Tiranës, por edhe ato të rretheve kanë ngarkesë bakteriale tej normës së lejuar.

Reagimi

Specialistët e ISHP-së kanë reaguar menjëherë pas publikimit të rastit të infektimit me stafilokok të tri sallave të operacionit në QSUT. Shefja e sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino, deklaroi dje se probleme të tilla paraqiten edhe në spitale të tjera në vend. “Salla operacionesh të infektuara me stafilokok janë vërejtur edhe në sallat e operacionit në Kukës, Vlorë, Shkodër dhe në Spitalin Ushtarak në Tiranë”, - shprehet specialistja e ISHP-së, Silvana Bino. Sipas Binos, nëse rezulton që infeksioni ka prekur reanimacionin në Kardiokirurgji, pacientët do të largohen prej andej duke i gjetur një zgjidhje problemit. Gjithashtu sipas saj, do të merren masat e menjëhershme për sterilizimin e sallave dhe rifillimin e punës në mënyrë normale.

Operacionet

Ndërkohë prej disa ditësh janë ndërprerë operacionet në tri sallat e pavijonit të Kardiokirurgjisë. Këto salla rezultuan të infektuara me stafilokok. Ndërsa mjekët kanë pezulluar punën deri në daljen e rezultateve përfundimtare të laboratorit bakteriologjik mbi higjienën e sallave. Vetëm pas kësaj pritet që të rifillojnë operacionet. Ndërkohë që nga analizat e bërë deri më tani sallat janë të infektuara. Situata rëndohet akoma më shumë pasi katër pacientë pas përfundimit të operacionit në këto salla kanë shfaqur shqetësime që sipas tyre vijnë si shkak i infektimit me stafilokok. Hapja e tri sallave të operacioneve të Kardiokirurgjisë do të bëhet vetëm pasi laboratori bakteriologjik të sterilizohet.

Higjiena

Mungesa e mbajtjes së higjienës në këto salla mendohet të ketë qenë një ndër arsyet kryesore të infektimit të ambienteve ku kryhen operacionet me stafilokok, pasi ky mikrob është shfaqur tej masës së lejuar në sallën e operacionit çfarë ka shfaqur shqetësime edhe tek pacientët.

Stafilokoku është një mikrob që mund të gjendet kudo, e bën të pamundur mbrojtjen komplet prej saj. Rreziku ekziston gjatë gjithë vitit, por në fakt mundësia për shfaqjen e kësaj sëmundjeje është gjatë stinës së verës, për shkak të faktit që ky bakter në temperatura të larta gjen terren të shumohet dhe përhapet më shpesh gjatë ditëve të nxehta, favorizuar kjo dhe nga mungesa e kushteve higjieno-sanitare. Ndërkohë që konstatimi në tri salla operacioni vjen kryesisht nga higjiena tejet e ulët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›