Domatet e thata luftojnë kancerin e prostatës
Ushqimet e gatuara me domate të thata janë më të shëndetshme e më të shijshme, ndërsa një studim i kryer nga shkencëtarët pranë Universitetit të Misurit thotë se domatet e thata mund të ndihmojnë për parandalimin e kancerit të prostatës.
Shumë restorante në Shtetet e Bashkuara i kanë hequr nga menytë e tyre domatet e freskëta për shkak të frikës nga salmonela. Por domatet e përpunuara mund të bëhen më të përdorshme për shkak të njoftimeve mbi studimin e ri.
Sipas studimit, domatet e thata ndihmojnë në parandalimin e kancerit të prostatës, të paktën tek minjtë në laborator. Kur domatja përpunohet ose thahet, ajo prodhon një karbohidrat ose sheqer, i njohur si FruHis. “Ky karbohidrat, - thotë profesorja Valeri Mossine - mund të jetë elementi që parandalon ose ndihmon për të luftuar kancerin e prostatës. Rezultatet me minjtë në laborator treguan se tek kafshët që u ushqyen me salcë domateje plus karbohidratin FruHis gjasat për t’u prekur nga kanceri i prostatës ishin 6 herë më të pakta sesa tek kafshët e tjera nën studim.
Shumë studime kanë nxjerrë në pah vlerat e domates për parandalimin e kancerit. Sipas këtyre studimeve, substanca organike e quajtur Lycopene-Likopene, që e bën domaten të jetë e kuqe, ka vlera antikanceroze.
Por agjencia amerikane që kujdeset për cilësinë e ushqimeve dhe barnave thotë se këto studime nuk kanë arritur të provojnë lidhjen midis përdorimit të domates dhe pakësimit të rrezikut nga kanceri i prostatës ose çdo lloj kanceri tjetër.