Pango: 800 mijë turistë deri në qershor
Pango: Rritet me 23 për qind numri i turistëve
Ministria e Turizmit publikon statistikat
Ende pa ardhur muajt e verës, Shqipëria ka arritur të thithë rreth 800 mijë turistë. Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve bëri të ditur dje gjatë një konference për shtyp se gjatë gjashtë muajve të parë të vitit vendin tonë e kanë vizituar në total 789.972 persona, çka përbën një rekord në krahasim me vitet e kaluara. Shumica e këtyre turistëve, sipas ministrisë, janë nënshtetas të huaj.
Numri i turistëve në rritje
Vendin tonë e kanë vizituar 23 për qind turistë më shumë se një vit më parë, sipas ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango. "Numri i turistëve për periudhën janar - qershor, është rritur 23%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar", – deklaroi ai.
Nga vizitorët e ardhur 315 mijë janë shtetas shqiptarë, ndërkohë që rreth 470 mijë janë të huaj. Ministri bëri të ditur edhe arsyet e udhëtimit të tyre në vendin tonë. Kështu, sipas ministrit Pango, shumica dërrmuese e këtyre turistëve, 81 për qind, kanë ardhur në vendin tonë për pushime, ndërkohë që 1 në dhjetë e ka vizituar vendin tonë për arsye biznesi, ose arsye të tjera profesionale.
Ajo çka përbën një risi në vendin tonë janë turistët ditorë, të cilët këtë vit janë shumë më pak se vitet e kaluara. Kështu, sipas statistikave të publikuara nga MTKRS-ja, vetëm 5 për qind e 790 mijë turistëve, kanë ardhur vetëm për një ditë në Shqipëri.
Statistikat janë mbledhur nga misioni CITAP, i cili vepron në vendin tonë dhe merret me të dhënat statistikore për lëvizjen brenda dhe jashtë vendit.
Perspektivë për në verë
Shifrat, më së shumti janë shpresëdhënëse për muajt e korrikut dhe të gushtit. Vera, për vendin tonë, shënon edhe numrin më të madh të turistëve përgjatë gjithë vitit. Vetëm në muajin korrik, vitin e kaluar Shqipërinë e vizituan më shumë se 200 mijë turistë të huaj, ndërkohë që gushti kishte fluks edhe më të madh vizitorësh. Kjo, ka bërë që në ministri të kthehet “buzëqeshja” profesionale, duke pritur rezultatet e muajve të verës.
Edhe ministri i Turizmit, Ylli Pango, u shpreh optimist për muajt e verës, duke i cilësuar ata si muajt më të begatë për turizmin shqiptar. “Shpreh bindjen se gjatë muajve korrik edhe gusht, numri i turistëve të huaj do të kalojë çdo lloj pritshmërie që kishim”, – tha z. Pango gjatë konferencës për shtyp.
789 mijë e 972 është numri i turistëve të huaj që kanë vizituar vendin tonë
23 për qind është rritja në krahasim me një vit më parë
315 mijë është numri i emigrantëve të rikthyer
474 mijë e 972 është numri i turistëve të huaj
81 për qind e vizitorëve erdhën për pushime
10 për qind e vizitorëve erdhën për arsye biznesi
5 për qind e vizitorëve ishin pushues ditor
2008 është numri me më shumë vizitorë deri më tani
Matura Shtetërore
Drejt përfundimit hartimi i tezave të provimeve me zgjedhje
Grupit prej 17 specialistësh të mbledhur pranë Agjencisë së Vlerësimit dhe Arritjeve të Nxënësve (AVA) në Tiranë për përzgjedhjen e pyetjeve finale për çdo provim të lëndëve me zgjedhje të Maturës Shtetërore, i kanë mbetur vetëm dy ditë për të përfunduar hartimin e tezave. Këto provime që priten të zhvillohen të enjten, më 10 korrik, do të përmbajnë rreth 20 pyetje të përzgjedhura nga fondi i përgjithshëm i pyetjeve për provimet e Maturës Shtetërore. Dy provimet me zgjedhje do të jenë dhe vendimtaret në lidhje me pranimet në universitete për vitin akademik 2008-2009. Për provimet me zgjedhje do të jenë përkatësisht nëntë lloje testesh të ndryshme sipas lëndëve të përcaktuara në Formularin A1. Lëndët, nga të cilat maturantët kanë zgjedhur dy të tilla për provim janë: Fizikë, Kimi, Biologji, Anglisht, Frëngjisht, Histori, Gjeografi, Njohuri për Shoqërinë dhe Njohuri për Ekonominë dhe Filozofi. Ndryshe nga dy provimet e detyruara, kohëzgjatja për dhënien e përgjigjeve me shkrim për të dy testet e provimeve me zgjedhje do të jetë 4 orë, e konceptuar kjo si kohë e mjaftueshme për të plotësuar të gjitha pyetjet e testit.
Përfundon sot plotësimi i Formularit A2
Sot është dita e fundit për plotësimin e Formularit A2 për të gjithë maturantët në shkollat e mesme të vendit. Tashmë që dy provimet e detyruara kanë përfunduar, duhet të bëni kujdes e të mprihni mirë lapsin përpara se të plotësoni Formularin A2. Edhe këtë vit formularët e shpërndarë në shkolla janë unikë, çka do të thotë se në rast të rrumbullakosjes gabim të preferencave, maturantët nuk do të kenë mundësi të pajisen me formular të ri, kjo pasi Formulari A2 nuk është i riprodhueshëm. Maturantët duhet të jenë të kujdesshëm në plotësimin e Formularit A2. Ata duhet që patjetër të plotësojnë ose të shenjojnë të dhjeta zgjedhjet e tyre, pra nuk duhet të lënë asnjë prej dhjetë mundësive të tyre pa zgjedhur. Maturantët, të cilët kanë rezultate më të larta në lëndët shkencore, do të kenë më shumë mundësi që të fitojnë një degë të profilit shkencor, pasi dhe koeficientet janë më të larta. Ndërkohë që po i njëjti nxënës do të ketë probabilitet më të vogël për t’u shpallur fitues në lëndët e profilit shoqëror, ndaj dhe përzgjedhja duhet bërë me shumë kujdes. Gjithashtu, për t’u ardhur në ndihmë maturantëve në përcaktimin e lëndëve sipas një rendi të caktuar, po zhvillohen dhe periudha konsultimi me mësues specialistë të fushës, për të ndihmuar nxënësit në zgjedhjen e lëndëve të duhura për në fakultet.
Arti, orë mësimi në shkolla
Arti do të kthehet në një orë të veçantë mësimi në shkollat e mesme të vendit. Lajmi është bërë i ditur nga ministri i Arsimit, z. Genc Pollo, i cili ka marrë pjesë në festivalin e 13-të kombëtar “Pianisti i Ri”, që u mbajt në Vlorë.
“Është e rëndësishme, që edhe në shkollat joartistike, si në shkollat bazë, ashtu edhe në të mesmet, të gjithë nxënësit të marrin njohuri bazë mbi muzikën apo artin në përgjithësi. Orët e bukura në shkolla do t’i ndihmojnë nxënësit tanë në procesin e të nxënit”, – deklaroi Pollo.
Festivali për pianistët e rinj nxori fitues Emiliano Kolën nga shkolla e mesme artistike “Jordan Misja” në Tiranë. Nga kjo shkollë fituan edhe 7 artistë të tjerë të rinj çmimet e këtij festivali.
Shoqata e mësuesve shqiptarë të pianos është pjesë e EPTA-s (Federata Evropiane e Mësuesve të Pianos) me qendër në Londër dhe prej 14 vjetësh ushtron një aktivitet didaktik e artistik në mbështetje të talenteve dhe mësuesve në shkollat tona të muzikës.
Aktiviteti i EPTA-s është i konkretizuar me festivalet, konkurset, masterclass-et e koncertet e organizuara prej vitesh, ku marrin pjesë edhe specialistë të shkollave evropiane, duke i shërbyer formimit profesional dhe informacionit bashkëkohor për shkollat artistike.