QSUT, sallat e operacionit me stafilokok, infektohen pacientët
Mbyllen tri salla operacioni në pavijonin e Kardiokirurgjisë deri në daljen e analizave përfundimtare
Kur sëmuresh, duhet të shkosh në spital, thonë rëndom mjekët, por kur spitali kthehet në vatër infeksioni, atëherë çfarë ndodh? Tri salla operacioni në pavijonin e Kardiokirurgjisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” kanë rezultuar të kontaminuara me stafilokok. Prej tri ditësh këto salla janë mbyllur pasi mjekët nuk marrin përsipër të kryejnë asnjë operacion deri në daljen e rezultateve përfundimtare të laboratorit bakteriologjik mbi higjienën e sallave. Vetëm pas kësaj pritet që të rifillojnë operacionet. Ndërkohë që nga analizat e bëra deri më tani sallat janë të infektuara. Madje katër pacientë pasi janë operuar në këto sallë kanë shfaqur shqetësime që sipas tyre vijnë si shkak i infektimit me stafilokok. Hapja e tri sallave të operacioneve të Kardiokirurgjisë do të bëhet vetëm pasi laboratori bakteriologjik të sterilizohen. Pasi kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale në zemër në këtë pavijon, gjendja e tyre shëndetësore është përkeqësuar. Madje të afërm të pacientëve të operuar janë shprehur tejet të shqetësuar për familjarët e tyre të cilët menjëherë pas operacionit kanë shfaqur temperaturë të lartë, të vjella, dhembje koke, dhembje stomaku, këputje trupi, mungesë oreksi. Madje njëri prej tyre është transportuar në sallën e reanimacionit pas infektimit. Ndonëse dihet se stafilokoku është një mikrob që mund të gjendet kudo, e bën të pamundur mbrojtjen komplet prej saj. Rreziku ekziston gjatë gjithë vitit, por në fakt mundësia për shfaqjen e kësaj sëmundjeje është gjatë stinës së verës, për shkak të faktit që ky bakter në temperatura të larta gjen terren të shumohet dhe përhapet më shpesh gjatë ditëve të nxehta, favorizuar kjo dhe nga mungesa e kushteve higjieno-sanitare. Veç këtij fakti, mungesa e higjienës bën që kjo sëmundje të jetë mjaft e shpeshtë gjatë stinës së verës. Rasti më i fundit u konstatua në tri salla operacioni. Risku i kontaminimit të këtyre sallave është tejet i lartë, gjë që vjen edhe nga higjiena tejet e ulët. Gjithsesi, mjekët rekomandojnë që për pacientët të infektuar me stafilokok të shmanget kontakti, respektimi i një higjiene të mirë personale dhe larja e shpeshtë të duarve.