E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISHP: Vetëm 5% e vaksinës është tërhequr

Gripi i derrit
Në vendin tonë numërohen mbi 470 veta të infektuar me virusin AH1N1

Një tjetër problem me të cilin po përballen autoritetet shëndetësore në vendin tonë, që lidhet me gripin e derrit, është edhe mungesa e tërheqjes së vaksinës. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, numri i personave që vaksinohen kundër gripit të derrit në Shqipëri është shumë i vogël. Kjo duke u krahasuar edhe me numrin e dozave të shpërndara nëpër qendrat shëndetësore. Madje në shumë rrethe mësohet se edhe vetë personeli shëndetësor ka kundërshtuar bërjen e vaksinës. Ata janë edhe kategoria e parë e personave që u planifikuan për t’u vaksinuar, me qëllim që të mbroheshin nga kontakti me virusin vdekjeprurës. Sipas drejtorit të ISHP-së, Dritan Ylli, nga 9 mijë doza të shpërndara nëpër poliklinika, vetëm 4-5 për qind e tyre janë përdorur. Një gjë e tillë tregon se vetëm 400 persona janë vaksinuar për t’u mbrojtur në mënyrë specifike nga ky grip.
Mbi 70 persona janë infektuar nga virusi AH1N1 vetëm gjatë këtij fillimviti. Rastet e gripit të derrit te këta qytetarë janë konfirmuar zyrtarisht edhe nga autoritetet shëndetësore. Ndërkohë që vetëm gjatë vitit 2009 bilanci i të prekurve nga virusi pandemik arriti në mbi 400 vetë. E ndërsa zyrtarisht në total vendi ynë numëron 470 raste të infektuara me sëmundjen e gripit të derrit, sipas specialistëve të Ministrisë së Shëndetësisë ky numër mendohet që të jetë disa herë më i madh. Kjo për faktin se në këtë periudhë janë marrë shumë pak mostra të cilave u janë bërë analizat laboratorike.
Virusi AH1N1, që ndryshe është pagëzuar me emrin gripi i derrit, ka shënuar edhe 12 raste viktimash në vendin tonë. Ata kanë qenë kryesisht në grupmoshat e brezit të dytë dhe veçanërisht të sëmurë kronikë, pra edhe me diagnoza të tjera.
Viktima e fundit ishte një 64-vjeçar nga Durrësi, i cili qëndroi për më shumë se një muaj i shtruar në sanatorium. Ai mbahej me oksigjen në spitalin e sëmundjeve të mushkërive, “Shefqet Ndroqi”. Ndërkohë që aktualisht të shtruar në këtë spital duke u trajtuar edhe për gripin e derrit janë tre persona të tjerë, të infektuar.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›