Bashkia e Tiranës: Taksat po falimentojnë biznesin
Përfaqësuesit vendorë kërkojnë nga qeveria marrjen e masave për të lehtësuar sipërmarrjen
“Mbi 3800 biznese të vogla të Tiranës do të duhet të paguajnë këtej e tutje TVSH-në dhe tatimfitimin, kur nuk e kanë paguar më parë, ndaj dhe detyrimi i tyre për taksat ndaj shtetit do të jetë këtej e tutje 2-3 herë më i lartë se më parë”. Kështu shprehen përfaqësuesit e Bashkisë së Tiranës lidhur me politikën e re fiskale mbi bizneset e vogla. Sipas tyre, qyteti i Tiranës, vendi ku kanë vendosur dhe zhvillojnë aktivitetet numri më i madh i bizneseve të vogla dhe investimeve private, rajoni që prodhon pjesën më të madhe të të ardhurave të ekonomisë shqiptare, sot ndihet i rrezikuar. “Ligjet dhe masat e miratuara nga ana pushtetit qendror rrezikojnë të sjellin falimentim të bizneseve të vogla, papunësi, ulje të të ardhurave të familjeve, si dhe cenim të ndjeshëm të investimeve publike apo shërbimeve që bashkia e kryeqytetit ofron për qytetarët e saj”, janë shprehur përfaqësuesit e pushtetit vendor në Tiranë.
Si pasojë e këtyre vendimeve të qeverisë, ata kanë renditur edhe një seri pasojash negative që do të sjellë ky ndryshim në taksat dhe tatimet që janë vendosur në kurriz të tyre. Përfaqësuesit e bashkisë më të madhe në vend thonë se çmimet për mallrat që shesin ndaj qytetarëve mund të rriten më shumë, tashmë jo vetëm për shkak të situatës së efekteve të krizës, por edhe sepse tregtari do t’i paguajë shtetit më shumë taksa se më parë. Ata nënvizojnë faktin se numri i të punësuarve rrezikon të ulet dhe bizneset të shkurtojnë vendet e punës dhe të ardhurat e familjeve të tyre. Po kështu edhe të ardhurat e bashkisë, për rrjedhojë mundësia për të bërë investime dhe shërbimet jetike në shërbim të qytetarëve të Tiranës, do ulen ndjeshëm.
Për përfaqësuesit bashkiakë në Tiranë këto veprime të ndërmarra së fundmi nga pushteti qendror jo vetëm që nuk i plotësojnë nevojat e biznesit dhe lehtësojnë vështirësitë e tyre në një kohë të tillë për ekonominë, por në të kundërt, rëndojnë më shumë detyrimet që ata kanë për të paguar, ulin mundësitë për zhvillimin e tyre, rrezikojnë falimentimin e tyre dhe mirëqenien e familjeve të tyre.Në këtë logjikë, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës kanë kërkuar nga qeveria që të merren masat për të lehtësuar bizneset e vogla nga detyrimi për të paguar TVSH-në dhe tatimfitimin, në një periudhë të tillë të vështirësive ekonomike. Ata theksuan se duhet të ndihmohen bizneset që janë në rrethanat e vështirësisë paguese dhe që rrezikojnë të mbyllen ose të shkurtojnë vendet e punës, sidomos sektorët që punësojnë më shumë, si ndërtimi, industria përpunuese dhe ajo e veshjeve me materiale me porosi, si dhe tregtia e vogël. Përfaqësuesit vendorë e konsideruan si domosdoshmëri marrjen e masave për të lehtësuar veprimtarinë e bizneseve në shërbimet publike, si shërbimi taksi, duke luftuar në mënyrë të efektshme konkurrencën e pandershme, por edhe sigurimin e të ardhurave të nevojshme të bashkive, për të bërë të mundur investimet dhe shërbimet bazë për qytetarët dhe bizneset e vogla.
#