E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kostoja që duhet të paguajë qeveria për ndryshimin e sistemit arsimor



Jonida Tashi

Ndryshimi i sistemit arsimor nga tetë në nëntëvjeçar do t’i kushtojë qeverisë rreth 2.236 miliardë lekë, ose 18 milionë euro. Ekspertët e Ministrisë së Arsimit, pas miratimit të këtij vendimi në lidhje me efektet financiare që sjell ndryshimi i sistemit në arsimin bazë, në programin buxhetor afatmesëm, për vitin 2009, kanë kërkuar një buxhet prej 1 827 000 000 lekësh mbi tavanet e planifikuara nga Ministria e Financave këtë vit. Ministria e Arsimit, që bëri edhe propozimin për rritjen e arsimit të detyruar me një vit, ka përcaktuar edhe efektet financiare shtesë sipas grup-shpenzimeve buxhetore. Kështu, sipas llogaritjeve të bëra nga ekspertët e kësaj Ministrie për shpenzimet konkrete, pagat e punonjësve në arsimin parauniversitar për vitin e ri shkollor do të kenë një kosto totale prej 386 milionë lekësh. Shpenzimet e paraqitura në projektvendimin e miratuar për investimet në shkolla pritet t’i japin një pamje të re institucioneve arsimore në arsimin 9-vjeçar.
Rritja
Në projektligjin që MASH-i paraqiti në qeveri për miratim parashikohet një rritje e numrit të nxënëseve dhe mësuesve në arsimin bazë në të gjithë vendin. Kështu, është parashikuar një shtesë e numrit të punonjësve mësimorë, prej 700 punonjësish (17 nxënës për 1 punonjës mësimor, sa është sot ngarkesa mesatare), në arsimin bazë në shkallë vendi. Gjithashtu, pritet që numri i nxënësve në arsimin 9-vjeçar të rritet me 12 mijë nxënës më shumë, që vijnë për efektet e pritshme të ndryshimit të sistemit bazë nga tetë në nëntëvjeçar. Kjo rritje e numrit të nxënësve është cilësuar si një efektet pozitiv që sjell zgjatja nga tetë në nëntë vjet e arsimit bazë. Sipas projektligjit për ndryshimin e sistemit arsimor parauniversitar, rreth 12 mijë nxënës, që mbaronin arsimin e detyruar dhe nuk vijonin arsimin e mesëm, do të vijojnë shkollën, duke mënjanuar futjen e tyre të parakohshme, madje edhe në kundërshtim me ligjin, në tregun e punës dhe largimin nga rruga të atyre që nuk punësohen.
Shpenzimet
Në total efektet e pritshme financiare nga ndryshimi i sistemit arsimor për vitin 2009 janë 2.236 miliardë lekë, ose rreth 18 milionë euro. Në këtë shumë janë përfshirë shpenzimet për pagat e punonjësve arsimorë, për investimet në shkolla etj. Rreth 386 milionë lekë do të jenë shpenzimet korrente për pagat e 700 punonjësve. Për sigurimet shoqërore nga punëdhënësi është parashikuar 21.7 për qind mbi fondin e pagave 300 milionë lekë. Është parashikuar që këto shpenzime të kapin shifrën e 66 milionë lekëve. Ndërsa shpenzimet operative janë parashikuar në shumë 150 milionë lekë, në të cilat do të përfshihet blerja e materialeve dhe mjeteve mësimore për klasat shtesë. Në shumë e madhe lekësh është parashikuar që të shpenzohet edhe për investimet në shkolla gjatë vitit 2009. Investimet janë parashikuar gjithsej 1.7 miliardë lekë. Investimet do të përfshijnë ndërtimet e reja, rehabilitimet dhe blerjen e pajisjeve. Rreth 206-280 klasa të reja, me një fond prej 1.2 miliardë lekësh, janë parashikuar të ndërtohen për 8500 nxënës sipas shkollave për të gjithë vendin, gjatë vitit shkollor 2008-2009. Ndërkohë që blerja e pajisjeve për këto klasa pritet të kushtojë në total 250 milionë lekë. Gjithashtu, rehabilitimet që përfshijnë rikonstruksionin dhe shtesat për rreth 90 klasa janë parashikuar të kapin shumën e 227 milionë lekësh.

Beja realizon analizën 7-mujore, premton qëndrueshmëri në administratë
Ministria e Arsimit licencon 7 universitete të reja private

Ministria e Arsimit nuk do të preket nga lëvizjet në administratë, gjë që ndodh rëndom në vendin tonë me ndryshimin e posteve. Një fakt i tillë është konfirmuar dje nga ministri i Arsimit dhe Shkencës, Fatos Beja, në analizën 7-mujore të dikasterit që ai drejton. Megjithëse ka vetëm një muaj në krye të kësaj ministrie, Beja nuk e ka pasur aspak të vështirë të analizojë punën e ish-kreut të saj, Genc Pollo. I qetë, si në ditët e para të punës së tij si ministër, Beja ka konfirmuar se nuk do të ketë ndryshime në administratë, duke theksuar se do të vazhdohet të punohet vetëm me reformat e nisura. Gjatë analizës 7-mujore numri një i Arsimit është ndaluar në çështjet më thelbësore të arsimit në vend. Ai ka bërë të ditur se në këtë 7-mujor janë realizuar objektivat primare dhe ka vlerësuar pozitivisht punën e paraardhësit të tij, Genc Pollo, aktualisht në postin e zëvendëskryeministrit. Në këtë analizë Fatos Beja bëri të ditur se 7 universitete të reja private janë licencuar dhe se procedura e licencimit të tyre është realizuar brenda të gjitha kritereve. Gjithashtu, kreu i Arsimit premtoi se në kuadër të ndryshimeve në sistemin arsimor 9-vjeçar, këtë vit shkollor do të ketë më shumë mësues. Sipas tij, nevoja për më shumë mësues dhe më shumë ambiente shkollore, u krijua, pasi sistemi arsimor bazë u kthye në 9-vjeçar. Në përfundim Beja shtoi se Ministria do të angazhohet në përmirësimin e sistemit arsimor, duke shtuar se shpërndarja e librave shkollorë është kryer brenda afatit.

6 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›