E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryetarët e gjykatave, kundër reformave të Alibeajt



Tiranë - Këshilli Ekzekutiv i Konferencës Gjyqësore ka kundërshtuar dje reformat që po ndërmerr në Gjyqësor ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Drejtuar nga zëvendëskryetari Albert Meçe, anëtarët e Këshillit shfrytëzuan mbledhjen për të nxjerrë në pah një sërë problemesh mbi Gjyqësorin. Burime pranë këtij këshilli thanë se mbledhja e djeshme ishte e para për këtë sezon dhe vjen pas shumë kohësh. Shkak është bërë mungesa e kryetarit, që sipas ligjit, i takon kryetarit të Gjykatës së Lartë, ku me mbarimin e mandatit të Thimjo Kondit nuk është zëvendësuar më. Burime pranë këtij këshilli pohuan se çështja që kryetarët e gjykatave kanë diskutuar më tepër ka qenë pikërisht urdhri më i fundit që ministri Alibeaj ka dërguar në çdo gjykatë për ristrukturim. Kryetarët e gjykatave nuk janë dakord me shkurtimin e stafit, madje ata kanë renditur një sërë problemesh. Reforma në Drejtësi prek të parën Gjykatën e Shkallës së Parë të Tiranës. Nëpërmjet një urdhri që mban datën 22 gusht të këtij viti, me numër protokolli 5895, ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, urdhëron suprimimin e disa posteve në gjykatë. Sipas këtij vendimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor të Tiranës nuk do të ketë më zëdhënës, ekonomiste, roje sigurie dhe inspektorë personeli. Mirëpo duket se nuk ka qenë dakord kryetari i kësaj gjykate, Albert Meçe, i cili ka diskutuar për këtë çështje me ministrin. I pyetur nga gazeta “Albania” në lidhje me këtë urdhër, Meçe u shpreh se është kompetencë e ministrit të ndërmarrë këtë nismë duke dhënë kështu gjykimin e tij se gjykatës nuk i duhen as zëdhënës dhe as roje sigurimi. Ndërkohë, po me urdhër të ministrit, të gjithë gjyqtarët penalë do të zhvendosen brenda datës 12 shtator në godinën e Gjykatës së Krimeve të Rënda për të gjykuar të gjitha çështjet penale.

Rama “troket” në derën e Alibeajt për Prokurorinë

Projektligji për Prokurorinë e ka detyruar dje kryeprokuroren Ina Rama të trokasë në derën e ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Edhe pse hierarkia kushtetuese e përcakton institucionin e Prokurorit të Përgjithshëm si më të rëndësishëm se posti i ministrit, sërish kjo nuk e ka penguar Ramën të zhvillojë takimin që ka zgjatur më shumë se 30 minuta. Burime pranë Ministrisë së Drejtësisë konfirmojnë se drejtuesit e dy institucioneve të Drejtësisë gjatë takimit kanë diskutuar për projektligjin e Prokurorisë, por nuk japin detaje nga kjo bisedë. Këto ditë prokurorët kanë reaguar ashpër kundër qeverisë lidhur me këtë projektligj. Në një prononcim të dhënë pak ditë më parë Sekretari i përgjithshëm i Shoqatës Kombëtare të Prokurorëve dhe njëkohësisht kreu i Prokurorisë së Apelit, Shkëlqim Hajdari, u shpreh se drafti i paraqitur nuk është konsultuar me prokurorë dhe ekspertë të fushës dhe cenon rëndë pavarësinë e institucionit. Neni më i kontestuar nga prokurat është ai i heqjes së imunitetit. “Prokurorët nuk kanë atë imunitet që kanë deputetët, por kanë thjesht një garantim të vendit të tyre të punës, që në rast se dyshohen për kryerjen e një vepre penale, merret një autorizim nga prokurori i Përgjithshëm i Republikës së Shqipërisë”, - tha Hajdari. Sipas tij, nëpërmjet këtij ligji Ekzekutivi lejohet të arrestojë prokurorin pa u marrë miratimi i prokurorit të Përgjithshëm”. Një tjetër nen i kontestueshëm është ai pezullimit automatikisht nga puna i prokurorëve, në rast të ndonjë kallëzimi ndaj tyre. Prokurorët thonë se për reformën në Drejtësi është ndjekur modeli më i keq dhe se nuk janë marrë mendimet e ekspertëve. Edhe opozita ka reaguar duke u shprehur e shqetësuar duke akuzuar qeverinë se me këtë ligj qeveria po kërkon të vërë nën kontroll institucionin e Prokurorisë. Ndërsa maxhoranca këmbëngul se ligji nuk synon që ta vendosë Prokurorinë në varësinë e Ekzekutivit.

6 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›