Ruli: “Në qershor përfundon dhe privatizimi i ARMO-s”
Privatizimi i kompanisë publike të tregtimit dhe përpunimit të naftës ARMO do të mbyllet në muajin qershor 2008. Këtë gjë e ka bërë të ditur ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Genc Ruli, dje, gjatë një konference për shtyp. Sipas tij, privatizimi i ARMO-s ka nisur me ligjin përkatës me formulën e shitjes së aksioneve shtetërore, si dhe me publikimin e privatizimit të saj më 12 shkurt 2008 në dy gazeta ndërkombëtare, "Financial Times", "Wall Street Journal", në revistën "Hydrocarbons Processing", në faqen e internetit të METE-s si dhe në Buletinin e Njoftimeve Publike.
Ministri Ruli bëri të njohur edhe kriteret e vlerësimit të ofertave sipas vendimit të Këshillit të Ministrave. Sipas tij, “kryesor është fakti që blerësi të jetë një person juridik, me garanci financiare, menaxhuese, i certifikuar me standardin ISO 9000, apo të tjera të barasvlershme me të, të jetë i specializuar për tregtimin dhe përpunimin e naftës dhe gazit, të ketë jo më pak se tre vjet eksperiencë dhe aktivitet në këtë fushë, të ketë një kapital të paguar aksionar jo më pak se 55 milionë euro, si dhe një vlerë të bilancit kontabël të konsoliduar prej jo më pak se 135 milionë euro”. Blerësi mund të jetë edhe një konsorcium, ku detyrimisht, një prej kompanive të jetë me eksperiencë jo më pak se 3 vjet në përpunimin dhe tregtimin e naftës dhe gazit, si dhe të ketë jo më pak se 20 për qind të aksioneve në këtë konsorcium. Në vlerësimin konkret të ofertës financiare që do të bëhet blerësi duhet të ketë 75 pikë, ndërsa oferta teknike, që përfshin teknologjinë, biznes-planin, etj, deri në 25 pikë. "Gara është e hapur dhe deri tani, kanë blerë dokumentet 15 kompani. Besoj në një interes në rritje nga të tjera kompani, por dhe ky numër është premtues dhe sigurisht edhe ecuria në tregun e naftës ka ndikimin e vet, për ta quajtur moment pozitiv dhe për të rritur probabilitetin e suksesit të privatizimit, i cili do të mbyllet në 21 maj, ku do të mbyllet tenderi dhe do të nisë shqyrtimi i ofertave nga kompanitë pjesëmarrëse, tha Ruli, i cili shtoi se do të duhet një periudhë 1-mujore dhe në qershor, do të përfundojë dhe lidhja e kontratës me blerësin e ARMO-s.
13 Mars 2008