ISKSH: Brenda 2009 falas shërbimi në poliklinika
Brenda këtij viti të gjitha shërbimet shëndetësore parësore do të jenë falas për personat që kanë librezë shëndetësore. Kjo është pjesë e kontratave që Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor po lidh me të gjitha qendrat shëndetësore në vend. Gjithashtu, pritet të futet një paketë me 7 shërbime bazë në të gjitha poliklinikat. Gjithçka u bë me dije dje gjatë takimit të organizuar nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor për reformën në shërbimin shëndetësor parësor. Dy vjet pas nisjes së saj në këtë hallkë tepër të rëndësishme të sistemit shëndetësor, u vlerësua ecuria e treguesve të 413 qendrave shëndetësore të kontraktuara nga ISKSH-ja në të gjithë vendin. Sipas drejtoreshës të këtij instituti Elvana Hana, prioritet i reformës këtë vit do të jetë informatizimi i qendrave shëndetësore, përfundimi i regjistrimit të popullsisë sipas qendrave shëndetësore, përmirësimi i metodës së financimit të tyre si dhe rritje e numrit të së siguruarve. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, pjesëmarrëse në takim tha se kjo reformë e nisur 2 vjet më parë ka filluar të japë frytet e saj dhe ajo që duket është rritja e performancës e shoqëruar dhe me rritje të pagave të stafit shëndetësor. “Investimet në qendrat shëndetësore do të vijojnë falë bashkëpunimit me Bankën Botërore. Ato do të japin rezultatet e tyre në përmirësimin e cilësisë së shërbimit”, tha Godo. Ndërsa Tritan Shehu, kryetar i Komisionit parlamentar të Shëndetësisë u shpreh se ajo që kemi fituar sot, është nisja e ndryshimit të sistemit përmes rritjes së autonomisë për qendrat shëndetësore, e cila do të shërbejë si një bazë e mirë për ecurinë e mëtejshme të reformës edhe në sektorin spitalor.