Kule: Pas dy javësh gati diplomat e reja për studentët
ZIRINA LLAMBRO
Universiteti i Tiranës ka thuajse gati diplomat e reja. Brenda dy javësh bashkë me suplementin dy gjuhësh ato do të jenë në duart e studentëve. “Në përputhje me udhëzimin e ri të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe me standardet e Bolonjës, Universiteti i Tiranës, senatet akademike dhe studentët do të hartojnë një model të ri diplome’, deklaroi dje në një konferencë për shtyp rektori i UT-së, Dhori Kule. Sipas tij, udhëzimi i ri që u ka dërguar Ministria e Arsimit i përgjigjet pretendimeve të ngritura nga studentët dhe krerët e universiteteve. “Udhëzimi i vjetër revokohet dhe në këtë mënyrë krijohen hapësirat për të bërë ndryshimet e duhura në përputhje me ligjin, por brenda standardeve të kërkuara qoftë nga karta e Bolonjës, qoftë nga ata që ndjekin arsimin e lartë”, tha Kule. Në këtë mënyrë konflikti ministri-universitete shkon drejt zgjidhjes. Përtej deklaratave të ministrit Beja, kërkesat e studentëve gjatë një muaji proteste janë marrë parasysh. I vetmi element që nuk i ndryshon diplomës është titulli e studimeve. Edhe në Evropë diplomat e hartuara sipas kartës së Bolonjës nuk kanë tituj. Kjo pjesë tashmë është pranuar nga studentët. Në dy udhëzimet e reja që janë dërguar 3 ditë më parë në universitete nga Ministria e Arsimit përcaktohet si do të hartohen diplomat dhe mënyra e plotësimit të suplementit. Sipas udhëzimit, diplomës i shtohet emërtimi i fakultetit përkatës që e lëshon, emërtimi i diplomës dhe data e mbrojtjes së tezës së saj. Veç këtyre elementëve të renditura qartë, në udhëzim hapet dhe një tjetër klauzolë. “Në përputhje me legjislacionin në fuqi, senatet akademike përcaktojnë edhe elemente të tjera të veçanta, që ata i gjykojnë të arsyeshme si dhe formulimin grafik të diplomës”, thuhet në udhëzim. Sa i përket Suplementit bashkangjitur, Ministria ka përcaktuar se ai do të jetë në gjuhën shqipe dhe atë angleze.