E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak: S’ka rivotim për buxhetin e Tiranës

 

“Sali Berisha nga njëra anë dhe Iliri me Monikën nga ana tjetër nuk duan ta lëshojnë qytetin e marrë peng për muaj me radhë, duke u mohuar njerëzve rrugët, shkollat, çerdhet e të gjitha shërbimet e këtij viti, vetëm e vetëm që të përfitojnë politikisht nga mërzia e njerëzve”. Këtë deklaratë bëri dje nënkryetari i Bashkisë së Tiranës Eduard Shalsi. Një ditë pas refuzimit të firmës nga prefekti Ruzhdi Keçi vendimi i tij konsiderohet tërësisht politik. “Sali Berisha që hiqet si i djathtë dhe Iliri e Monika që hiqen si të majtë janë dy anë të së njëjtës medalje, të politikës së vjetër, që flet për interesat e njerëzve dhe mbron vetëm interesat e veta. Këta njerëz të vegjël nuk e meritojnë Tiranën dhe Tirana nuk i meriton këta përfaqësues të së shkuarës”, tha Shalsi. Tashmë që të zgjidhet ngërçi i krijuar  mbeten dy opsione. Ose sekretariati i Këshillit Bashkiak t’i drejtohet gjykatës ose në rast të kundërt të mblidhet sërish Këshilli Bashkiak për të shqyrtuar projektbuxhetin. Por në fakt po dje nënkryetari i këtij Këshilli Petraq Simo, u shpreh se prefekti Keçi nuk mund të pezullojë buxhetin, duke shtuar se Këshilli nuk do ta marrë sërish në shqyrtim atë. “Eshtë një akt politik dhe i pambështetur në ligj dhe nuk do ketë mbledhje tjetër për votim, kjo fazë është ezauruar”, tha Simo. Në këtë situatë nuk dihet si do t’i vejë filli fondeve për Tiranën. Dy  ditë më parë, prefekti i Tiranës deklaroi, se pas shqyrtimit të buxhetit të propozuar nga Bashkia konstatoi disa nene, të cilat bien ndesh me ligjin. Si rezultat ky projektbuxhet i është kthyer Këshillit Bashkiak, i cili duhet të rivotojë për miratimin e tij.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›