E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH: “Mjekët specialistë nuk zbatojnë protokollet e mjekimit”

Autori i Lajmit: Denisa Kona

ISKSH ka marrë përsipër të zgjedhë mjekimin e pacientëve, duke sfiduar doktorët dhe profesorët. Ka moral profesional dhe human të limitosh mjekët në profesionin e tyre, që është përcaktimi i diagnozës dhe i barit më të mirë për të? Këtë pyetje ia drejtuam institucionit në fjalë, i cili nga njëra anë përjashtoi veten nga ndërhyrja në mjekim dhe nga ana tjetër, pohoi se mjeku është i detyruar të respektojë një protokoll mjekimi, zbatueshmërinë e të cilit e kontrollon po ISKSH. Por ndërkaq, protokollet e mjekimit nuk kanë dalë ende dhe në vend të protokolleve, mjekët e familjes i referohen listës së barnave që u ka dorëzuar ISKSH, të cilës janë të detyruar ti përmbahen. Madje, kanë edhe një plan rimbursimi, që nëse kalon 100%-shin, humbasin shpërblimin. Duke cituar vetë ISKSH-në në përgjigjet e njërës prej pyetjeve tona. (“Pas hartimit të protokolleve, sipas informacioneve që ne kemi është ngritur nje grup pune në MSH dhe po punohet në këtë drejtim, do të nisë përllogaritja e kostove”), shihet qartë pra, që protokollet nuk janë miratuar.
Mjeku specialist lëshon të tjera barna por mjeku i lagjes, e ndryshon këtë recetë. Kështu, profesionalizmi i profesionistit përfundon në kosh. Ai që e pëson në fund të fundit, është pacienti, që nuk arrin të marrë mjekimin më të mirë.
“Mjekët specialistë në shumicën e rasteve nuk i zbatojnë protokollet e mjekimit, duke lëshuar rekomandime mjekimi, që nuk janë në përputhje me protokollet e barnave. Si rrjedhim, mjeku i familjes përshkruan mjekimin për diagnozën e vendosur nga specialisti, bazuar në protokollet e miratuara nga shefat e shërbimeve në QSUT, që në bazë të rregullores së tyre, janë shefa të shërbimit përkatës në të gjithë Shqipërinë. D.m.th. protokollet e miratuara nga Departamenti i Kardiologjisë janë detyrimisht të zbatueshme nga të gjithë Kardiologët në Shqipëri.” Kjo deklaratë vjen nga zyra e shtypit e ISKSH-së në përgjigje të konstatimit se mjekët e lagjeve ndryshojnë medikamentet e recetës së lëshuar nga mjeku specialist. Por ndërkaq, ky pohim bie në kontradiktë me pohimin pasues se “ISKSH nuk ka tager të përcaktojë çfarë barnash rekomandon një mjek apo një tjetër. Ne kontrollojme zbatueshmërinë e protokolleve të mjekimit. Të gjithë mjekët, qofte ata të familjes, qofte specialistët, janë profesionistë në punën e tyre. Në asnjë rast ISKSH nuk merr përsipër të zgjedhë mjekimin e pacientëve. Mjeku vendos se çfarë bari është i mirë për pacientin. Ministria e Shëndetësisë, në bashkëpunim me ISKSH-në përcaktojnë listën e barnave të rimbursueshme, por jo mjekimin e pacientëve.” Kështu është përgjigjur ISKSH, e cila në fund të fundit në punën e saj nuk ka lajtmotiv të njëjtë me mjekun...

ISKSH
“Mjeku i familjes, përgjegjës për zbatimin e protokolleve”

Mjeku i familjes është pika hyrëse për në sistemin shëndetësor shqiptar, por edhe pika fundore, që do të thotë; pa rekomandimin e mjekut nuk shkon dot në shkallët më të larta të shërbimit shëndetësor si edhe është ai që lëshon recetën me rimbursim, pavarësisht kush e lëshon rekomandimin. Sot shërbimi shëndetësor ka protokolle përdorimi bari të përgatitura nga Shërbimet e fushave përkatëse në QSUT, ku përcaktohen diagnozat kur përdoret një bar i caktuar, në cilën fazë të sëmundjes, dozën përkatëse si edhe kohëzgjatjen. Mjeku i familjes është përgjegjës për zbatimin e këtyre protokolleve sepse është ai që lëshon recetën me rimbursim.

ISKSH: “Sigurimet nuk njihen në privat për pengesa ligjore”

Analizat dhe ekzaminimet që pacienti i bën në privat, kur ato duhet ti përfitonte falas në shtet kanë mbetur pjesë e detyrimit të panjohur de fakto nga Instituti i Sigurimeve. Asnjë lloj fature e privatit nuk merret përsipër nga ky institucion për tu paguar, dhe është fjala për ekzaminime që janë të deklaruara brenda skemës e që në fakt nuk ofrohen. Për të mos folur për një shërbim tjetër mjaft të kushtueshëm si shërbimi dentar, i cili është 100% privat dhe i lënë jashtë skemës së sigurimeve

Ambulancat apo qendrat shëndetësore parësore janë hallka e parë ku pacienti merr shërbimin shëndetësor. Por cilësia e këtij shërbimi është e kushtëzuar sa nga profesionalizmi dhe ndërgjegjja e mjekëve, po aq edhe nga skemat e përfitimit të tij, që ka caktuar ISKSH. Disa nga pyetjet që i shohim si problematike, ne ia adresuam Institutit të Sigurimeve Shëndetësore, nga ku na mbërritën përgjigjet e zëdhënëses, por në një refuzim absolut të prezantimit të emrave të specialisëve të cilëve u përkasin. Ajo që na habiti më fort, është stepja e personave që flasin pas mbulesës së institucionit, për të mos deklaruar emrin e tyre. Meqenëse ne nuk mund të paraqesim një intervistë me ISKSH-në (që nuk është frymor), po servirim përgjigjet e disa prej pyetjeve tona, të lëshuara nga zyra e shtypit në ISKSH, në formën e një dialogu të induktuar në artikull.
Të siguruarit “gëzojnë” faturat e privatit
Jo rrallë kemi dëgjuar dikë të thotë se mjeku e ka adresuar të bëjë disa analiza në klinikë private. Disa herë kemi menduar se kjo vjen për interesa përfitimi nga një skemë lidhjeje mjek i shtetit-klinikë private. Por mund të ketë një arsye tjetër: Analiza nuk mund të bëhet në qendrën shëndetësore të specialiteteve. Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore nr. 3 Engjëllushe Hasani sjell rastin e elektroforezës së proteinave, një analizë që bëhet vetëm në privat. Por edhe në Poliklinikën nr.3 një numër ekzaminimesh ende nuk realizohen (janë me kryq apo një shenjë tjetër në listë). Mamografia është një rast i fiksuar. Mirëpo, ISKSH në përgjigje të pyetjes sonë, se a bëhen të gjitha analizat dhe shërbimet që duhet të bëhen në shërbimin dytësor, as nuk na e ka pohuar as e ka mohuar që në qendrat shendetësore të mos bëhen të gjitha analizat e përcaktuara. Përgjigjja injoron përemrin “të gjitha”. “Në qendrat shëndetësore të specialiteteve në Tiranë ofrohen shërbimet e specializuara që duhet të marrë pacienti në këtë nivel, madje në disa raste ka edhe minispecialitete që ofrohen vetëm në QSUT, -thuhet në përgjigjen e ISKSH-së.- Gjithashtu edhe laboratorët kimikë dhe biologjikë ofrojnë të gjitha analizat që mund të kryejnë në këtë nivel, si edhe ekzaminimet perkatëse në imazheri (skopi, grafi, EKO).” Ndërsa për mamografinë, Instituti thotë se ka një projekt të MSH-së dhe INTEREG 3, me qëllim depistimin e grave në moshë rreziku për kancerin e gjirit, por për këtë ne duhet të kërkojmë informacion në Ministri.
Pyetjes sonë, se përse nuk zhdëmtohen pacientët për ato analiza dhe ekzaminime që shteti nuk i bën e që bëhen vetëm në privat, nga ISKS i japin këtë përgjigje: “Sigurimi shëndetësor mbulon një gamë të caktuar shërbimesh dhe ISKSh është përgjegjëse për këtë gamë shërbimesh që është tanimë e definuar. Sigurimi shëndetësor nuk njihet në sektorin privat, për shkak të pengesave ligjore, por ISKSH është në proces të ndryshimit të ligjit të financimit, i cili më tej do të bashkëshoqërohet dhe me një faturë financiare. ISKSH ka një projekt për njohjen e sigurimit dhe në sektorin privat, dhe për këtë është duke hartuar një projektligj i cili do të jetë për të gjithë financimin e shërbimit shëndetësor, ku mes të tjerash parashikohet e drejta për përfshirjen edhe të sektorit privat në skemën e sigurimeve shëndetësore.”
ISKSH: “Ja avantazhi që ka shërbimi shtetëror”
Të pyetur se çfarë avantazhesh ka shërbimi në qendrat shëndetësore shtetërore, kundrejt klinikave te privateve dhe nëse do tu sugjeronit qytetarëve shtetin, cilat do të numëronit si epërsi të tij?”, specialistët e ISKSH-së nuk njohin shërbimit shëndetësor publik asnjë avantazh të dukshëm se shërbimit në privat, përsa i takon cilësisë. Të vetmen diferencë e shikojnë në çështjen e pagesës, kur thonë: “Në qendrat shëndetësore publike ofrohet shërbimi falas për të siguruarit. Ky është dallimi esencial kundrejt qendrave private. Sikurse jeni në dijeni, sigurimi shëndetësor njihet vetëm në shërbimin publik. Sa i takon cilësisë së shërbimit, Ministria e Shëndetësisë bën certifikimin e klinikave, qofshin këto publike, qofshin private.”

ISKSH: “Nuk ka shtesë personeli për ndërgjegjësimin e pacientëve”

Çdokujt që merr shërbim në Qendrat Shëndetësore të lagjeve dhe të Specialiteteve i ka rënë në sy
krijimi i një sporteli pagese (edhe pse pagesa ka ekzistuar edhe më parë), të përforcuar me infermiere.
Ky përforcim është bërë në kuadrin e asaj që gjithë drejtuesit e këtyre institucioneve dhe vetë ISKSH e kanë quajtur “forcimi i filtrit të kontrollit” për të siguruar zbatimin e sistemit të referimit dhe formalizimin e pagesave që bëjnë pacientët. Drejtori i Poliklinikës nr.3 Artan Haruni kishte thënë për “Ballkan” se kanë marrë masat që asnjë i pasiguruar të mos kalojë pa paguar, dhe për këtë kanë përforcuar sportelin me 4 infermiere. Kështu, ndërsa energjitë njerëzore përqëndrohen në mbledhjen e parave, këto energji pakësohen në ofrimin e kujdesit shëndetësor. Kjo skemë e funksionimit të qendrave shëndetësore sipas direktivave të ISKSH-së nuk u shoqërua me shtim të stafit. Shpjegimi që jep ISKSH për këtë situatë është ky: “Sistemi i referimit ka ekzistuar dhe më parë, por ajo që ka ndryshuar tani, pas vendimit të Ministrisë së Shëndetësisë, është një ndërgjegjësim më i madh i qendrave shëndetësore për zbatimin e përpiktë të tij. Ndërgjegjësimi nuk mund të shoqërohet me shtesë personeli. Sidoqoftë, ISKSH ka një buxhet të caktuar vjetor për personelin shëndetësor”.

TARIFAT

Kur u vendosën tarifat e shërbimeve ambulatore dhe spitalore, a u pyet ISKSH? A keni ju pjesën tuaj në propozimin dhe miratimin e tyre? Përgjigja e kësaj pyetjeje që marrim nga ISKSh është pastërtisht përjashtim i vetvetes nga çdo lloj përgjegjësie që rrjedh nga aplikimi i tarifave të reja, në një kohë kur ende nuk është bërë përllogaritja e kostove të tyre. “Vendosja e tarifave për qendrat shëndetësore dhe spitalet është atribut i Ministrisë së Shëndetësisë dhe është ky institucioni që ka marrë vendimet lidhur me këtë çështje. ISKSH nuk ka marrë pjesë në vendosjen e tarifave, pasi është e drejtë e MSH.” Mirëpo ndonëse ISKSH pohon se nuk ka gisht në vendosjen e tarifave, nuk na dha asnjë përgjigjje për pjesën, nëse ka gisht në propozimin e vlerës së tyre.

ISKSH: “Para llogaritjes së kostove, Ministria e Shëndetësisë duhet të hartojë protokollet e mjekimit”
Tarifat e analizave, ISKSH “lan duart si pilati”
Protokollet e mjekimit ende nuk janë miratuar, ndërsa tarifat e Ministrisë po zbatohen prej 5 muajsh

ISKSH i atribuon të drejtën dhe përgjegjësinë e tarifave Ministrisë, edhe pse vetë është pjesë e përllogaritjes së tyre.

Ndonëse tarifat e shërbimeve shëndetësore janë fringo të reja (kanë nisur të zbatohen që nga tetori 2009), ato përsëri do të rishikohen. Arsyeja? Sepse kur janë caktuar, nuk ishin llogaritur ende kostot e tyre! Për të dhënë një përgjigje për to, ne jemi duke pritur prononcimin e Ministrit të Shëndetësisë. Për të llogaritur këto tarifa, që vitin e shkuar është ngritur grupi i punës i cili do ti shpallë ato në mes të vitit 2010. Por, rreth 9 muaj para daljes së kostove, MSH nxitoi të nxirrte tarifat e reja për të trija nivelet e shërbimit. Nuk dimë nëse ka patur ndonjë marrëveshje mes Ministrisë dhe ISKSH-së për vlerën e tarifave të vendosura në mënyrë të parakohshme. Përgjigja që vjen nga ISKSH është kjo: “Para llogaritjes së kostove, Ministria e Shëndetësisë duhet të hartoje protokollet e mjekimit. Pas hartimit të protokolleve (sipas informacioneve që ne kemi është ngritur nje grup pune në MSH dhe po punohet në këtë drejtim), do të nisë përllogaritja e kostove. Por ju bëjmë me dije sërish se tarifat përcaktohen nga MSH”. (JA ku ISKSH ka pohuar edhe një herë, se protokollet e mjekimit ende nuk janë miratuar (ndonëse duhet të ishin miratuar që në fund të vitit 2009).

Vendimi i ministrit, data dhe vendimi për nxjerrjen e tarifave të reja në mes të 2010)

Vendimi i djeshëm
Qeveria, 12.7 miliardë leke për spitalet gjatë 2010

Fondi do të përdoret për barna dhe paga
Dje në mbledhjen e qeverisë u aprovua Vendimi për “Financimin e Shërbimeve Shëndetësore Spitalore për vitin 2010 nga Skema e Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Për vitin 2010 në këtë shërbim do të financohen 12.7 miliardë lekë për shpenzimet operative ose 14% më shumë se shpenzimet e vitit të kaluar si dhe 3.2 miliardë lekë investime buxetore do të shkojnë kryesisht për blerjen e medikamenteve. Nëpërmjet këtij vendimi sigurohet rritja e autonomisë së spitaleve në prokurimin e barnave dhe konsumabileve mjekësore duke rritur edhe gamën e tyre për tiu përgjigjur nevojave të pacientëve. Ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili është shprehur se ky vendim është rikonfirmim i mbështetjes së Qeverisë për përmirësimin cilësor të shërbimit spitalor. Objekti kryesor i reformës në financimin e shërbimit spitalor është rritja e eficencës së financimit dhe përmirësimi i performancës së këtij sistemi. Reformat e nisura nuk kanë kthim mbrapa. Po ashtu, në këtë vendim propozohet që standardet e spitaleve dhe treguesit e cilësisë e të performancës të miratohen nga Ministria e Shëndetësisë brenda datës 30.10.2010. Në vendim është caktuar që Ministria e Shëndetësisë të përcaktojë protokollet e diagnozës dhe të trajtimit për çdo shërbim brenda datës 30.10.1.2010. Gjithnjë sipas këtij vendimi më të fundit, Spitalet dhe ISKSH-ja janë të detyruara të llogarisin koston e çdo shërbimi, në përputhje me standardet e caktuara nga Ministria e Shëndetësisë brenda 1 viti pas miratimit të standardeve dhe protokolleve të diagnozës dhe të trajtimit.

Nuk arrihet të llogariten në kohë kostot, vonohet përgatitja e standardeve të mjekimit

Standardet dhe treguesit e cilësisë që duhet të miratoheshin deri në fund të vitit 2009, sipas vendimit të KM nr…janë shtyrëq derin në 30 tetor 2010. Po kështu, protokollet e diagnozave shtyhen gati një vit, kur ato dsuhet të kishin dalë në fund të vitit 2009 për të bërë të mundur nxjerrjen e kostove të shërbimeve shëndetësore deri në mes të vitit 2010. Mirëpo, me vendimin e fundit të MSH-së, kostot do të dalin brenda një viti pas miratimit të standardeve dhe protokolleve të diagnozës së mjekimit, që do të thotë se kanë afat deri në tetor 2011...
Ky lajm është publikuar: 19/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›