E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rritja e pensioneve për vitin 2010

Autori i Lajmit: Entela Duraj
Rritja e numrit të pensionistëve deri në vitin 2012 do të jetë 4 mijë persona çdo vit. Kjo lidhet me përfundimin e reformës së rritjes graduale të moshës së daljes në pension. Pra në vetëm 3 vjet parashikohet të kemi 12 mijë përfitues më shumë ( aktualisht janë 540 mijë pensionistë), që do të thotë më shumë lekë të dala nga buxheti i shtetit. Sipas pohimeve zyrtare deri më tani raporti kontribues-përfitues nuk e rrezikon skemën e sigurimeve shoqërore por nëse linja nuk ecën paralelisht atëherë raporti mund të çekuilibrohet. Përsa i përket rritjes së pensioneve tashmë është konfirmuar zyrtarisht që politika e rritjes së pensioneve do të vijojë të zbatohet edhe gjatë 2010-ës. Skema e rritjes së pensioneve për vitin 2010 do të jetë e përshkallëzuar në varësi të llojit të përfitimit, por treguesit përcaktojnë një rritje nga 7-15 për qind. Sipas të dhënave të deklaruara nga Ministria e Punës, pak kohë më parë është bërë e ditur që do të realizohen përmirësime në projektbuxhetin afatmesëm dhe atë të këtij viti, çka do të lejojë arritjen e objektivit që pensionet e qytetit të rriten 10 për qind çdo vit, ndërsa pensionet e fshatit të rriten 15 për qind në vit. Mbështetur edhe në parashikimet e projektbuxhetit afatmesëm 2010-2012, rritja e pensioneve për vitin 2010 është parashikuar në masën 7 për qind për qytetin dhe 15 për qind për fshatin.. Po ashtu, rritja e pensioneve për vitet në vazhdim 2011, 2012 e 2013 është parashikuar të jetë në masën 6 për qind për qytetin dhe 15% për fshatin. Do të vijojë rritja e diferencuar e masës së pensioneve për qytetin dhe fshatin, duke synuar përafrimin e masës së përfitimit për të dyja llojet e pensioneve. Ndërsa për fermerët është parashikuar që megjithëse kontributet e tyre do vazhdojnë të rriten, njëkohësisht do të vazhdojë edhe subvencioni nga buxheti i shtetit për kontributet që paguajnë fermerët, me synimin që për ata që do të dalin në pension në vitin 2013 do të kenë kushte të njëjta me pensionistët e qytetit, duke marrë kështu përfitimin maksimal. Politikat e rritjes së pensioneve, si element i rëndësishëm i mbrojtjes sociale, do të vazhdojnë me një ritëm mesatar rritjeje prej 10 për qind. Pra është parashikuar që në vitin 2012 e në vazhdim do të ketë një rritje të numrit të pensionistëve me rreth 4 mijë persona në vit, gjë që lidhet me përfundimin e reformës së rritjes graduale të moshës së daljes në pension. Nga ana tjetër të ardhurat kontributive parashikohet të rriten mesatarisht me 12-15 për qind në vit, duke arritur që në vitin 2013 të jenë rreth 50 për qind më të larta se tani.

Rritet pensioni i emigrantëve

“Ka një rritje të lehtë të çekut social: 411,53 euro në muaj, ose në qoftë se marrim parasysh trembëdhjetë pagesa, 5 349,89 euro në vit”

Emigrantët në shtetin fqinj Itali (shqiptarë dhe nga kombësi të tjera) do të përfitojnë nga rritja e çekut social apo thënë ndryshe rritja e pensioneve. Sipas të dhënave zyrtare që prej datës 1 janar, ka një rritje të lehtë të çekut social: 411,53 euro në muaj, ose në qoftë se marrim parasysh trembëdhjetë pagesa, 5 349,89 euro në vit. Ndryshon në këtë mënyrë një referim thelbësor për të gjithë të huajt në Itali. Çeku social derdhet nga INPS (Instituti i Sigurimeve Shoqërore në Itali) për të moshuarit me të ardhura të pakta. I takon qytetarëve italianë e të huaj që kanë mbushur 65 vjeç, jetojnë në Itali, janë këtu në gjendje të rregullt prej të paktën dhjetë vjetësh dhe kanë të ardhura vjetore më pak sesa vetë asistenca. Qytetarët jo komunitarë, pranohen vetëm nëse kanë lejen e qëndrimit ose lejen për “qëndrim në K.E. për kohë të gjatë”. Me këto kritere, janë të pakët emigrantët që kanë të drejtën e pagesës. Megjithatë, shuma e përgjithshme e pagesave, është një nga parametrat më të përdorshëm nga rregullorja për emigracionin, për të vlerësuar fuqinë ekonomike të të huajve, e si rrjedhim, për shembull, e drejta e tyre për të qëndruar në Itali ose për të sjellë këtu familjen e tyre. Për të rinovuar lejen e qëndrimit, është e nevojshme, ndër të tjerash, një e ardhur vjetore jo më e vogël se sa shuma e çekut social. E njëjta e ardhur shërben për të kërkuar bashkimin me vetëm një familjar, dhe rritet me gjysmën e shumës, për çdo familjar shtesë.

Ky lajm është publikuar: 19/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›