E Shtunë, 31 Tetor 2026

Universiteti, 20 të drejta studimi në Rusi

Qeveria ruse ofron njëzet bursa studimi për vitin akademik 2008-2009 për në universitetet publike, ku 15 janë për studime universitare dhe 5 për studime pasuniversitare. Kjo, në bazë të marrëveshjes bilaterale të bashkëpunimit në fushën e arsimit. Shteti paguan vetëm tarifën e shkollimit, ndërsa shpenzimet e tjera mbulohen nga studenti. Kështu që cilido që zgjedh Rusinë për të ndjekur shkollën e lartë duhet të paguajë vetë shpenzimet e ushqimit, të cilat shkojnë deri në 200 USD në muaj, si dhe sigurimin shëndetësor në shumën deri në 200 USD në vit. Për realizimin e programit të studimeve, të gjithë studentët që nuk dinë gjuhën ruse duhet t‘i nënshtrohen vitit përgatitor të gjuhës, i cili fillon në shtator 2008. Maturantët që kanë si preferencë Rusinë, duhet të paraqesin pranë Ministrisë së Arsimit një sërë dokumentesh që nisin me: Kërkesën e të interesuarit drejtuar MASH-it, duke specifikuar degën në të cilën kandidati dëshiron të studiojë; Vërtetimin e notave për tri vitet e para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Ky vërtetim duhet të jetë i firmosur nga Drejtoria ose Zyra Arsimore e rrethit përkatës; Raportin mjekësor për aftësi studimesh; Raportin mjekësor për virusin SIDA; Certifikatën e lindjes me fotografi; 4 Fotografi dokumenti (4x6). Afati i fundit i dorëzimit të dokumenteve të kandidatëve në Sektorin e Marrëdhënieve me Jashtë në MASH është data 15 prill 2008.

Përpos Rusisë, shteti ynë ka marrëveshje edhe me Kinën, Greqinë, Turqinë, Poloninë dhe Çekinë. Këto bursa mund të fitohen me konkurrim me dosje mes konkurrentëve. Përzgjedhja bëhet nga Ministria e Arsimit dhe ambasada përkatëse e secilit shtet. Shtete si Greqia apo Turqia kanë vendosur kritere specifike siç është përkatësia etnike apo shkolla që ndjek aplikanti. Një vit më parë, ambasada greke zgjodhi vetëm studentët nga minoriteti grek në Shqipëri. Ndërsa, pala turke kërkon që, ata që ndjekin shkollën verore, të jenë nga kursi i turqishtes në fakultet. Për këtë vit qeveria turke ofron 10 bursa universitare në kuadrin e "Programit të Madh të Nxënësve". Të gjithë aplikantët e interesuar për këto bursa, duhet t‘i nënshtrohen një konkurrimi që organizohet nga ambasada turke në Tiranë më datën 20 prill 2008.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›