E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH: Pacientët, bum vizitash tek mjeku i familjes



Rritet ndjeshëm numri i pacientëve që kryejnë vizita mjekësore pranë mjekëve të familjes. Sipas të dhënave të Institutit të Sigurimeve dhe të Kujdesit Shëndetësor, gjatë dy viteve të fundit ka rritje të numrit të vizitave që kryejnë mjekët e familjes deri në 54 për qind. Numri i vizitave që kryen një mjek familjeje gjatë një dite është rritur ndjeshëm krahasuar me vitet e mëparshme. Rritja konstante e aktivitetit të mjekëve në zonat urbane dhe rurale, respektivisht në nivel rajoni është 5.9 vizita në 2006, 7.8 vizita në 2007 dhe 9.1 vizita në 2008, duke iu referuar të dhënave të Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor. Drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, znj. Elvana Hana, zhvilloi një vizitë në qendrën shëndetësore të Sarandës e cila ka përballuar një fluks të konsiderueshëm pacientësh gjatë sezonit turistik. “Vërej me kënaqësi se kushtet në të cilat ju punoni janë mjaft të mira dhe me nisjen e reformës në shërbimin shëndetësor parësor, edhe shpërblimi financiar për personelin shëndetësor është rritur në bazë të cilësisë së shërbimit kundrejt pacientëve”, - u shpreh drejtoresha e ISKSH-së në takimin e zhvilluar me mjekët e qendrës shëndetësore të qytetit të Sarandës.

E shprehur në përqindje, numri mesatar ditor i vizitave për mjek krahasuar me vitin 2006, është rritur me 32 për qind në vitin 2007 dhe 54 për qind në vitin 2008. Ndërsa krahasuar me vitin 2007, në vitin 2008, kemi një rritje me 17 për qind.

Ndërkohë, sipas të dhënave, standardi i kërkuar është 12 vizita në ditë nga mjeku i përgjithshëm i familjes për të gjitha grupmoshat në qendrat shëndetësore për zonat urbane, 9 në zonat fushore e kodrinore, 6 në zonat malore e malore e thellë dhe 10 për mjekë për fëmijë e specialistë të kontraktuar me ISKSH-në.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›