E Shtunë, 31 Tetor 2026

ISKSH dhe Urdhri i Mjekut, vëzhgime intensive ndaj bluzave të bardha

Hana: Etika e mjekëve lë për të dëshiruar, do survejojmë shërbimet në spitale


Që prej këtij muaji në të gjitha spitalet e kryeqytetit do të vihet në zbatim kontrolli për etikën e mjekëve dhe sjelljet e tyre gjatë shërbimeve që kanë të bëjnë direkt me vetë pacientin. Kjo nismë  e re u propozua ditën e djeshme në një aktivitet organizuar  për Asamblenë Kombëtare të Urdhrit të Mjekëve nga vetë drejtoresha e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit

Shëndetësor Elvana Hana. Gjatë fjalës së saj Hana përshëndeti ditën e djeshme Asamblenë Kombëtare të Urdhrit të Mjekut të zhvilluar në Hotel Tirana për të gjitha hallkat e përparësitë që ka ky institucion në lidhje me ankesat e qytetarëve dhe me zgjidhjen e tyre. Në pjesëmarrjen e saj në këtë aktivitet Hana deklaroi edhe nismën më të re që do të jetë bashkëpunimi midis Urdhrit të Mjekut dhe institucionit që ajo drejton. Hana vlerësoi gjithashtu rolin e rëndësishëm të këtij Institucioni duke vënë theksin te rritja e peshës së tij sa i takon etikës së mjekëve. Në këtë kuadër, drejtoresha e ISKSH-së kërkoi që të bashkëpunohet me Urdhrin e Mjekut në çdo kontroll që kryen ISKSH, përsa i takon zbatimit të etikës nga ana e mjekëve në të gjitha nivelet e shërbimit. Bashkëpunimi i Drejtorive tona rajonale me strukturat e Urdhrit të Mjekut do ti bëjë më efikase kontrollet tona, tha Hana. Ajo vlerësoi  ndër të tjera rolin pozitiv që ka luajtur Urdhri i Mjekut gjatë implementimit të reformës në shërbimin shëndetësor parësor dhe shprehu domosdoshmërinë e vijimit të bashkëpunimit me këtë Institucion në kuadër të reformës spitalore. Por drejtoresha e ISKSH-së nuk nguroi të deklarojë edhe faktin se ka shumë raste kur mjekët lënë për të dëshiruar me sjelljet e tyre gjatë shërbimeve në spital e kjo gjë shënon në radhë të parë pacientët por edhe etikën e mjekut e cila duhet të jetë në parametra tepër të lartë. Sipas Hanës nisma e re e kontrolleve intensive nga ISKSH dhe Urdhri i Mjekëve do të fillojë sa më shpejt të jetë e mundur duke bërë që etika e mjekëve të jetë një nga pikat e forta të ambienteve spitalore. Shpesh herë janë evidentuar raste që etika e mjekëve ose sjellja e tyre me pacientët ka qenë një ndër problemet në pavijonet e spitaleve. Kanë qenë vetë pacientët që në shumë raste janë ankuar për sjellje indiferente apo jo normale të mjekëve ndaj tyre. Madje nuk kanë qenë të pakta edhe rastet kur pacientët janë përzënë ose janë ofenduar nga vetë mjekët. Por edhe nga Urdhri i Mjekëve, nuk kanë qenë të pakta rastet kur janë ndëshkuar ashpër rastet e mjekëve të cilët kanë abuzuar me pacientët. Ky institucion është i vetmi ku pacientët mund të dërgojnë ankesat dhe mund të denoncojnë  çdo pakënaqësi apo shkelje që ju bëhet nga mjekët


Etika e mjekëve
Rreth dy muaj më parë ka qenë vetë Ministri i Shëndetësisë Vasili i cili në një analizë vjetore të shëndetësisë në një nga qytetet e vendit e ka lakuar etikën e mjekëve si një ndër pikat e errëta të Shëndetësisë Shqiptare. Përveç vlerësimit mbi parametrat e punës në spitale kreu i Shëndetësisë ka folur dhe mbi etikën e mjekëve ndaj pacientëve, që është bërë shpesh shkak i problemeve të ndodhura në spitale. Një problem shumë delikat është problemi, i lënë pas dorë përgjithësisht, raporti etik midis pacientit e familjarëve dhe mjekëve dhe infermierëve, ka thënë Vasili dy muaj më parë. Sipas Vasilit edhe në QSUT, fjala e pacientit dhe qytetarit mbizotëron mbi tuajin për çështjet e etikës. Për çështjet e diagnozës dhe asaj se si do të trajtohet i sëmuri nga ana mjekësore mbizotëron fjala e mjekut, pra ky raport është i padiskutueshëm, është shprehur Ministri i Shëndetësisë Vasili.

Arta AGOLLI

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›