Tregtimi i fishekzjarrëve i pakontrolluar nga institucionet
Eljona Lata
Tregtimi i fishekzjarrëve mbetet edhe këtë vit jashtë kontrollit të autoriteteve përkatëse për cilësinë e tyre. Tregtimi i tyre ka rreth një muaj që ka nisur në tregjet e gjithë vendit. Në një vëzhgim të bërë nga gazeta “Albania” në disa prej pikave të tregtimit në Tiranë rezulton se shumica e shitësve nuk ka dijeni për përdorimin e fishekzjarrëve. Pavarësisht krizës ekonomike tregjet shqiptare janë të mbushur me tezga të shumta të tregtimit të fishekzjarrëve. Sipas tregtarëve, blerësit më të mëdhenj të këtij produkti janë fëmijët, të cilët nuk janë në dijeni të rrezikut që shfaq shpërthimi i tyre. Por incidentet kanë qenë të shumta nga pakujdesi dhe mungesa e informacionit. Duke pasur parasysh eksperiencat e viteve të kaluara më të dëmtuarit nga lëndët shpërthyese të fishekzjarrëve kanë qenë fëmijët. Pasojat kanë qenë nga më të ndryshmet, ndërsa shkaqet që janë evidentuar ka qenë mungesa e duhur e përdorimit dhe skandenca e mallrave që janë hedhur në treg. Tregtarët shprehen se janë të detyruar për të shitur mallin e tyre, pavarësisht nga grupmosha që kanë. Çmimet e tyre qëndrojnë në shifra të larta, por gjithsesi ata tregtohen mjaft.
Rrezikshmëria
Nuk ka një ndarje të llojeve të fishekzjarrëve, lidhur me rrezikshmërinë që shfaqin. Edhe vetë tregtarët nuk zotërojnë një informacion paraprak përsa i përket rrezikshmërisë. Kur i pyet ata nuk japin një përgjigje të saktë por thjesht thonë që duhen mbajtur fort në dorë se kanë shumë fuqi të madhe gjatë shpërthimit. Por eksperienca e viteve të kaluara ka treguar se një pjesë e fishekzjarrëve, të cilët mbahen në dorë kanë shkaktuar incidente nga plasja dinamitit që mban brenda. Edhe pse Ministria e Mbrojtjes në dhjetor të 2004-s ka miratuar, ligjin, ku sipas të cilit duhet të kontrollohen të gjithë subjektet që importojnë fishekzjarrë, ende nuk është marrë një masë e tillë. Normat e lejueshme për materialet piroteknike janë të përcaktuara me ligj dhe çdo firmë private, para se të marrë të drejtën e importit, duhet të paraqesë listën e materialeve që nuk paraqesin rrezikshmëri të lartë. Por edhe këtë vit, në sasinë e importuar nuk munguan materiale të një rrezikshmërie të lartë, gjë që nuk mund të shmangë një sërë incidentesh në qytete të ndryshme të vendit, në natën e ndërrimit të viteve ku të gjithë hedhin fishekzjarrë.
Çmimet
Në disa pika të tregtimit në Tiranë, tregtarët theksojnë se çmimet e fishekzjarrëve varrojnë nga 70 lekë deri në 1000 lekë të reja. Më të shtrenjtit janë fishekzjarrët raketë, të cilët vendosen në tokë dhe kushtojnë 1000 mijë lekë. Ndërsa më të lirët janë fishekzjarrët që kushtojnë 70 lekë, të cilët mund të përdoren edhe nga fëmijët, por edhe këta tipe fishekzjarrësh nuk janë plotësisht të sigurt. Sipas tregtarëve më shumë janë shitur ata fishekzjarrë që kushtojnë 600 lekë. Këta lloj fishekzjarrësh nuk mund të mbahen në dorë por nga eksperienca ka treguar se nuk janë të sigurt dhe kanë shkaktuar mjaft incidente nga shpërthimi i dinamitit. Mallrat e fundit të fishekzjarrëve që janë futur në tregjet Shqiptare janë të prodhimit Kinez. Tregtarët shprehen se në krahasim me një vit më parë çmimet janë rritur mjaft. Para një viti çmimi minimal ka qenë 100 lekë për copë, ndërsa çmimi më i lartë ka qenë 4 mijë lekë për fishekzjarrët më të fuqishëm. Edhe pse ka një rritje e konsiderueshme, qytetarët nuk kursehen të blejnë fishekzjarrë për ditën e ndërrimit të viteve.
Policia e kryeqytetit, plan masash për festat e fundvitit
TIRANË – Policia e kryeqytetit bëri të ditur planin e masave për garantimin e rendit dhe sigurisë gjatë festave të fundvitit. Aksidenti i ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës, ku gjetën vdekjen 3 persona dhe u plagosën katër të tjerë, nxiti efektivat e Policisë së Qarkut të Tiranës që të rrisin kontrollet. Përmes një komunikate për mediat, policia e kryeqytetit njoftoi planin e masave gjatë ditëve të ndërrimit të viteve për parandalimin e ngjarjeve kriminale apo ngjarjeve të tjera që cenojnë rendin e qetësisë publike. Disa prej tyre janë: masat e parandalimit, zbulimit dhe goditjes në kohë të çdo lloj tendence kriminale; rritjen e sigurisë në rrugë dhe parandalimin e ngjarjeve aksidentale; sigurimin e rendit dhe qetësisë në të gjithë territorin e Qarkut të Tiranës, e në veçanti, në qendrat tregtare, bulevardet dhe sheshet kryesore si dhe në lokalet ku qytetarët do të festojnë ndërrimin e viteve; sigurimin e ambasadave, rezidencave të tyre, objekte të rëndësishme, duke përfshirë edhe në nënstacionet elektrike e depot e ujit; bashkëpunimin me shërbimet e emergjencës si: ambulancat, zjarrfikësit, etj. Ndër pikat kryesore është shmangia e aksidenteve. Që prej ditës së shtunë, policia e qarkullimit ka njoftuar se do të ketë ndëshkime të rrepta ligjore për drejtuesit e mjeteve që përdorin alkool apo ecin me shpejtësi tej normave të lejuara. Në orët e para të mëngjesit të së dielës, dy mjete u përplasën me njëri-tjetrin, duke sjellë vdekjen e tre shtetasve dhe plagosjen e katër të tjerëve. Burimet policore raportuan se drejtuesit e mjeteve ishin në gjendje të alkoolizuar, pasi kishin kaluar natën në lokalet e kryeqytetit. Drejtuesit e policisë së kryeqytetit iu bëjnë apel qytetarëve që të kenë kujdes gjatë përdorimit të fishekzjarrëve. Gjatë festave të fundvitit, janë jo të pakta rastet e aksidenteve, apo të lënduarve nga përdorimi i fishekzjarrëve në mjediset publike në kryeqytet.
29 Dhjetor 2009