E Diel, 1 Nëntor 2026

ISKSH. Çfarë përfitojnë mjekët e Tiranës nga paketa e re e shërbimeve

Shërbimet e reja shtesë sipas qendrave shëndetësore në favor të pacientëve. Nënshkruhen kontratat e reja me 413 qendrat shëndetësore në të gjithë vendin

Emanuela Sako

Paketa e re e shërbimeve përfshin favore për mjekët dhe pacientët. Për mjekët që do të punojnë më shumë do të ketë shtesë mbi pagë. Ndërsa pacientët do të gjejnë më shumë shërbime se sa kanë marrë deri sot nëpër poliklinikat e lagjeve ku banojnë. ISKSH-ja ka përcaktuar një paketë të re shërbimesh në të gjitha qendrat shëndetësore të vendit gjatë lidhjes së kontratave për 2009-n. Paketa e re e shërbimeve është shpërndarë në të gjitha qendrat shëndetësore, është përcaktuar në bazë të aktivitetit që kryhet në terren lista e medikamenteve që duhet të jenë prezent në QSH-të për trajtimin e rasteve urgjente. Pjesë e kësaj pakete është rritja e vlerësimit për mjekun në rastet e punës së kryer në terren, ku do të përfitojë 11.000 lekë mbi pagën bazë. Drejtoresha e IKSSH-së, Elvana Hana, u shpreh se shërbimet parësore që përfshihen në paketë janë 7 shërbime bazë mjaft të detajuara. Sipas saj, të gjithë pacientët që do të drejtohen në qendrat shëndetësore do të njihen me të gjitha shërbimet që do të ofrohen nga spitalet dhe së bashku me to dhe kostot reale. Një ndryshim tjetër është që receta e lëshuar nga mjeku për personat e siguruar do të jetë ndryshe nga receta që do t’u jepet personave të pasiguruar. Shërbimi i urgjencës, që është një shërbim i ri në këto qendra, përcakton të gjitha medikamentet që do të duhen për të tilla raste.
Paketa
Paketa e re e shërbimeve shëndetësore në shërbimin parësor përfshin edhe listën e barnave të urgjencës që duhet të ketë një qendër shëndetësore. Kjo listë standardizon këtë shërbim në të gjithë vendin, përcakton emrat e 68 barnave dhe materialeve të konsumit që duhet të ketë një qendër shëndetësore për trajtimin e urgjencave. Kështu, këto medikamente fillojnë që nga serumet deri në trajtimin e rasteve urgjente me sëmundje nervore, astmatike, shoku anafilaktik, etj. Kjo paketë e detajuar shërbimesh për qendrat shëndetësore do të ndihmojë shumë për kostifikimin e shërbimeve, do të ndihmojë qendrat shëndetësore në aktivitetin e përditshëm, i shërben ISKSH-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë për monitorimin e Qendrave Shëndetësore dhe hartimin e politikave etj.
Ndryshimet
Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor ka hartuar dhe miratuar kontratat e reja me 413 qendrat shëndetësore në të gjithë vendin. Ndryshe nga viti i kaluar, këtë vit kontratat shoqërohen me një paketë shërbimesh të mirëdetajuar, e cila do të shërbejë edhe për kostifikimin e shërbimeve shëndetësore.
“Kjo paketë e plotë shërbimesh është një sukses i madh pasi me këtë kontratë ne kemi arritur t’u përafrohemi jo vetëm niveleve ballkanike, por atyre europiane. Instituti në këtë mënyrë bëhet blerës real i shërbimeve shëndetësore, sikurse është roli i tij në strategjinë afatmesme dhe afatgjatë të shëndetësisë”, - u shpreh në një prononcim për mediat drejtoresha e ISKSH-së Elvana Hana. Kontrata e re e vitit 2009 saktëson rolin e drejtuesit të qendrës shëndetësore duke vënë theksin edhe te përgjegjësitë që ai ka si dhe një pikë tjetër e rëndësishme e kësaj kontrate është dixhitalizimi i aktivitetit të përditshëm të stafit mjekësor.

Shtatë shërbimet bazë
Kujdesi për rastet e urgjencave
Kujdesi shëndetësor për fëmijët
Kujdesi shëndetësor për të rriturit
Kujdesi shëndetësor për gratë dhe shëndeti riprodhues
Kujdesi shëndetësor për të moshuarit
Kujdesi shëndetësor mendor
Promocioni dhe edukimi shëndetësor

Paketa e Shërbimeve Shëndetësore të Kujdesit Shëndetësor Parësor që duhet të ofrojë Qendra Shëndetësore
Kujdesi për të rriturit:
Diagnozat kryesore dhe mjekimi i sëmundjeve
Hipertensioni
Dhembjet e gjoksit
Angina / sëmundja e ishemisë së zemrës
Insuficienca kardiake
Diabeti
Infeksionet e aparatit urinar
Anemia
Astma
Dhembjet akute të mesit
Depresioni
Ankthi
Infeksionet e rrugëve të frymëmarrjes te të rriturit
Problemet e lëkurës
Problemet e prostatit
Dhembjet e kokës
Artriti ose dhembjet e kyçeve

Kujdesi për fëmijën:
Monitorimi i rritjes dhe zhvillimit të fëmijës
Imunizimi

Shëndeti i gruas dhe kujdesi shëndetësor riprodhues:
Planifikimi familjar
Sëmundjet ose infeksionet seksualisht të transmetueshme
Vizita e gjirit
Analiza e qafës së mitrës
Menopauza
Shtatzënia normale
Diagnostikimi klinik dhe mjekimi gjatë shtatzënisë
Kujdesi pas lindjes
Shërbimet parandaluese

Kujdesi për rastet urgjente:
Menaxhimi fillestar dhe stabilizimi i problemeve urgjente:
Ataket e zemrës
Dhembjet e gjoksit
Frakturat
Kujdesi për gërvishtjet/plagët

Paketa e re ka këto ndryshime:

Janë përcaktuar karakteristikat e QSH-ve, që do të thotë: misioni, vizioni, vlerat, parimet bazë të Kujdesit Shëndetësor Parësor (KSHP);
Janë përfshirë të drejtat dhe detyrat e pacientit.
Janë vendosur nevojat e personelit në QSH.
Në kapitullin Shërbimet Bazë në KSHP, për çdo shërbim është përcaktuar si më poshtë: përshkrimi i shërbimit, qëllimi i tij, nozologjitë (rastet) që trajton, kujdesi parandalues dhe edukimi i pacientit/familjes, aftësitë që duhet të ketë personeli shëndetësor për kryerjen e shërbimit, çfarë rastesh rekomandon, shërbimet që kryhen në komunitet, standardet që duhet të zbatohen, pajisjet e duhura, mjekimet dhe materialet e konsumit që nevojiten, dokumentacioni mjekësor që plotësohet.
Kujdesi për rastet urgjente është ndarë në shërbim me 1 turn dhe 3 turne, për të dhënë mundësinë që QSH-të, sipas një liste të përcaktuar nga ISKSH-ja dhe MSH-ja me marrëveshje, të kenë mundësi që të organizojnë punën brenda QSH-ve pa ndërprerje;
Kujdesi shëndetësor për të rriturit është ndarë në tri pjesë për shkak të karakteristikave të sëmundshmërisë që kanë të rriturit 14-65 vjeç, të moshuarit mbi 65 vjeç si edhe kujdesi shëndetësor mendor.
Janë përcaktuar saktë aktivitetet që duhet të kryejë stafi mjekësor për promocionin dhe edukimin shëndetësor, të cilët janë elemente të pagesës së mjekut sot sipas Udhëzimit Nr. 9, datë 31.07.2008.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›