E Diel, 1 Nëntor 2026

OSBE: Ulja e remitancave, me pasoja për ekonominë shqiptare

Kreu i Prezencës, Robert Bosh, lëshon alarmin për uljen e remitancave. Diskutohet roli që duhet të luajë emigrimi dhe menaxhimi i kufijve

Ulja e remitancave pritet të ketë ndikime serioze mbi ekonominë shqiptare gjatë periudhës së krizës globale. Ky është paralajmërimi që dha dje përfaqësuesi i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh. Gjatë Konferencës së Dytë Përgatitore të Forumit të 17-të Ekonomik e Mjedisor të OSBE-së janë diskutuar problemet e menaxhimit të emigracionit dhe lidhjet e tyre me politikat ekonomike, sociale dhe mjedisore. Ky aktivitet vjen pas një sërë sinjalesh që ka dhënë Banka Botërore, FMN-ja dhe organizata të tjera për pasojat e krizës në vendet e varfra, ku edhe Shqipëria pritet të preket prej saj.
Kriza ekonomike
Ambasadori Robert Bosh, kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, theksoi rëndësinë e remitancave të emigrantëve që punojnë nëpër botë, të cilat për vitin 2008 janë llogaritur rreth 700 milionë euro. “Këto të ardhura janë nxitje për biznesin e brendshëm dhe japin mbështetje për shumë familje, veçanërisht në zonat e varfra. Ulja e tyre në kohën e krizës ekonomike mund të ketë pasoja negative dhe kjo çështje duhet të trajtohet”, - tha Bosh dje për të pranishmit në konferencë. Të njëjtën problematikë e trajtoi edhe koordinatori i OSBE-së për çështjet Ekonomike dhe Mjedisore, Goran Svilanoviç. Duke iu referuar krizës ekonomike, ai tha: “Kanalet ligjore të emigrimit duhet të mbeten të hapura dhe duhet të zhvillohen më tepër”. Gjatë vitit 2008 janë regjistruar rreth 13% më pak të ardhura nga remitancat sesa në vitin 2007, të cilat përllogariteshin në rreth 1 miliard euro. Ndërsa këtë vit, sipas Bankës Qendrore, ato do të ulen në rreth 20%. Remitancat janë një burim i jashtëzakonshëm për balancimin e deficitit tregtar të Shqipërisë dhe në këtë periudhë kjo ulje do të ketë ndikime të mëdha në ekonominë e vendit tonë.
Problemet
"Formulimi i politikave të migrimit duhet të realizohet mbi vlerësime të sakta të realitetit ekonomik, duke përfshirë dhe parashikimet e nevojave të tregut të punës", - u shpreh ministri i Brendshëm Bujar Nishani. Sipas tij, “për të përmirësuar kanalet për migrimin legal dhe reduktimin e emigracionit ilegal dhe të gjithë aktiviteteve të paligjshme që lidhen me këtë fenomen, një rol shumë të rëndësishëm luan edhe menaxhimi i kufijve dhe bashkëpunimi ndërinstitucional”. Ai shtoi se është duke u zbatuar strategjia dhe një plan veprimi për menaxhimin e integruar të kufijve, përfshirë edhe ligjin e ri të policisë së shtetit.
Alexandros Tsiatsiamis, sekretari Special për Programet e Zhvillimit Ndërkombëtar në Ministrinë e Jashtme greke që mban edhe kryesinë e radhës së OSBE-së, kërkoi një bashkëpunim më të thelluar të shteteve anëtare të OSBE-së dhe partnerëve të tyre në lidhje me çështjet që kanë të bëjnë me migracionin.
Në periudhën e sotme të lëvizjes së paprecedentë nevojitet në mënyrë urgjente një shikim gjithëpërfshirës i ndikimit të emigracionit në ekonomi, në jetën sociale dhe mjedisin për vendet e origjinës, ato tranzite dhe vendet ku shkojnë.
Konferenca, e organizuar nga kryesia greke e OSBE-së dhe Zyra e OSBE-së për Koordinimin e Aktiviteteve Ekonomike dhe Mjedisore, është mbështetur nga Ministria e Brendshme e Shqipërisë dhe Prezenca e OSBE-së në vendin tonë. Në tryezën e djeshme morën pjesë rreth 170 përfaqësues nga 69 vende, si dhe përfaqësuesit e trupit diplomatik të akredituar në Tiranë. Pjesa e dytë e këtij forumi do të zhvendoset në Athinë më 18-20 maj.

A. Gj.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›