E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, përcakton qendrat ku duhet të tërhiqen certifikatat

Instituti Italian i Kulturës: Gati certifikatat “Celi 3” për provimin më 10 nëntor 2008.

Jonida Tashi

Dalin certifikatat “Celi 3” për maturantët shqiptarë që i janë nënshtruar provimit të gjuhës italiane më datën 10 nëntor 2008. Lajmi bëhet i ditur nga Instituti Italian i Kulturës në Tiranë, i cili ka përcaktuar edhe qendrat ku të rinjtë duhet të paraqiten për të tërhequr certifikatën. Instituti Italian i Kulturës njofton se kandidatët për studentë me banim në Tiranë, të cilët më datë 10 nëntor 2008 kanë dhënë provimin “Celi 3”, mund të tërheqin certifikatat e lëshuara nga Universiteti për të Huaj i Peruxhias pranë këtij instituti.
Orari
Orari javor i përcaktuar nga Instituti Italian për marrjen e certifikatës është nga e hëna në të premte, nga ora 15:00 deri në orën 16:30. Ndërsa të gjithë studentët e tjerë, që nuk banojnë në Tiranë, duhet të kontaktojnë përgjegjësit lokalë të kurseve të gjuhës italiane për t’u pajisur me certifikatën e njohjes së kësaj gjuhe, “Celi 3”. Rezultatet e provimit të gjuhës “Celi 3” për të gjithë kandidatët që duan të vazhdojnë studimet e larta në Itali janë publikuar nga Instituti Italian i Kulturës më datë 16 shkurt të këtij viti. Provimet për njohjen e gjuhës italiane organizohen nga Instituti Italian i Kulturës pranë tri konsullatave italiane: të Tiranës, Shkodrës dhe Vlorës, të cilat shërbejnë edhe për t’u pararegjistruar në universitetet italiane. Në bazë të kalimit të provimit të njohjes së gjuhës italiane do të mund të procedohet më tej në aplikimin për të filluar studimet në universitetet italiane. Marrja e provimit të gjuhës është prova e parë që duhet të kalojë një maturant për të nisur studimet në Itali. Pajisja me certifikatën “Celi 3” i paraprin regjistrimit të tyre në universitetet italiane.
Aplikimi
Ambasada Italiane bën publike rregullat që duhet të ndjekin të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të ndjekin studimet e larta në Itali. Aplikimi për të ndjekur studimet në këtë vend nis me marrjen e provimit të gjuhës italiane “Celi 3”. Menjëherë pas shpalljes së këtyre rezultateve, kandidatët për studentë që duan të vazhdojnë universitetin në Itali duhet të nisin fazën e regjistrimit paraprak. Kandidatët për studentë në njërin nga fakultetet italiane fillimisht duhet të plotësojnë formularin e regjistrimit e më pas të marrin në dorëzim një zarf, brenda të cilit do të përfshijnë të gjitha dokumentet e nevojshme. Për këtë, secili prej tyre duhet të paraqitet te kancelaria konsullore e Ambasadës Italiane në Tiranë me disa dokumente, të cilat jo vetëm që duhet të jenë origjinale, por duhen shoqëruar edhe me fotokopje të noterizuar.

Formularët e aplikimit

Formularët e aplikimit për ndjekjen e studimeve në universitetet italiane janë dy: formulari “Modello A” dhe formulari “Autentica di foto”. Në formularin e parë, i cili është më i rëndësishëm, kandidati përcakton se cila do të jetë lënda ku dëshiron të studiojë, qyteti dhe universiteti. Pas plotësimit kandidatët nuk kanë të drejtë të ndryshojnë asgjë nga ato të dhëna që kanë deklaruar me shkrim. Të dy formularët duhet të plotësohen në çdo pjesë të tyre, formulari “Modello A” (në dy faqe), formulari “Autentica di foto” (një faqe). Vetëm pasi t’i keni plotësuar bëni një fotokopje të thjeshtë të panoterizuar për secilin formular: për formularin “Modello A” fotokopje para dhe mbrapa, ndërsa për formularin “Autentica di foto” një fletë. Studentët që e kanë mbaruar shkollën e mesme duhet të dorëzojnë Dëftesën e Pjekurisë në origjinal. Në rast se e kanë humbur atë, duhet të dorëzojnë një vërtetim zëvendësues me fotografi, me notat e të katër viteve, së bashku me ato të provimeve të Maturës Shtetërore. Gjithashtu, Dëftesës së Pjekurisë ose vërtetimit zëvendësues të saj duhet t’i bashkëngjitet edhe mesatarja e katër viteve të shkollës së mesme. Ndërsa kandidatët për studentë, të cilët aktualisht janë në vitin e fundit të shkollës së mesme dhe do ta marrin Dëftesën e Pjekurisë gjatë verës 2009, do të paraqesin vërtetimin me nota, me notat e të gjitha viteve dhe të semestrit në vazhdim, pra të vitit I, II, III dhe semestrit I të vitit IV apo V (varet nga lloji i shkollës që po mbarojnë). Në plotësimin e dy formularëve të mësipërm nevojitet edhe fotokopja e dy faqeve të para të pasaportës, si dhe dy fotografi me ngjyra për pasaportë.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›