E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministrja Godo: “QSUT-ja do të ketë një qendër të re traumatologjie”



Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, deklaroi se shumë shpejt spitalit të ri të QSUT-së do t’i shtohet edhe një qendër e re traumatologjie. Kjo qendër do të jetë e pajisur me 30 shtretër, pasi numri i aksidenteve është rritur së tepërmi. Ndërkohë që Qendra aktuale Traumatologjike, në Spitalin Ushtarak, do të vazhdojë të funksionojë. “Kemi një numër të madh aksidentesh që vijnë nga të dyja linjat, qoftë nga rruga e Shkodrës, qoftë nga autostrada. Pra, të qenit e asaj qendre aty është një komoditet që këta pacientë të mbërrijnë sa më shpejt në vendin e duhur. Por, mendoj që meriton të kemi dhe një qendër të mirë traumatologjie dhe kështu do të jetë. Kam kënaqësinë t’ju them që në spitalin e ri që po ngrihet, në një kat, një pjesë e këtij kati është menduar për 30 shtretër të traumatologjisë”, - u shpreh Godo. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, këto deklarata i bëri gjatë fjalës për njëvjetorin e tragjedisë së Gërdecit. Ministrja Godo shprehu mirënjohjen për tërë strukturat që përballuan tragjedinë e Gërdecit.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›