E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria, 12 direktivat e NATO-s që duhet të zbatohen

Një nga detyrimet, hartimi i një liste me 10 mijë ushtarakë në rezervë. Përparësi repartet prioritare, njësitë paqeruajtëse dhe personeli pranë NATO-s

Laureta Rryçi

Tiranë - Edhe pse Shqipërisë i kanë mbetur vetëm pak ditë për të qenë plotësisht anëtare e NATO-s, për Forcat e Armatosura beteja e reformave ende s’ka mbaruar. Së paku kanë mbetur edhe 12 direktiva për t’u plotësuar nga ushtarakët shqiptarë. Burime pranë Ministrisë së Mbrojtjes shpjeguan dje për gazetën “Albania” se për Forcat e Armatosura këto direktiva kanë nisur të zbatohen duke kryer në kohën e duhur reformat e duhura. Në këto direktiva është zbardhur dhe kushti, sipas të cilit duhet të hartohet një listë me emrat e 10 mijë ushtarakëve në rezervë. Këto do të mbahen për t’u thirrur në raste fatkeqësish apo lufte. Ndërkohë janë përcaktuar gjithashtu repartet që do të kenë prioritet. Prioritet do të ketë trupa e nënoficerëve dhe roli i tyre në strukturat e FA-së në të gjitha nivelet e komandim-drejtimit.
Transformimi
Procesi i vlerësimit të mbrojtjes ka për qëllim kryesor transformimin e Forcave të Armatosura në forcë ushtarake të modelit perëndimor. Procesi i modernizimit të FA-së pritet të përfshijë sistemet më kryesore të armatimit dhe pajisjeve që janë të domosdoshme për transformimin e FA-së. Theksi do të jetë blerja e pajisjeve, të cilat konsiderohen si më vendimtare për realizimin e procesit të integrimit. Plani i modernizimit të sistemeve dhe pajisjeve të FA-së do të përqendrohet në blerjen e sistemeve dhe pajisjeve të ndërveprueshme me NATO-n, të kërkuara për përmbushjen e objektivave të partneritetit. Forcat e Armatosura do të vazhdojnë transformimin bazuar në vlerësimin e mbrojtjes dhe udhëzimet që lidhen me krijimin e Komandës së Bashkuar Operacionale për centralizimin e planifikimit dhe drejtimit të njësive prioritare të tyre. Komanda e Bashkuar Operacionale do të përfshijë komponentët: tokësor, detar, ajror.
Personeli
Ministria e Mbrojtjes dhe Forcat e Armatosura duhet të zhvillojnë programe mbrojtjeje që mbajnë, tërheqin dhe trajnojnë personelin civil e ushtarak me aftësi dhe motivim të lartë. Burimet njerëzore mbeten elementi më i rëndësishëm i transformimit të FA-së. Kjo kërkon vazhdimin e reformave për konsolidimin e sistemit të menaxhimit të personelit. MM dhe FA do të zhvillojnë një Program Mbrojtjeje që do të rezultojë në Sistemin e Menaxhimit të Centralizuar të Personelit (SCMP). Programi i SMCP do të mbështetet nga një sistem i automatizuar e integruar i menaxhimit të të dhënave të personelit, për të gjithë ciklin jetësor të tij, duke përfshirë klasifikimin, rekrutimin, kompensimin, emërimin, zhvillimin profesional, gradimin, lirimin dhe daljen në pension të personelit ushtarak dhe civil. MM dhe FA duhet të zhvillojnë dhe mbështesin programe mbrojtjeje që sigurojnë mundësi të barabarta të kategorive të personelit: oficerët e nënoficerët, profesionistët, ushtarët e shërbimit të detyrueshëm dhe nëpunësit civilë. MM dhe FA duhet të zhvillojnë programe mbrojtjeje për të identifikuar burimet e kërkuara, për të integruar në jetën civile personelin e liruar nga reforma. Përpjekje do të bëhen për të mbështetur këtë kategori me programe nga vende donatore dhe NATO-ja.
Njësitë e FA do të plotësohen me personelin e kërkuar, të kualifikuar e të motivuar për të kryer misionin e caktuar. Deri në fund të vitit 2007, FA do të sigurojnë plotësimin me personel në nivelet e përcaktuara për njësitë prioritare, në përputhje me Tabelat e Organizimit dhe Pajisjeve. Strategjia dhe Politikat e Programeve të Mbrojtjes në fushën e personelit do të fokusohen në vendosjen dhe menaxhimin e një force të vogël profesioniste që përgatisin dhe motivojnë personelin për të qenë i gatshëm të përmbushë misionet që i janë caktuar brenda vendit dhe jashtë tij, sipas standardeve të NATO-s.

Iniciativat për personelin

Përmirësimi dhe zbatimi i politikave të veçanta për personelin
nga strukturat vendimmarrëse,

Përmirësimi i bazës ligjore,

Rritja e motivimit përmes rritjes së nivelit të pagave,

Reflektimi i ndryshimit të strukturave në TOP, për shkak të transformimit të komponentit në rezervë dhe krijimit të Komandave të Mbështetjes Rajonale (KMR),

Menaxhimi sa më i mirë i personelit për edukim, trajnim dhe emërim duke marrë në konsideratë përshtatjen gradë-funksion, si dhe dhënia e përparësisë reparteve prioritare, njësive paqeruajtëse (PfP) dhe personelit që shërben pranë strukturave të NATO-s.

Projekte zbatuese për integrimin e ushtarakëve në shoqërinë civile

Përcaktimi dhe reduktimi i numrit të specialiteteve në ushtri dhe zhvillimi i planeve për progresin e karrierës të personelit të FA,

Zhvillimi i mëtejshëm i programeve trajnuese dhe rritja e njohurive të gjuhës angleze në të gjitha nivelet e FA-së,

Arsimimi dhe Stërvitja në FA
Procesi i arsimim-stërvitjes të ketë si objektiv kryesor përgatitjen sa më profesionale të ushtarakëve, oficerëve, nënoficerëve dhe ushtarëve.

Bazuar në burimet njerëzore dhe financiare, përparësitë do të jenë:

Brigada e Reagimit të Shpejtë
Regjimenti Komando
Regjimenti i Helikopterëve
Flotiljet Detare Veriore dhe Jugore
Brigada e Mbështetjes Rajonale
Repartet dhe nënrepartet e vëna në dispozicion të NATO/PfP

12 direktivat e kushtëzuara prej anëtarësimit në NATO
1. Rishikimi i Strukturës së Forcave të Armatosura të bëhet sipas e Dokumentit të Vlerësimit të Mbrojtjes

2. Rishikimi i dokumenteve kryesore në fushën e mbrojtjes të tilla si: Strategjia Ushtarake, Plani Afatgjatë i Zhvillimit të Forcave të Armatosura, Direktiva e Mbrojtjes, Doktrina e Bashkuar e FA, si dhe dokumente të tjera të rëndësishme do të rishikohen duke mbajtur në konsideratë përfundimet dhe rekomandimet e bëra në Dokumentin e Vlerësimit të Mbrojtjes.

3. Hartimi i planit të modernizimit të marrë në konsideratë rekomandimet e dokumentit të Vlerësimit të Mbrojtjes si dhe të përfshijë të gjitha aspektet e modernizimit.

4. Për krijimin e kapaciteteve të duhura ushtarake të njësive prioritare, fokusi të jenë: Brigada e Reagimit të Shpejtë, Regjimentit Komando etj, që janë paracaktuar të marrin pjesë në misione ndërkombëtare. Vlerësimi i aftësive operacionale të tyre të bëhet në përputhje me procedurat e NATO-s, sipas Konceptit të Aftësive Operacionale (OCC).

5. Prioriteti i Forcave të Armatosura të jetë krijimi i “Niche capabilities”. Në krijimin e këtyre kapaciteteve prioritet të jenë: ekipe mjekësore, nënreparte të Asgjësimit të Municioneve dhe Eksplozivave (AME), si dhe ekipe të Bashkëpunimit Civilo-Ushtarak (CIMIC).

6. Procesi i zhvillimit të personelit të vazhdojë në përputhje me kërkesat e TOP, ligjeve, urdhrave dhe udhëzimeve në fushën e personelit, ku fokusi të jetë kalimi brenda vitit 2010, nga një forcë e armatosur e shërbimit të detyrueshëm në një forcë të armatosur profesioniste.

7. Përmirësimi dhe zgjerimi i veprimtarive në kuadër të Kartës “Adriatik 3” të përfshijë zhvillimin e nismave të tjera, që mbështesin qëllimet e Kartës së Adriatikut.

8. Rishikimi, përmirësimi dhe zhvillimi i kapaciteteve për Operacionet në Mbështetje të Sigurisë në vend në bashkërendim me ministritë dhe institucionet e tjera do të konsistojë edhe në blerjen e sistemeve të ndërveprueshëm të komunikimit.

9. Rritja e rolit dhe përgjegjësisë së n/oficerit në Forcat e Armatosura të realizohet nëpërmjet përgatitjes dhe zbatimit të programit për zhvillimin e karrierës së n/oficerit, duke synuar vendosjen e autoritetit të tyre në FA.

10. Zvogëlimi i numrit të bazave, përqendrimi i depove dhe garnizoneve të përfshijë përgatitjen dhe zbatimin e strategjive, planeve dhe programeve për zhvendosjen, ndryshimin e destinacionit dhe shkatërrimin e municioneve dhe pajisjeve të tepërta.

11. Zbatimi i fazave të Sistemit të PPBE, veçanërisht të fazës së programimit të mbrojtjes, të bëhet duke e integruar atë me Sistemin e Planifikimit të Integruar (SPI) të Qeverisë. Ky objektiv të përfshijë rishikimin e metodologjisë së SPPBE në FA.

12. Eliminimi e transformimi i strukturave që janë joefektive dhe që trashëgojnë mjete dhe teknike të vjetruar, duke përfshirë Brigadën e Mbrojtjes Ajrore, Batalionin e Tankeve të Brigadës së Reagimit të Shpejtë, Kompaninë Kundërtanke, si dhe Batalionin e Vëzhgimit Ajror etj, të kryhet në kohë mbi bazën e programeve të veçanta.

17 Mars 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›