Kodi i Punës, gati drafti paraprak për ndryshimin e tij
Drafti paraprak për ndryshimin e disa neneve të Kodit të Punës është drejtë përfundimit. Lajmi bëhet i ditur nga Ministria e Punës, që tashmë ka formalizuar grupin teknik i cili po përgatit propozimet konkrete për nenet që pritet të ndryshohen në Kodin e Punës. Grupi i punës drejtohet nga zëvendësministri i Punës, Kastriot Sulka dhe në të marrin pjesë në cilësinë e anëtarit përveç përfaqësuesve të institucioneve qendrore, përfaqësues të partnerëve socialë, të rretheve akademike të fushës të së drejtës së punës dhe të gjykatës. Në mbledhjen e tij të parë, Grupi i Punës miratoi axhendën e takimeve dhe tematikat e secilës prej tyre, përfshi edhe afatet. Pas përfundimit të mbledhjes, Sulka u shpreh se grupi do të përfundojë së shpejti draftin paraprak të projektligjit të ri të Kodit të Punës dhe në shtator të këtij vitit ai do të diskutohet në Këshillin Kombëtar të Punës. Pas marrjes së aprovimit nga Këshilli, do të vazhdohet me ndjekjen e procedurave ligjore për miratimin e ndryshimeve në Kodin e Punës. Nisma për rishikimin e Kodit të Punës u ndërmor pas rekomandimeve të Bankës Botërore, Komisionit Europian dhe Këshillit të Europës për nevojën e përafrimit të një sërë dispozitash të Kodit të Punës me ato të komunitetit europian dhe me Kartën Sociale Europiane (të ndryshuar), si dhe me qëllim përmirësimin e klimës së biznesit në vendin tonë. Procesi i rishikimit të Kodit të Punës, sipas Sulkës, do të jetë gjithëpërfshirës.
17 Mars 2009