ISKSH, gati projektligji për sigurimet shëndetësore private
ISKSH-ja kërkon që të bëjë pjesë të skemës së sigurimeve shëndetësore edhe sigurimin shëndetësor privat. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor synon rregullimin më të plotë ligjor të çështjes së sigurimeve private shëndetësore në vend. Projekligjit të ri, i cili është paraqitur tashmë dhe pritet të miratohet nga qeveria, parashikon që ky sigurim suplementar shëndetësor mund të ofrohet nga persona juridikë të regjistruar në Gjykatë dhe në shoqëri të ndërsjella shëndetësore. Kjo mënyrë e të siguruarit lidhet tërësisht me sektorin privat, të cilat do të kontrollohen nga ISKSH-ja për mënyrën e zbatimit.
Kështu, sigurimi suplementar ose privat nuk është i njëjtë me sigurimin e detyruar. Kjo do të thotë që shërbimin bazë do ta financojë vetëm sigurimi i detyrueshëm, kurse sigurimi suplementar do të jetë një sigurim komplementar. Sigurimi privat financojë ose do të blejë ato shërbime që nuk mbulohen nga fondi bazë e që janë të përcaktuara në ligj. Pjesë e këtyre sigurimeve do të jenë shërbimet private në klinika, si shërbimi stomatologjik, protezat, shërbimet e syzeve optike, ndërhyrjet e kirurgjisë plastike-estetiste, apo raste të tjera. Po kështu, në sajë të reformave, ISKSH-ja pak kohë më parë ka përcaktuar disa kategori, të cilat mund të bëhen pjesë e skemës së sigurimeve shëndetësore vullnetare. Kështu, qytetarët mund të sigurohen vullnetarisht në rastet kur nuk kanë qenë ndonjëherë në marrëdhënie pune, kur nuk kanë mbushur moshën e pensionit të pleqërisë, apo nuk përfitojnë të drejtën për t’u regjistruar si punëkërkues të papunë dhe janë në prag të moshës së pensionit të pleqërisë. Pjesë e përfituesve të sigurimeve shëndetësore vullnetare mund të bëhen edhe studentët në rastet kur janë studentë shqiptarë që vazhdojnë studimet pasuniversitare dhe specializime që studiojnë jashtë shtetit dhe duan të përfitojnë nga skema kur ndodhen në Shqipëri. Një kategori tjetër janë edhe emigrantët shqiptarë që punojnë përkohësisht jashtë shtetit për periudhën kur ndodhen në Shqipëri. Si dhe shtetasit që kanë periudha shkëputje nga puna me leje, por pa të drejtë page. Së fundi, pjesë e skemës mund të bëhen të gjitha rastet që i vlerëson ISKSH-ja. Shtetasit që duhet të bëhen pjesë e sigurimeve shëndetësore vullnetare duhet të dorëzojnë edhe dokumentacionin përkatës, nëpërmjet të cilave sigurohen të dhënat e personave. Për të vërtetuar që personi që kërkon të sigurohet vullnetarisht u përket kategorive të përcaktuara më lart, ai paraqet në DRSKSH dokumentacionin si më poshtë, certifikatë lindje, vërtetim për vendbanimin e tij, deklarim nga mjeku i përgjithshëm ose i familjes për gjendjen e tij shëndetësore. Po kështu, duhet të dorëzojë një kërkesë me shkrim, që të tregojë se ai kërkon të bëhet pjesë e kontribuuesve vullnetar të sigurimeve shëndetësore.
22 Gusht 2008