E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungon gjaku në QSUT, talasemikët nuk kryejnë dot transfuzionin



Në QSUT vazhdon situata e vështirë për transfuzionin e gjakut. Mjaft pacientë e kanë ndërprerë marrjen gjakut për shkak të mungesave të mëdha që kanë spitalet, pavarësisht domosdoshmërisë së tyre. Kështu, të paktën 7 pacientë me sëmundjen e talasemisë nuk kanë mundur të kryejnë transfuzionin e gjakut në ditën e caktuar nga mjekët e Pavijonit të Onkohematologjisë në pediatrinë e QSUT-së. Mjekët i kanë komunikuar prindërve të tyre mungesën e sasisë së gjakut çka i ka bërë ata të kthehen mbrapsht për të ardhur në një nga ditët e ardhshme. Ndërkohë që askush nuk jep një zgjidhje konkrete të situatës. Për këtë arsye Shoqata e Pacientëve Talasemikë i bën thirrje qytetarëve të dhurojnë gjak për të shpëtuar jetët e 300 fëmijëve talasemikë në mbarë vendin.
Drejtoresha e Qendrës së Transfuzionit të gjakut, Irena Çombo, pak ditë më parë sqaroi se spitalet tona nuk arrijnë të mbulojnë nevojat për gjak. Ligji për marrjen e gjakut parashikon se gjaku mund të sigurohet nëpërmjet importit apo në mënyrë vullnetare, por asnjë nga këto procedura nuk i plotëson nevojat e spitaleve për gjak. Për më tepër që importimi i gjakut, i cili parashikohet në ligj, është një procedurë që nuk është kryer deri tani. Çombo sqaroi se importi i gjakut vazhdon të përjashtohet si mundësi për të zgjidhur krizën për gjak. Ndërkohë që numri i dhuruesve të gjakut vullnetar apo me pagesë ka rënë së tepërmi. Ministria e Shëndetësisë deklaroi dy muaj më parë deklaroi se në rast krize do te bënte gati dokumentacionin e duhur për sigurimin e flakoneve nga vendet e certifikuara të Bashkimit Evropian, por deri tani nuk është bërë asnjë blerje. Kështu, pacientët do të vuajnë nga sëmundjet për mosfurnizimin e trupit me gjak edhe për shumë dhe pa një afat të pacaktuar. Përveç mungesave të medikamenteve apo pajisjeve spitalore, spitalet nuk do t’iu ofrojnë të sëmurëve rëndë edhe kurimin dhe plotësimin e nevojave të pacientëve me gjak. Ligji për importin e gjakut prej dy vitesh ka hyrë në fuqi. Nismëtarët e tij në Kuvendin e Shqipërisë e cilësuan atëherë mjaft të vlefshëm sidomos për pacientët që vuajnë nga sëmundja e rendë e gjakut, Talasemia. Sipas këtij ligji, importimi i gjakut do të bëhej në mënyrë të vazhdueshme në bazë të nevojave dhe do t’iu zgjaste jetët e të sëmurëve. Por, realisht nuk ka ndodhur kështu, pasi importimi i gjakut është përjashtuar nga axhenda e procedurave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ato pak furnizime me gjak kanë ardhur nga familjarët e pacientëve apo nga dhurimi vullnetar i gjakut. i vetmi rast kur është bërë importimi i gjakut nga vendet e huaja ka qenë tragjedia e shpërthimeve të Gërdecit, ku pati me dhjetëra të plagosur.

22 Gusht 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›