E Hënë, 2 Nëntor 2026

ISKSH, llogarit indeksimin e pensioneve vit pas viti

23/04/2005  Do të përfitojnë vetëm ata që dalin këtë vit në pension

Që këtej e tutje, kush do të dalë në pension, llogaritja e masës së pensionit nuk do të ketë si bazë vetëm mesataren e pagës së tre viteve të fundit, apo të tre viteve kur është paguar më mirë, por mesataren e gjithë pagave që kur është punësuar, duke i indeksuar sipas rritjes së inflacionit. Pra, kush del në pension tani do t’i llogaritet dhe paga e marrë para viteve ’90. “Kemi përgatitur studimin mbi masat e indeksimit të pagave të vitit ’85, ’90, ’91, ‘92 e me radhë”, deklaroi ministri i Punës dhe Çështjeve Sociale, Engjëll Bejtaj. Por, drejtori i Insitutit të Sigurimeve Shoqërore, Ilir Beqja, shpjegon se ky ligj nuk do të ketë efekt paraveprues, pra ata që kanë dalë në pension nuk do të kenë indeksim sipas pagës së para viteve ’90. Efekti financiar i llogaritjes së pensioneve në këtë mënyrë është 160 milionë lekë.

Rasti

“Nga 7 mijë lekë pension, fitoi 10 500 lekë”

“Rasti i fundit ishte llogaritja e pensionit për një stomatologe. Para viteve ’90, ajo kishte punuar me pagë 8 mijë lekë të vjetra, pas viteve ’90 kishte dal privat dhe ishte siguruar për pagën më të ulët. Me llogaritjen sipas ligjit të pensioneve të pandryshuar, ajo përfitonte pension minimal (7 mijë lekë të reja), me ligjin e ri, duke i indeksuar pagën 800 lekë të reja sipas rritjes së inflacionit vit pas viti, ajo përfiton një pension goxha të lartë, 10 500 lekë të reja. Pra, një rritje prej 45 për qind”, shpjegon Beqja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›