E Hënë, 2 Nëntor 2026

Inspektoriat për kontrollin e dëmeve ndaj tokës

23/04/2005  Eshtë aprovuar ligji “Për Mbrojtjen e Tokës” dhe do të ngrihet një inspektoriat për të kontrolluar këtë problem. Dje Ministria e Mjedisit, në bashkëpunim me Ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit, Institutin e Studimit të Tokave, me rastin e “Ditës Ndërkombëtare të Tokës ” publikoi problemet e tokës në vendin tonë.

Këto probleme lidhen me dy efekte, degradimi dhe shkretëtirëzimi i tokës. Këto fenomene vijnë si një rezultat i veprimit të faktorëve natyrorë dhe atyre njerëzorë. Natyrisht që kushtet klimatike janë shpesh determinuese në stimulimin e këtij fenomeni. Faktori njeri, ka gjithashtu rolin e tij në mirëtrajtimin apo degradimin e tokës. Në Shqipëri, është shpyllëzuar një sipërfaqe e madhe gjatë një periudhe relativisht të shkurtër - rreth gjysmë shekullore, është vaditur më së shumti me rrjedhje, janë ulur ndjeshëm këto vitet e fundit investimet për mirëmbajtjen e tokës bujqësore, po bëhen gjithnjë e më të ndjeshme zjarret në kullota, toka torfike e pyje etj. Shqipëria, ka një sipërfaqe të vogël të tokës bujqësore për frymë e një fragmentarizim të saj të madh, ndërkohë që lëvizjet demografike po shfaqin efektet e para mbi keqadministrimin e tokës. Të gjitha këto, kanë bërë që vendi të ketë çdo vit humbje të shtresës së hollë e pjellore e të vlerave ushqyese të tokës. Përmbledhur në shifra këto humbje të sipërfaqes së tokës llogaritet të jenë nga 25-30 ton/ha/vit dhe në disa zona në 70 tonë/ha në vit, ndërkohë që nga rrjeti ujor lumor i vendit gërryhen, transportohen e shkarkohen në det, mbi 60 milionë tonë materiale të ngurta në vit, në përbërje të të cilave janë rreth 1 milionë e 200 mijë tonë humus, 100 mijë tonë kripra të nitrateve, 60 mijë tonë kripra të fosforit dhe 16 mijë tonë kripra të potasit. Sipërfaqet e zhveshura nga bimësia është mesatarisht rreth 2.3 herë më e lartë se në sipërfaqet e mbjella me barëra shumëvjeçare, 1.2 herë më e lartë se në sipërfaqet e mbuluara me bime prashitëse dhe 2.1 herë më e lartë se në sipërfaqet e mbjella me bimën vetiver.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›