E Diel, 1 Nëntor 2026

“ITAKA GRUA”, Merita Toçila: “Odiesun e joshin Sirenat në Durrës”

Përveç performancës të veçantë të kostumit dhe poezisë, një panair libri dhe një ankand pikturash do të zhvillohen të martën në Flagship Center

Petrika GROSI
Performanca më e re e kostumit, pas “Adamit dhe Evës” dhe “Nënë Terezës” që u zhvilluan në Tiranë, tashmë vjen “Itaka grua” në Durrës. Kësaj here frymëzimi i stilistes Merita Toçila, ka të bëjë me mitin e kthimit në Atdhe, rruga e Odiseut dhe peripecitë që heroit iu desh të kalonte për t’u kthyer te Penelopa dhe jo vetëm. “...por Odiseu këtë herë vjen nga Kosova dhe Itaka është një imazh që nuk ka të bëjë shumë me Penelopën, siç ndoshta mund të prisnit. Pikërisht mesazhi i tij i madh do të jetë dhe surpriza e kësaj performance. Një imazh që do të plotësojë imazhet e tjera që kemi përdorur më parë në sfilatat e kaluara” thotë stilistja Toçila, teksa e pyesim mbi performancën e saj që do të zhvillohet të martën më 26 maj, në ambjentet e Flagship Center. Ajo sqaron se ka vetëm një Odise dhe Itakë... të tjerat (modelet) janë circet, sirenat, por të kohës së sotme, natyrisht, duke prezantuar në këtë mënyrë koleksionin e ri pranverë-verë, ku mbizotëron qëndisja dhe përdorimi i aksesorëve të shumtë në pëlhura, me ngjyra të forta vere për të mos iu larguar shkëlqimit të Sirenave dhe funksionit të tyre. Përveç këtyre, disa prej veshjeve janë realizuar duke përdorur një teknikë krejtësisht individuale, duke realizuar një pëlhurë unike me konfiguracione të ndryshme, gati si një realizim në telajo... “Ashtu siç ndodhi me fjalën, e cila ishte e para, dhe mjaftoi për të ndërtuar një univers të tërë, edhe në rastin tonë, një poezi shërbeu si lejtmotiv për të realizuar një performancë të veçantë.” Shfaqja “Itaka grua” ndërthur stilimin e veshjeve, modën, me letërsinë, poetikën dhe pikturën. Një lirikë poetike nga Kolec Traboini, ishte fillesa e gjithë këtij realizimi. Fjala ka qenë shoqëruese e performancave të Toçilës, që prej fillimit, për të përcjellë përveç koleksioneve të reja të veshjeve edhe një mesazh artistik, apo herë-herë edhe duke prekur ndonjë problem shoqëror, duke përkujtuar ndonjë figurë të madhe. Çdo radhë një poezi ndryshe dhe një poet që vjen me fjalën e tij. Duke qenë në fillim të sezonit të ri veror, kur të gjithë emigrantët shqiptarë, por edhe shqiptarët e Kosovës, Maqedonisë apo diasporës kanë si pikë referimi Atdheun, kthimin për pushime këtu, çmalljen me të afërmit dhe vendin e tyre, edhe motivi i shfaqjes përputhet mrekullisht me gjithë këtë. “Kësaj here thërrasim për ndihmë, mitin e lashtë të ikjes së njeriut dhe të rikthimit përsëri në Atdhe. Atdheu mund të jetë dhe një copë gur, ashtu siç mund të jetë familja, nëna, fëmija e gruaja. Ishte një impuls i fortë për të realizuar një performancë krejt të re dhe të pahasur sa i takon fushës së modës në vendin tonë. Siç e kuptuat, ju sjellim Odiseun sipas këndëvështrimit tonë, këtë ikanak të përhershëm në kërkim të Itakës së tij, përmes ëndrrash dhe tundimesh, sirenash dhe betejash, me kuaj troje, me zgjuarsi, që vlen po kaq sa edhe guximi për të qenë trima në çdo sfidë” – shprehet Toçila, duke sqaruar se pikërisht momenti i kthimit të Odiseut në Itakë dhe përballja me tundimet e Sirenave, të cilat duan ta joshin për të mos e lënë të shkojë pranë gruas së tij, është edhe momenti kyç, mbi të cilin bazohet performanca, natyrisht, e pasuruar dhe përshtatur me elementet që stafi realizues e ka gjykuar si më të përshtatshme për të dhënë mesazhin dhe emocionet që synohet të përçohen te publiku. Por performanca siç ka për ideatore dhe realizuese stilisten tashmë të njohur për guximin dhe risitë e saj në skenën e modës shqiptare, fsheh pas saj edhe një staf ku mund të përmendim regjisorin e talentuar Erjon Beci, i cili ka dhënë prova edhe me sfilatën e mëparshme “Nënë Tereza –Shenja shenjtërie”, të zhvilluar tetorin e kaluar në Tiranë po me të njëjtin grup. E teksa jemi te sfilatat, nuk mund të mos rikujtojmë këtu evenimentin që ka krijuar bujën më të madhe në këto 20 vite në fushën e modës shqiptare, siç ishte performanca dhe sfilata “Adami dhe Eva”, gjatë së cilës stilistja Toçila guxoi për herë të parë të thyente tabutë shqiptare dhe të nxirrte vajza nudo në pasarelë. Ndërkaq, një rol të rëndësishëm në këtë organizim ka koordinatori Indrit Puteci, për të kaluar te skenografia që i përket piktorit Zaim Elezi, formulimi muzikor i mjeshtrit Dritan Lumshi, zëri i Vasjan Lamit, koreografia e Evis Hetës etj.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›