E Shtunë, 31 Tetor 2026

VIZION PLUS, Bypass sjell ethet e skuadrave për trofeun “Parlamenti 2009”



Sapo jemi informuar se një skuadër futbolli e kategorisë së dytë ka marrë vendim që deri në fund të kampionatit stërvitjet t’i zhvillojë në stadiumin e saj me dyer të mbyllura… Arsyeja përse do ta zhvillojë stërvitjen me dyert e mbyllura? Fare e thjeshtë…

Gimi: Mund të më sqaroni shkurtimisht se përse keni marrë vendim që të stërviteni me dyert e mbyllura, se tani është edhe vapë…
Gramozi: Po më mirë të të zërë vapa se ata që na vijnë nga prapa…
Gimi: Kush ju vjen nga prapa? Nuk po ju kuptoj…
Gramozi: Politika na vjen nga prapa, që kur ka filluar fushata deputetë apo kandidatë për deputetë, kanë dalë fushave të sportit e na japin mend si të luajmë.

Sporti dhe politika do të jenë në qendër të vëmendjes së Bypassit të kësaj jave. Nga hulumtimet në terren dhe nga intervista me një specialist kemi zbuluar se të dyja janë ndërthurrur aq shumë me njëra-tjetrën sa nuk dihet ku fillon njëra e ku mbaron tjetra, madje edhe topi nuk u bindet më këmbëve të lojtarit, por thirrjeve të celularit…

Kronika
Shqipëria bëhet i pari vend në botë që vendos të fusë në shërbim të sportit një teknologji mjaft të përparuar. Gjatë ndeshjeve të javës së parafundit të kampionatit shqiptar midis skuadrave që e kishin siguruar qëndrimin në kategorinë superiore dhe atyre që rrezikonin të binin në fund të tabelës është futur në përdorim një top i pajisur me një aparat celular, i aftë të komunikojë me persona brenda dhe jashtë stadiumit. Futja e kësaj paisjeje ka ndikuar ndjeshëm në rezultatet e takimeve, njëkohësisht edhe në renditjen e skuadrave. Nga moviolat është vënë re se në momentin e golave të shënuar nga skuadra mike, topi ka qëndruar për një kohë të papërcaktuar pezull mbi kuadratin e portës. Gjatë kësaj kohe është mësuar se ai ka kryer disa telefonata me persona jashtë stadiumit dhe vetëm pasi ka marrë konfirmimin e këtyre të fundit ka ndryshuar trajektoren e tij dhe ka përfunduar brenda në kuadrat. Në Bypassin e kësaj jave nuk mund të mungonin edhe emocionet e ndeshjes më të rëndësishme të kampionatit shqiptar të futbollit, derbit midis presidentit Topi dhe Kreyparlamentares Topalli…

GIMI
Nga grafiku duket se përballja më e fortë është derbi midis presidentit Topi dhe kryetares së Kuvendit Topalli. Nga informacionet që kemi ndeshja e fundit, ajo për trofeun “Parlamenti 2009” është fituar me një rezultat tepër të thellë nga Topalli, e cila e ka mbajtur të paprekur listën e kandidatëve të PD, nga mbështetësit e Topit…
Meqe ra fjala tek listat. Skuadrat politike më së fundi i bënë publike formacionet për finalen e 28 Qershorit. Edhe te këto nuk munguan surprizat dhe kalimet e lojtarëve nga një formacion te tjetri në momentet e fundit…

Skeda e Zogajt
Njihet si themelues i skuadrës blu, të trajnerit Berisha, ku aktivizohej si mbrojtës i krahut të majtë, por për shkak të mosaktivizimit të shumtë në formacionin bazë, bashkë me dy-tre lojtarë të tjerë të stolit krijuan një skuadër të re të quajtur AD. Aktivizimet e shumta me këtë skuadër dhe loja e mirë e mbrojtësit Zogaj ranë në sy të trajnerit të ekipit rozë, i cili në atë kohë i ofroi një vend titullari në skuadrën e tij. Pas debateve të plasura brenda gjirit të kësaj skuadre dhe pas humbjes së titullit kampion, futbollisti Zogaj afrohet sërish me skuadrën që nisi karrierën, ku iu premtua një vend titullar, por përsëri përfundoi në stolin e rezervave. Vetëm në momentin e fundit, kur rrezikonte të mbetej pa skuadër, atij i është ofruar një vend në skuadrën e re të “Polit të Lirisë”. Pavarësisht formacioneve, finalja e 28 qershorit pritet të zgjidhet nëpërmjet një dueli midis dy protagonistëve…
Berisha: “Megjithatë unë i bëj thirrje zotit Rama, hajde këtu në Krujë, ngrije kokën lart, ki guxim dhe shihe drejt e në sy Skënderbeun, sepse dashtë Zoti të jep pak forcë të japësh dorëheqjen nga kryetar i Bashkisë dhe të dalësh në shesh të mejdanit”.
Në vend të përgjigjes së kryetarit, kryeministri ka marrë përgjigjen e ish-kryetarit të socialistëve, të rikthyer në hapësirat sportivo-politiko-bypassore…

GIMI: Keni ndonjë mesazh për t’i thënë kryeministrit?
NANO: Nuk do të dal në pension politik pa nxjerrë Berishën, në pension politik.

Këto dhe mjaft informacione të tjera si këto, vetëm në emision e përjavshëm parodik Bypass, të dielën në Vizion Plus me Agim Bajkon.

25 Maj 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›