E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ibra 14 milion euro te PSG

Pas afro tre orëve bisedime në zyrat e “Parc de Princes”, Leonardo, menaxheri i përgjithshëm i Paris Seint Zhermen dhe Mino Raiola, menaxheri i Zlatan Ibrahimoviç, duket se kanë gjetur akordin për të vulosur trasferimin e sulmuesit në klubin e sheikëve nga Katari.
Ibrahimoviç do të firmosë kontratë 3-vjeçare me 12,5 milionë euro rrogë në vit, plus bonuse për paraqitjet, golat dhe trofetë, me të cilat rroga e suedezit do të shkonte në 14 milionë euro. Bisedimet quhen praktikisht të mbyllura dhe tashmë pritet vetëm zyrtarizimi i kalimit të sulmuesit në skuadrën pariziene.
Marrëveshja është arritur pasi vetëm pak më parë, menaxheri Raiola kishte deklaruar se palët ishin larg në qëndrimet e tyre, si Amerika me Kinën. Gjithsesi, më në fund erdhi zgjidhja e mesme: e thënë ndryshe me rrogën e propozuar nga Leonardo, por me kontratë 3-vjeçare dhe jo për dy sezone, dhe shpërblime të ndryshme që e rrisin shifrën duke plotësuar pretendimet e lojtarit dhe menaxherit të tij.
Pas konfirmimit se Ibrahimoviç dhe PSG gjetën akordin, Raiola iu përgjigj edhe komenteve se sulmuesi është një futbollist i etur për para dhe i bashkohet pa problem klubit që ofron më shumë.
“Ibra është si Xhokonda”, tha menaxheri, që më pas shtoi: “Merkato është e tillë. Kujtoni pikturat më të shtrenjta në botë. PSG dhe Mançester Siti kanë luksin që ti ëndërrojnë ato. Tani, me blerjen e Ibrahimoviç, PSG ka kurorëzuar një ëndërr”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›