E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rusia zgjedh Fabio Kapelon

Fabio Kapelo do të jetë trajneri i ri i Kombëtares ruse, deri në fund të Kupës së Botës 2014. Trajneri italian do të marrë drejtimin e skuadrës që dështoi në Euro 2012, ku do të përfitojë 5-6 milionë euro në vit. Lajmi pritet të zyrtarizohet javën e ardhshme, kur parashikohet që trajneri të hedhë firmën në kontratë.
Lajmi është bërë i ditur nga e përditshmja sportive ruse, “Sport Express”, vetëm pak orë pas bisedës që “Don Fabio” zhvilloi me Federatën Ruse në Moskë. Kontrata do të jetë 2-vjeçare, por ajo ka opsion për t’u rinovuar, nëse ecuria e skuadrës do të jetë e kënaqshme.
Kapelo do të bashkëpunojë me sfat rus, megjithatë ai do të ketë mundësinë të ketë pranë vetes edhe disa njerëz të besuar. Ish-trajneri i Romës, Milanit, Juventusit dhe Realit të Madridit, ka bërë të ditur që e pranoi ofertën, prej interesimit të madh nga ana e federatës ruse.
Tekniku 66-vjeçar duket se është virtualisht fituesi i një gare mjaft të fortë, edhe sepse në listën e ngushtë të emrave për kandidatët e mundshëm të stolit ndodheshin 13 trajnerë. Në Rusi dëshirojnë që çështja e trajnerit të përfaqësueses të mbyllet sa më shpejt, edhe sepse më 15 gusht, skuadra do të luajë një miqësore me Bregun e Fildishtë dhe pas tre javësh ata kanë ndeshjen e parë kualifikuese në Botërorin 2014 me Irlandën e Veriut.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›